SHBA Iranit: Koha po mbaron për rikthimin tek bisedimet bërthamore

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se koha po mbaron që Irani të rikthehet tek negociatat e Vjenës për ri-aktivizimin e marrëveshjes bërthamore dhe se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të marrë në konsideratë opsione të tjera, nëse Irani refuzon të negociojë me mirëbesim. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine.

Irani ishte fokusi i bisedimeve të mërkurën në Departamentin e Shtetit mes Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe homologëve të tij nga Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Zoti Blinken tha se gjatë nëntë muajve të fundit, administrata e Presidentit Biden e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara do t’i riktheheshin zbatimit të plotë të marrëveshjes bërthamore, nëse Irani do të bënte të njëjtën gjë. Tashmë ai thotë se koha po mbaron.

Nuk do të vendos një datë të caktuar, por me çdo ditë që kalon dhe me refuzimin e Iranit për t’u angazhuar në mirëbesim, hapësirat po ngushtohen”, tha Sekretari Blinken.

Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid paraqiti një pamje më të zymtë, duke thënë se Irani është pranë sigurimit të armëve bërthamore.

Nëse iranianët nuk besojnë se bota dëshiron seriozisht t’i ndalë, ata do të nxitojnë drejt bombës bërthamore. Izraeli rezervon të drejtën për të vepruar në cilindo moment dhe me çfarëdo mënyre”, tha zoti Lapid.

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara ende besojnë se marrëveshja bërthamore vazhdon të jetë mënyra më efikase për t’u përballur me sfidën që paraqet Irani, por se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të marrin në shqyrtim opsione të tjera, nëse Irani refuzon të negociojë. Zoti Lapid tha se opsionet e tjera ishin pikërisht në zemër të bisedimeve që u zhvilluan të mërkurën.

Për muaj të tërë, Shtetet e Bashkuara së bashku me fuqitë e tjera u përpoqën të shpëtonin marrëveshjen e vitit 2015, nëpërmjet bisedimeve indirekte në Vjenë. Por, bisedimet ngecën dhe disa vëzhgues thonë se mundësitë duken edhe më të pakëta me ardhjen e një udhëheqjeje të re në Teheran. Presidenti iranian Ebrahim Raisi thotë se programi bërthamor i Iranit është paqësor dhe ka kritikuar sanksionet amerikane ndaj Teheranit si një mënyrë e re për të bërë luftë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button