Rusia për tensionet në veri: Kosova po provokon përplasje të hapur

Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar për situatën e shkaktuar të mërkurën në veri të Kosovës pas aksionit të Policisë së Kosovës për të luftuar kontrabandën, raporton Koha.net.

Dje Policia ndërmori aksion në disa komuna të Kosovës duke arrestuar disa qytetarë për kontrabandë me mallra. Aksioni, që përfshiu edhe komunat në veri të vendit, u përcoll me tensione pasi që qytetarët atje kundërshtuan aksionin. Si pasojë e përplasjes, lëndime pësuan disa policë.

Aksioni nxiti reagime edhe nga Serbia që nëpërmjet presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi Kosovën. Tani, MPJ-ja ruse ka thënë se Kosova po provokon rrëshqitje në përplasje të hapur.

Në një komunikatë për media, Rusia ka thënë se Policia e Kosovës shkeli marrëveshjen e arritur disa javë më herët në Bruksel pas bllokadave në kufij për shkak të reciprocitetit për targa.

“Jemi dëshmitarë të mosgatishmërisë së shqiptarëve të Kosovës për të hequr dorë nga planet e tyre agresive që synojnë pastrimin e këtij territori nga banorët joshqiptarë duke krijuar kushte të padurueshme të ekzistencës për ta”, thuhet në reagim.

Madje Rusia ka thënë se aksioni ishte më shumë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit për të “marrë avantazh forcat ultra-nacionaliste”.

“Do të donim ta paralajmëronim Prishtinën se politika e saj, e kombinuar me reagim të paqartë të sponsorëve të saj të jashtëm, në mënyrë të pashmangshme po provokon rrëshqitje në përplasje të hapur dhe po shkatërron parakushtet për vazhdim të dialogut, tashmë të ngecur mes palëve”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, Rusia ka kërkuar nga KFOR-i të implementojë Rezolutën 1244 duke e konsideruar përgjegjëse për mirëmbajtje të sigurisë dhe paqes në rajon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button