Zgjedhjet lokale në Kosovë: 43,13 përqind dalja e votuesve deri në mbylljen e vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhje (KQZ) ka njoftuar se deri në orën 19:00 pjesëmarrja në votime në kuadër të Zgjedhjeve Lokale 2021 në Kosovë ka qenë 43,13 për qind apo rreth 770 mijë votues, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në të njëjtën kohë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2017 kanë dalë 43,5 për qind apo rreth 822 mijë votues.

Në konferencë për media, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pas mbylljes me kohë të të gjitha vendvotimeve në Kosovë, tha se tani ka filluar procesi i numërimit të votave.

“Ju njoftojmë se ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve. Anëtarët e këshillave të vendvotimit duhet të zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit me qëllim që vullneti i qytetarëve të respektohet”, tha Radoniqi, i cili falënderoi qytetarët dhe institucionet për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Radoniqi gjithashtu bëri të ditur se nga ora 19:00 ka filluar afati 24 orësh i ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me ecurinë e procesit të votimit.

Në këto zgjedhje gjithsej 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë kanë pasur të drejtë vote.

Këto zgjedhje për kryetarë të 38 komunave janë të pestat me radhë, ndërsa për anëtarët e Kuvendeve Komunale janë të shtatat me radhë, që nga mbajtja e parë e tyre në periudhën e pasluftës në Kosovë, në vitin 2000.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button