Studentët e Maqedonisë së Veriut çdo vit e më të interesuar për programin Erasmus+ (Infografik)

Erasmus+ është program i Bashkimit Evropian i cili e mbështet arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Pjesë e këtij programi janë edhe universitetet e RMV-së. Nga Agjencia Nacionale për Programe Studimore Evropiane dhe Mobilitet për Portalb.mk thane se interesimi i studentëve brenda vendit çdo vit e më shumë është në rritje për të marrë pjesë në këtë program.

Programi Erasmus+ u mundëson studentëve të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë të ndjekin një deri në dy semestra këmbimi apo dymbëdhjetë muaj praktikë në kompani apo institucione Evropiane. Gjatë kësaj periudhe, studentët marrin bursë financiare për t’i mbuluar harxhimet e tyre.

Në Maqedoninë e Veriut, institucioni i cili merret me programin Erasmus+ në nivel shtetëror është Agjencia Nacionale për Programe Studimore Evropiane dhe Mobilitet, që bën miratimin e bursave Erasmus+ të cilat ju jepen universiteteve, të cilat pastaj sipas rregullave të tyre bëjnë shpërndarjen e tyre te studentët e interesuar. Agjencia Nacionale është institucion publik i themeluar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qëllimi i këtij institucioni është të punojë në promovimin dhe zbatimin e programeve evropianenë fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sporteve në RMV.

Sa student nga universitetet shqiptare të RMV-së aktualisht e shfrytëzojnë këtë program gjatë vitit akademik 2021/2022, gjegjësisht në semestrin dimëror?

Portalb.mk bisedoi me tre kooridnatorët e programit Erasmus+ nga “Universiteti i Tetovës”, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore, të cilët thanë se interesimi i studentëve çdo vit e më shumë është më i lartë. Sipas të dhënave nga Agjencia Nacionale, në të gjithë universitetet në Maqedoninë e Veriut, për këtë vit akademik 2021/2022, gjegjësisht semestrin dimëror numri i studentëve që do e shfrytëzojnë këtë program është 517, gjegjësisht 352 për shkëmbime semestrale dhe 165 për internship/praktikë. Ndërkaq nga Universiteti i Tetovës edhe pse na premtuan se do na dërgojnë numrin e studentëve që e kanë shfrytëzuar programin Erasmus+ për vitin akademik 2020/21 dhe 2021/22, të njëjtët nuk na dërguan, ndërkaq sipas të dhënave të vetme në ueb-faqen e UT-së, mësojmë se numri për këtë vit akademik është mbi 50.

Sa i përket këmbimeve veç e veç nga universitetet, nga Agjencia Nacionale thane se nuk u lejohet t’i publikojnë ende sepse janë në fazën e komisionit të vlerësimit.

Numri i studentëve që e shfrytëzojnë këtë program në krahasim me vitin akademik paraprak është më i lartë. Viti paraprak akademik 2020/2021 ndikoi dukshëm në zvogëlimin e numrit të mobiliteteve të realizuara. Pandemia preku edhe programin Erasmus+ ku shumë këmbime dhe praktika u anuluan, madje në disa raste universitetet si në rastin e universitetit “Nënë Tereza” nuk dërguan dhe nuk pranuan asnjë këmbim gjatë vitit akademik 2020/2021.

Numri jozyrtar i mobiliteteve në RMV-së për vitin akademik 2020/21 është 180 studentë edhe përkundër kufizimeve në lëvizje si shkak i pandemisë, por ky numër thuhet të jetë më i madh pasi të jenë të dorëzuar të gjitha raportet përfundimtare nga universitetet.

Studentët të interesuar për Erasmus+

Nga Agjencia Nacionale për Studime Evropiane dhe Mobilitet, Aleksandar Bogojevski theksoi se interesi i studentëve është çdo vit më i lartë, me përjashtim të periudhës së pandemisë.

Bujar Sinani, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Duke pasur parasysh numrin e studentëve të regjistruar, mendoj se interesimi i studentëve është në rritje të vazhdueshme. Ne po punojmë në drejtim të promovimit të këtij programi dhe të gjitha aksioneve të tij, duke iu mundësuar studentëve të jenë pjesë e botës akademike në lëvizje”, tha Bujar Sinani nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare UEJL.

Të njëjtën thanë edhe nga Universiteti Nënë Tereza. Ky universitet që nga viti 2018 kur e ka fituar Charterin për programin Eramsus + nga Komisioni Euvopian, ka dërguar rreth 30 studentë ne mobilitet.

Shpresa Ademi, koordinatore e Erasmus+ nga UT tha se numri i studentëve të interesuar është shumë i lartë çdo vit, ndërsa shumë pak miratohen nga agjencioni.

“Për shembull para pesë viteve nuk ka pasur interesim, por tani ky interesim është rritur. Vitin e kaluar vetëm te Fakulteti i Mjekësisë kemi pasur 300 aplikime, shumë shumë është numri i madh.” tha Shpresa Ademi.

Agjencia Nacionale para disa kohëve bëri një analizë/pyetësor për studentët që kanë qenë në këmbim me programin Erasmus+ ku një nga pyetjet ishte nëse ata do ta realizonin përsëri këmbimin apo praktikën e tyre, 87% e studentëve u përgjigjën se do të ri-realizonin shkëmbimin e tyre.

Cilat janë përfitimet e programit Erasmus+, flasin studentët që e kanë përjetuar këtë eksperiencë 

Xheneta Aliji, studente
Xheneta Aliji, studente

Studentja Xheneta Aliji, e cila aktualisht është në këmbim në Stamboll tha se programi Erasmus është një eksperiencë shumë e bukur edhe pse ajo ka vetëm një muaj që është atje, ky program sipas saj ofron shumë mundësi të mëdha e të mira.

“Ne që jemi nga Tetova nuk e kemi shijuar shumë jetën studentore këtu, mund të themi që s’kemi jetë studentore dhe nuk e dimë si është të jesh larg familjes. Ky program na ofron shumë mundësi të tjera si njohja e kulturave të ndryshme, njerëz dhe miq të rinj nga e gjithë bota. Përfitimet janë shumë të mëdha, pasi kemi mundësi të jetojmë në një vend të huaj. Ne kemi mundësi të njohim veten më shumë dhe më mirë. Java e parë për mua ishe e rëndë pasi nuk kisha jetuar asnjëherë vet në një qytet tjetër, dhe mendoja të kthehesha prapë por e sfidova veten, që të qëndroj dhe ta realizoj ëndrrën time.” tha Xheneta Alilji.

Ard Hasanaj, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, studenti Ard Hasanaj, i cili sapo është kthyer nga këmbimi që kishte në Gjermani tha se ky program i ka dhënë një përvojë në shumë të madhe si në aspektin akademik po ashtu edhe në atë social.

“Jam shumë i lumtur që isha pjesë e këtij programi, përfitimet janë shumë të mëdha, si për shembull ë studiosh në një vend me kualitet të lartë të arsimit si është universiteti i Heidelbrgut, krijimi i shoqërisë së re, përmirësimi i gjuhës dhe shumë të tjera. Nuk është se ka qenë diçka shumë e vështir ose një sfidë shumë e madhe, problemi më i madh vetëm është se kërkojnë shumë dokumente, asgjë diçka ndryshe.” tha Ard Hasanaj.

Ndryshe, gjatë muajit prill të këtij viti, është shpallur zyrtarisht programi Erasmus+ për periudhën 2021-2027. Agjencia Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet (AKPAEM) kumtoi se programi Erasmus+ gjatë kësaj periudhe do të ketë buxhetin historikisht më të lartë prej 28,4 miliardë euro në nivel evropian dhe parashikon mbi 10 milionë pjesëmarrës.

LEXO: RMV, mundësi e madhe për studentët, çdo vit e më shumë të interesuar për Erasmus+ (Infografik)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button