fbpx

Sa kohë të mjera, sa njerëz të mjerë!

Analistë të shumtë evropianë dhe vendorë kanë paralajmëruar prej kohësh militarizimin e  Serbisë dhe fushatën e armatimit me aeroplanë, tankse, dronë dhe armë të tjera sulmuese ruso-kineze, me të cilat mund të ndezë konflikte më të rrezikshme se ato që ndezi para njëzet e sa vitesh. Dëshmi për këtë janë deklaratat e vazhdueshme të presidentit aktual serb, i cili e përsërit ditëpërditshëm gatishmërinë e ushtrisë për të aneksuar çdo pëllëmbë toke të konceptuar me kapadaillëk si zemra serbe, si Botë serbe, apo Serbi të madhe, krejt një. Kjo u pa qartë në provokimet e Vuçiqit në Jarinjë e Bërnjak në rastin e reciprocitetit të targave dhe së fundmi në rastin e arrestimit të trafikantëve serbo-shqiptarë që rrezikojnë sigurinë dhe dëmtojnë rëndë ekonominë e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Në të dy rastet parësia ligavece serbe e shndërruar në pion ruso-kinez, që i quan shqiptarët hyzmeqarë të SHBA-së, nxiti huliganët e paguar të veriut të Mitrovicës për trazira, ngritje barikadash dhe sulme ndaj forcave policore të Kosovës, kurse vetë paradoi kapadaishëm para ushtrisë dhe xhandarmerisë serbe në Rashkë, nën ritmin e këngëve çetnike të kënduara në kor, njësoj si në kohën e mësuesit të tyre kasap.

Mjerisht, disa krerë të BE-së sërish bënë sikur nuk i kuptuan alarmet e rreme të Vuçiqit për gjoja rrezikimin e serbëve nga ana e policisë së Kosovës, u shtirën sikur nuk e dinë se pushteti i papërgjegjshëm serb edhe aksionet e rëndomta të policisë së Kosovës i shfrytëzon si shkak se për ngritje tensionesh të kota, të cilat një ditë mund të dalin jashtë kontrollit. Kështu, në vend se t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë, që me konfliktet e nxitura në Mal të Zi, në Bosnje dhe në Kosovë po i sjell në kufijtë e Evropës armiqtë e saj, BE-ja fajëson Kosovën, e cila nuk guxuaka ta luftojë brenda territorit të vet as krimin e organizuar nga bandat kriminale të dirigjuara nga kreu i shtetit serb. Kjo mënyrë e sjelljes ndaj Serbisë shpërfaq dobësitë e Evropës, e cila vetëm së jashtmi duket unike.

S’ka dyshim se militarizimi serb mori hov pas tërheqjes së ushtrisë amerikane nga Avganistani, akt ky që u shfrytëzua nga propaganda serbo-ruse për gjoja nisjen e shkatërrimit të NATOS dhe dobësimit të SHBA-së. Por ajo që befason më shumë se dallaveret serbe janë deklaratat e disa liderëve opozitarë të Kosovës, të cilët veprimin legjitim të policisë së tyre e shohin me sytë e Vuçiqit: si provokim dhe demonstrim të panevojshëm force në veri të Kosovës për qëllime zgjedhore.

O tempora o mores! (Sa kohë të mjera, sa njerëz të mjerë!), do të thoshte Ciceroni për gjynahët tanë, që, edhe në momentet kur duhet të jenë një, bëjnë politikë meskine në dëm të atdheut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button