RMV, në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojë ndërtimi i hekurudhës për në Bullgari

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoja Boçvarski pret që procedura për përzgjedhjen e një kontraktori për dy fazat e para të hekurudhës me Bullgarinë të përfundojë deri në fund të vitit, ndërsa ndërtimi të fillojë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, raporton MIA.

“Maqedonia e Veriut është e përkushtuar fuqishëm në procesin e integrimit evropian dhe integrimin e sistemeve të transportit me vendet e rajonit dhe sistemin e transportit të Bashkimit Evropian, tha Boçvarski, i cili sot po bën një vizitë pune në Sofje, ku së bashku me ministrat të Transportit të Republikës së Bullgarisë, Hristo Aleksiev, dhe Republikës së Shqipërisë, Belinda Baluku, nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi trepalësh duke theksuar angazhimin e përbashkët të të tre vendeve për ndërtimin dhe zhvillimin e koordinuar të Korridorit 8. Dokumenti përcakton data të qarta për zhvillimin e të tre vendeve dhe aktivitetet e tyre në Korridorin 8, ndërsa pritet të jetë gati deri në vitin 2030.

Boçvarski tha se lidhja hekurudhore në lindje me Bullgarinë dhe në perëndim me Shqipërinë është vendimtare për zhvillimin e sistemit të përgjithshëm hekurudhor në Maqedoninë e Veriut. Ndërtimi i hekurudhave të reja, tha ai, duhet të mundësojë rritjen e përshpejtuar ekonomike të të gjithë rajonit përgjatë Korridorit pan -Evropian 8. – Si një vend aspirant për anëtarësimin në BE, ne jemi të përkushtuar fuqishëm për zhvillimin rajonal përmes ndërtimit dhe modernizimit të rrugëve dhe infrastrukturës hekurudhore. Politikat që ne po zbatojmë si Qeveri kanë për qëllim përfundimin e Korridorit 8. Prandaj, sot këtu në Sofje, së bashku me kolegët e mi ministra nga Republika e Bullgarisë dhe Republika e Shqipërisë, ne nënshkruam një Memorandum Bashkëpunimi me të cilin angazhohemi për zhvillimin e infrastrukturës së qëndrueshme rrugore dhe hekurudhore në Korridorin 8. Në këtë mënyrë ne konfirmuam vullnetin dhe gatishmërinë e përbashkët të të gjithëve për planifikim afatgjatë dhe zhvillim të koordinuar të Korridorit 8, me fokus n[ projektet investuese me vlerë më të lartë për rajonin” , tha Boçvarski.

Sipas Boçvarski, Maqedonia e Veriut po bën përpjekje të forta për të ndërtuar dhe finalizuar infrastrukturën e transportit në Boshtin Lindje-Perëndim. Investimet që planifikojmë për ndërtimin dhe përfundimin e Korridorit hekurudhor 8, vuri në dukje ai, tejkalojnë një miliard euro.

“Fillimi i ndërtimit të fazës së parë dhe të dytë pritet në tremujorin e parë të vitit 2022 dhe vetëm ky është një investim prej rreth 200 milionë eurosh, tha ministri i Transportit.

Procedura për përzgjedhjen e një kontraktori për dy fazat e pjesës lindore të Korridorit hekurudhor 8 është në fazën e kualifikimit dhe kandidatët e përzgjedhur duhet të dorëzojnë ofertat jo më vonë se 15 nëntor të këtij viti, pas së cilës vijon faza e vlerësimit dhe përzgjedhja e ofertës ekonomikisht më të favorshme.

Për seksionin e tretë, nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, tha Boçvarski, është planifikuar të vazhdojnë procedurat e mëtejshme dhe ndërtimi të fillojë së shpejti dhe në atë fazë, e cila do të kërkojë punë të përbashkët me Bullgarinë për të zgjidhur tunelet në kufi. Vetëm faza e tretë e hekurudhës është mbi 400 milionë euro.

Memorandumi midis tre vendeve duhet të ndihmojë më tej në koordinimin dhe zbatimin e masave për të lehtësuar tranzitin në vendkalimet kufitare dhe për të siguruar korridore me transport të shpejtë dhe të pandërprerë të mallrave. Arritja e lëvizshmërisë së qëndrueshme dhe efikasitetit të lartë dhe cilësisë së shërbimeve të transportit në planin afatgjatë është gjithashtu një përparësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button