“Polexit” nga e drejta e BE-së – rrezikim i bërthamës së BE-së

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Shkas: vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Polonisë – Parimi i epërsisë (supremacisë) i të drejtës së BE-së është një nga mësimet më të rëndësishme për ata që studiojnë integrimin në BE. I themeluar në vitet e largëta të 60-ta përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë të BE-së (GJDBE), ky parim thotë se e drejta e BE-së ka përparësi mbi të drejtën kombëtare të shteteve anëtare. Prandaj, vendimet e GJDBE-së janë detyruese për autoritetet kombëtare, përfshirë gjykatat. Parimi i epërsisë së ligjit të BE-së është një nga faktorët kryesorë që e bëjnë BE -në një bashkësi mbikombëtare sui generis.

Vendim i Gykatës Kushtetuese të Polonisë, par pak kohësh, e mohon drejtpërdrejt parimin e epërsisë së ë BE-së.

Për çfarë bëhet fjalë në këtë lëndë?

Vendimi u mor pas parashtresës nga Kryeministri i Polonisë me të cilën ai kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të konfirmonte se aktgjykimet e GJDBE, që e përcaktojnë standardin evropian për pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve, nuk mund të zbatohen në rendin juridik polak.

Kërkesa pasoi pas vendimeve që GJDBE tash më i kishte sjellë për më tepër lëndë, të cilat në thelb i pranojnë paditë nga Komisioni Evropian me të cilat vërtetohet se Polonia e kishte shkelur të drejtën e BE-së dhe kërkohet që ajo të ndërmarrë veprime për t’i zbatuar. Aktgjykimet kishin të bëjnë me procedurat e modifikuara për përzgjedhjen e gjyqtarëve, me procedurat disiplinore kundër gjyqtarëve të cilat institucionet evropiane i konsideruan si shkelje të drejtës së BE-së në shumë aspekte, por më e rëndësishmja se e shkelin parimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Gjykata Kushtetuese e Polonisë ka përcaktuar që disa nene kryesore të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian (në të cilët referohet Komisioni Evropian në paditë e tij) nuk përputhen me Kushtetutën e Polonisë. Gjykata konstatoi se me këto dispozita institucionet e BE -së veprojnë përtej fushëveprimit të kompetencave që u janë dhënë nga Republika e Polonisë në marrëveshjet, se e pengonin atë të funksionojë si shtet sovran dhe demokratik dhe se Kushtetuta polake kishte përparësi sa i përket forcës tij detyruese dhe zbatimit. Kështu rendin kushtetues polak e vendos drejtpërdrejt mbi atë të BE-së, në kundërshtim me parimin e epërsisë së drejtës së BE-së. Disa e kanë quajtur këtë “Polexit” të Polonisë nga e drejta e BE-së, duke aluduar në Brexit.

Krahas vëmendjes globale nga mediet, vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake provokoi reagime të forta si në vend ashtu edhe nga institucionet evropiane. Demonstrata masive në mbështetje të anëtarësimit në BE u mbajtën në qindra qytete polake, me më shumë se 100,000 protestues në kryeqytet. Komuniteti akademik, ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë dhe shumë ekspertë të tjerë polakë dhe të huaj kanë paraqitur një numër argumentesh kundër vendimit.

Institucionet evropiane po reagojnë ashpër për të ruajtur themelet e rendit juridik të BE-së – jo vetëm me deklarata eksplicite nga zyrtarët e saj të lartë. Komisioni Evropian muajin e kaluar kërkoi nga GJDBE të vendosë një gjobë ndaj Polonisë për mos zbatimin e vendimeve të saj. Këto janë gjoba që mund të arrijnë në disa qindra mijë euro në ditë. Përveç kësaj, Komisioni ende nuk i ka ndarë Polonisë miliarda fonde të BE-së për rindërtimin pas KOVID. Sidoqoftë, mbeten pyetjet se si do të vazhdojë të zbatohet mekanizmi i sapokrijuar i sundimit të drejtës për këto fonde, si dhe mundësia e zbatimit të nenit 7 të Marrëveshjes së BE – për të pezulluar të drejtat e një shteti anëtar. Kështu, aktualisht po testohet i gjithë sistemi i sundimit të ligjit në BE – një nga projektet kryesore të BE -së “në ndërtim e sipër”.

Ekzistojnë vendime të mëparshme të gjykatave kushtetuese të shteteve anëtare (gjermane, daneze, italiane, çeke) të cilat kanë përcaktuar se GJDBE e ka tejkaluar autoritetin e saj për çështje më specifike sesa bashkëpunimin me BE-në. Megjithatë, ata nuk kundërshtuan bazën e funksionimit të sistemit të BE-së, as funksionimin e sistemeve të tyre gjyqësore brenda sistemit juridik të BE-së. Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane shkoi më tej, duke gjetur se vendimet e Bankës Qendrore Evropiane për Programin e Prokurimit në Sektorin Publik i tejkalojnë kompetencat e BE -së, për të cilat Komisioni Evropian filloi një procedurë për shkeljen e ligjit të BE -së kundër Gjermanisë. Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane, megjithëse në parim njeh epërsinë e së drejtës së BE-së, ka krijuar tre përjashtime në të cilat i jep vetes të drejtën për të vlerësuar aktet e BE-së (një nga përjashtimet është ai që u përmend për tejkalimin e kompetencave).

Në raportin për sundimin e të drejtës së BE-së të titulluar “kontrolli dhe balancimi”, aspekt i veçantë që merret parasysh është respektimi i epërsisë së drejtës së BE-së. Përveç rasteve të cituara këtu kundër Polonisë dhe Gjermanisë, Komisioni në raportin e tij të fundit nga qershori i këtij viti shprehu shqetësimin për një vendim të qeverisë franceze (për ruajtjen e të dhënave) si dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese Rumune (me të cilin nuk pranohet vendim paraprak i GJDBE-së).

Me sa duket institucionet e BE-së do të jenë në një luftë të furishme për të parandaluar “epidemi” të shkeljeve të së drejtës së BE-së, veçanërisht parimet themelore, që e bëjnë BE-në atë që është.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button