SHBA rikthehet në Këshillin e diskutueshëm të OKB -së për të Drejtat e Njeriut

Shtetet e Bashkuara u zgjodhën për të shërbyer në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut gjatë mandatit të ardhshëm, duke filluar nga viti 2022.

Ky hap shënon një rikthim të Uashigtonit në këtë Këshill, pas një tërheqjeje në vitin 2018 me vendim të administratës së ish-Presidentit Donald Trump, transmeton VoA.

Të enjten, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi për 18 anëtarë të rinj që iu bashkuan Këshillit. Shteteve të Bashkuara iu nevojitej një shumicë e thjeshtë votash për t’u bërë anëtarë të Këshillit. Asnjë nga shtetet nuk u përball me ndonjë konkurrencë brenda rajoneve që ata përfaqësonin, çka e bënte rezultatin të dukej kryesisht si i paracaktuar.

Mes shteteve që kandiduan ishin Argjentina, India, Lituania, Katari dhe Somalia. Disa prej kandidatëve ishin më të diskutueshëm se të tjerët, për shkak të historisë së tyre me respektimin e të drejtave të njeriut.

Disa diplomatë thonë se këshilli ka nxjerrë disa raporte të rëndësishme dhe të forta mbi krimet e luftës në vende si Siria, si dhe ka vënë në pah abuzimet që ndodhin në vende si Korea e Veriut, Irani e Mianmari. Por Këshilli kritikohet shpesh se e përqëndron vëmendjen tek Izraeli dhe për përfshirjen në gjirin e tij të disa vendeve me historik problematik në raport me të drejtat e njeriut, si Kina, Rusia dhe Pakistani.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut u krijua në vitin 2006 për të zëvendësuar Komisionin jofunksional të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, i cili u shpërbë. Administrata e ish-Presidentit amerikan George W. Bush vendosi të mos i bëjë Shtetet e Bashkuara anëtare të tij dhe Uashigtoni nuk iu bashkua këtij organizmi deri në vitin 2009, kur administrata e Presidentit Barack Obama tha se kërkonte ta përmirësonte këshillin duke punuar nga brenda. Uashingtoni u tërhoq sërish nga ky këshill në 2018 gjatë administratës Trump.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button