fbpx

BE: Kosova shembull për rajonin në organizimin e zgjedhjeve

Misioni i Bashkimit Evropian që vëzhgoi zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë, vlerësoi se zgjedhjet lokale ishin të organizuara mirë dhe pa probleme të mëdha, por duke përjashtuar këtu komunat me shumicë serbe.  Sipas vëzhguesve evropianë, në këto komuna konkurrenca politike ka qenë e kufizuar, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Kreu i Misionit, Lukas Mandl, tha në një konferencë për media, se pluraliteti i kandidatëve ka ofruar për votuesit një zgjidhje të vërtetë, por, jo në komunat me shumicë serbe.

“E kemi parë që Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës, madje ka pasur raste të kërcënimit dhe presioneve nga kandidatët e Listës Serbe dhe aktivistëve të tyre. Për fat të keq gratë kanë qenë të nën-përfaqësuara në gara për kryetare të komunave, dhe financimi i fushatës nuk ishte transparent.” tha Mandl.

Pak gra kandidate për kryetare komunash

Misioni i BE në ditën e zgjedhjeve vizitoi 400 vendvotime në nivel vendi. Lukas Mandl përmend edhe problemet e konstatuara gjatë votimeve. “Votimi ka qenë i rregullt dhe i qetë përkundër disa shqetësimeve të vërejtura në një numër të rasteve, siç ishte votimi me asistencë dhe votimi me dokumente të identifikimit me afat të skaduar”, tha Mandl. Edhe prezenca më e dobët e grave si kandidate kritikohet nga BE.

“Kuota gjinore prej 30 për qind është respektuar, por subjektet politike kanë nominuar vetëm disa gra kandidate për kryetare të komunave,” theksoi Mandl.

Presion nga Lista Srpska

Vlerësime pozitive për zgjedhjet lokale erdhën edhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, që kryesonte eurodeputetët vëzhgues. Ajo përgëzoi qytetarët e Kosovës nga të gjitha etnitë për ushtrimin e qetë dhe paqësor të së drejtës së tyre për të zgjedhur përfaqësuesit lokalë. “Këto zgjedhje komunale dëshmuan se Kosova është një demokraci e vërtetë me një debat të vërtetë mes kandidatëve dhe partive politike që propozojnë politika alternative. Sot, më shumë se kurrë Kosova është shembull në kuptim të pluralizmit dhe standardeve demokratike për tërë rajonin.” tha eurodeputetja Viola von Cramon.

Megjithatë von Cramon theksoi, se në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe pati “presion nga Lista Serbe dhe aktivistët e saj”.

“Për fat të keq janë evidentuar disa mangësi sistematike, të cilat nuk janë evituar ende. Një nga to është ngushtimi i hapësirës politike për serbët. Lista Serbe ka dominuar dhe nuk u ka lënë hapësirë partive tjera serbe.” tha Viola Von Cramon.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit që u zhvilluan në Kosovë, kishte një pjesëmarrje në votime prej rreth 43% nga gjithsej 1.9 milionë qytetar me të drejtë vote. KQZ-ja tha se mbi 776 mijë qytetarë votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave dhe asambletë komunale në 38 komunat e Kosovës.

Sipas rezultateve të KQZ-së, së paku në 20 komuna janë shënuar fitore të partive politike që në raundin e parë ndërsa, 18 komuna tjera shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 14 nëntor. Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit që drejton qeverinë, në zgjedhjet e së dielës nuk arriti të fitojë pa balotazh asnjë komunë, por në 12 komuna ajo garon në raundin e dytë që mbahet me 14 nëntor. Në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që u mbajtën me 14 shkurt të këtij viti, Vetëvendosja fitoi mbi 50% të votave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button