fbpx

Dita e parafundit e fushatës në RMV, partitë kanë vazhduar aktivitet parazgjedhore

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar aktivitetet e tyre parazgjedhore, në ditët e fundit të zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen këtë të diele, transmeton Portalb.mk.

Përveç kandidatëve për kryetarë të komunave, qytetarët duhet të votojnë edhe për listat e këshilltarëve të LSDM-së, bëri thirrje sot kreu i partisë Zoran Zaev, në një tubim parazgjedhor në Kërçovë.

“Zhvillimi dhe përparimi i komunave varet edhe nga këshillat vendorë. Le të mos lejojmë që këshillat të kopjojnë bllokadat e VMRO-DPMNE-së që i shohim në Parlament. Prandaj të dielën duhet të mbështesim listat e këshilltarëve të LSDM -së dhe koalicionit, listat e këshilltarëve që do të zbatohen dhe nuk do të bllokojnë projektet. Deri sa ne trajtonim probleme me dekada, ato i krijuan dhe i komplikuan ato. Ndërsa ne po investonim në komuna dhe qytetarë, ata kundërshtuan çdo masë që nënkuptonte më shumë para në familje “tha Zaev.

Udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickovski në një tubim në Makedonska Kamenica, akuzoi qeverinë për hipokrizi, duke theksuar se, ndërsa një klikë është e pasur, xhepat e njerëzve janë bosh.

“Inflacioni ha buxhetin e familjes, ndërsa xhepat e njerëzve të zakonshëm janë bosh, xhepat e qeverisë, të asaj klikë të ngushtë që erdhi në pushtet, po mbushen vazhdimisht” tha Mickoski, në tubimin e sotëm në Makedonska Kamenica.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nga Tetova foli për momentet që kanë bërë historinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ka paralajmëruar përkrahjen maksimale të tij dhe ekipit të ekzekutivit për çdo kryetar komune për suksesin e kapitullit të ri të agjendës së blertë proeuropiane.

“Unë dy kapituj i kam në jetën legale, një është i Marrëveshjes së Ohrit dhe i dyti kapitulli i blertë. Kapitulli i parë është ai që unë e kam bërë bashkë me shumë bashkëluftëtarë, por edhe bashkë me shumë shokë që si kam, të rënë nëpër beteja. Ai është një kapitull i veçantë dhe i papërsëritshëm për mua dhe për të gjithë ne që e krijuam dhe e bëmë atë histori. Kapitulli që hapim do përkushtim, do studiues, do njerëz të përgatitur, ato ne i kemi si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor. Kush ma mirë mund ta zbatojë e materializojë këtë agjendë, kush më mirë se fillimin e zbatimit të kësaj platforme mund ta bëj në nivel vendor, këtu në Tetovë sesa Teuta me përvojën dhe njerëzit që ka. Për këtë arsye edhe përcaktimi i qytetarëve është, i shumicës së tyre, që edhe për katër vitet e ardhshme ti prijë këtij misioni Teuta Arifi.” – potencoi Ahmeti.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në tubimin qendror në Gostivar, tha se nëse njësia matëse e politikës është Artoni, atëherë politika qenka pallaçllëk.

“E nëse vlera matëse e politikës është Artoni, atëherë politika qenka pallaçllëk dhe asgjë tjetër. Kur vlera matëse është Halili, kur vlera matëse është Afrimi, kur vlera matëse është Vjollca, e kur vlera matëse është Remziu, e Luli, Iseni, Albani, e kur vlera matëse është Arbeni, atëherë politika është nder dinjitet, guxim, përgjegjësi dhe mbi të gjitha është amanet, që ua lejnë fëmijëve në trashëgimi, për të qenë më e ndershme, më e ndritur, kjo ardhmëri”, ka deklaruar Sela.

Kryetari i Lëvizjes Besa, njëherit edhe kandidat për kryetar i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sonte nga Gostivari premtoi se kjo parti do të punojë shumë për këtë komunë.

“Lëvizja Besa promovoi programin më të mire zgjedhor për kryetarë të komunave, dhe kemi gjetur zgjidhje më të mira për banorët e gjitha komunave. E ardhmja e Gostivarit është numri 16. Gostivarit i duhet kryetar që di të menaxhojë me pushtetin lokal. Premtojmë zgjidhje per ujin e pijshëm, per kanalizime e për mbeturina e shumë gjëra tjera”, tha Kasami.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e mbajti sonte tubimin qendror në Tetovë, ku Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi theksoi se pas fitores së partisë shumë gjëra do të ndryshojnë.

“Në pesë vitet e fundit kemi kaluar një kohë të vështirë si parti, ky nuk është lajm i ri, ne vazhdimisht po kalojmë nëpër etapa. Unë jam këtu për t’ju falënderuar që votoni për PDSH-në. Plani i kundërshtarëve ishte shuarja e PDSH-së, t’i prehet koka, në mënyrë që shqiptarët në Maqedoni të ishin grupe të ndryshme. BDI dhe Ali Ahmeti kanë 20 vjet në pushtet, nuk do t’ju jap një argument tjetër, njerëzit tanë janë të dëmtuar nga pikëpamja ekonomike, ju e dini që shqiptarët në Maqedoni ishin ekonomikisht më të fortë se shqiptarët në Kosovë dhe shqiptarët në Shqipëri”, tha Thaçi.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button