Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet në RMV: Nuk është bërë pilot – projekt për votimin biometrik, vërejtje edhe për retorikën negative dhe mangësitë juridike

Misioni i OSBE/ODIHR në Shkup në raportin preliminar të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ka vlerësuar se fushata dhe procesi zgjedhor kanë qenë kryesisht të qeta, por si vërejtje janë theksuar retorika negative e fushatës, përfaqësimi jo adekuat i grave, si dhe problemet me aparatet për fingerprint ditën e zgjedhjeve, shkruan Portalb.mk.

Shefja e këtij misioni, Tana de Zulueta, deklaroi se po ashtu në ditën e votimit janë vërejtur votim grupor si dhe raste të izoluara të frikësimit të kandidatëve.

“Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut u vendos identifikim biometrik i votuesve për këto zgjedhje dhe edhe pse hapi u përshëndet përgjithësisht si masë për parandalim të mashtrimit, në kornizë kohore për implementimin e saj në nivel nacional mungonte pilot – projekt apo testim gjithëpërfshirës. Në ditën e zgjedhjeve, u vërejtën probleme të shpeshta me pajisjet biometrike. Procesi i hapjes dhe votimi ishin të vlerësuara pozitivisht në gjithë vendin, por kishte probleme siç është votimi grupor, si dhe gabime procedurale gjatë numërimit dhe përmbledhjes. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë gëzuar mbështetje të gjerë politike, por u miratuan vetëm një muaj para zgjedhjeve, pa debat publik apo konsultim, gjë që nuk është në pajtueshmëri me praktikën e mirë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, administrata zgjedhore i është përmbajtur shumicës së afateve ligjore dhe ka bërë përpjekje që t’i përshtatet disa ndryshimeve të vonuara. Megjithatë, është rrezikuar kapaciteti dhe aftësia e sa që ta kryejë punën në mënyrë të pavarur, për shkak të mungesës së personelit të përhershëm dhe vendet e zbrazura të punë në pozicionet kyçe”, tha De Zulueta

Ajo shtoi se, numër i madh i kandidatëve kanë zhvilluar lirshëm fushatë në gjithë vendin por sipas saj, ishte e dukshme nga vëzhguesit i OSBE-së se partitë më të mëdha kanë përdorur ligjin që të realizojnë dominim në fushën politike.

“Edhe përkundër fushatës zgjedhore aktive dhe në përgjithësi të qetë, debatet e bazuara në pyetje ishin nën hijen e rritjes së retorikës negative, e cila posaçërisht ishte e drejtuar ndaj kandidateve. Barazia gjinore dhe të drejtat e femrave në masë të madhe mungonin në fushatat partiake, në të cilat gratë gjithashtu mbeten jo mjaftueshëm të përfaqësuara. Vëzhguesit, gjithashtu, vërejtën raste të izoluara të frikësimit të kandidatëve, si dhe pretendime për presion ndaj kandidatëve që të tërhiqen si dhe blerje të votave”.

Sa i përket pjesës së mbulimit mediatik, ajo tha se rregullimi i rreptë i programeve të lajmeve te servisi publik gjatë kohës së fushatës, minon pavarësinë e saj redaktuese. Reklamimi i paguar te radiodifuzerët, mediat e shtypura dhe online gjatë fushatës financohen drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga buxheti i shtetit, ndërsa shpërndarja e tij ka siguruar përparësi të konsiderueshme për disa parti politike që, siç theksoi De Zulueta, nuk është në pajtueshmëri me praktikën e mirë ndërkombëtare.

“ODIHR vazhdimisht thekson nevojën që Kuvendi të ndërmerr reformë gjithëpërfshirëse në legjislacionin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, të shoqëruar me konsultim të gjerë publik. Ajo do të mundësojë legjislacion të fortë që do t’u shërbejë njerëzve të këtij vendi”, tha shefja e OSBE/ODIHR.

Misioni vëzhgues i ODIHR në Maqedoninë e Veriut ka filluar punën e tij më 7 shtator me ekip prej 16 ekspertëve me seli në Shkup dhe gjithsej 165 vëzhgues nga 29 vende. Misioni do ta vazhdojë vëzhgimin e saj edhe në rrethin e dytë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button