Të trajtohemi si vlerë, e jo si portofol me euro e dollarë

Neviana Shehi është lindur në Durrës ku mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, kurse në Berlin atë sipëror. Deri më tani ka botuar katër vëllime me poezi: “Vjeshtë fatesh” (Klubi i Poezisë, Tiranë), “Përtej valëve” (Klubi i Poezisë, Tiranë), “Burri netëve të mia” (Armagedoni, Prishtinë) dhe “Deti i natës (Konica, Shkup). Poezitë e saja janë përkthyer në italisht, gjermanisht, greqisht dhe rumanisht. Neviana Shehi ka më shumë se 20 vjet që bashkë me familjen që jeton në Itali.

Më poshtë mund të lexoni një intervistë të shkrimtares të realizuar nga faqja për kulturë, art dhe letërsi Hejza.

HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e përmallime, lemeritur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motivi krijues, apo është ai fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë. Dikur, krijuesit nga diaspora, shqetësimet letrare, si rrjedhojë e rebelimit shpirtëror anti-pushtet (disidenca), i orientonin në krijimin e kryeveprave në letërsinë tonë shqiptare, sot këtë gjë e bëjnë me qejf për ta përcjellë traditën e prurjeve të reja në letërsi dhe, përgjithësisht, në kulturë! Apo ndoshta, tashmë, ky vlerësim është demode, sepse, shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!

SHEHI: Është ashtu siç thoni ju. Sot, në kohën e globalizmit, një krijues i mirëfilltë është në gjendje të krijojë kudo që shkon një “atdhe” të dytë. Personalisht, Italinë, vendin ku jetoj dhe punoj, krahas atdheut tim të gjakut, për shumë arsye më duhet ta konsideroj si një atdhe të dytë. Por, në atdheun tim të gjakut, e kam shpirtin e zemrën, kurse në atdheun e dytë jetoj vetëm fizikisht. Për dallim prej Rilindësve tani të shquar që jetuan dhe vepruan jashtë vendlindjes së tyre (akoma nuk e kishin shtetin), e të cilët kishin mision dhe vizion të qartë: ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe bërjen e shtetit, sot gjendje është krejtësisht ndryshe. Sot, kur gjithandej janë të hapura portat e demokracisë, edhe disidenca ka humbur kuptimin. Të pretendosh të bëhesh disident në një vend me demokraci, qoftë ajo edhe demokraci e zbehtë, do të thotë të marrësh rolin e Don Kishotit, përkatësisht t’i sfidosh mullinjtë e erës. Sot shqetësimet e krijuesve të diasporës janë pothuaj të njëjta me ato të shteteve shqiptare. Sot, fatkeqësisht, jeta është bërë aq dinamike, sa që kam bindjen, se po vdesin edhe nostalgjitë tona, ndonëse malli ynë për atdheun akoma bën jetë të dhimbshme. Ndaj dhe temat tona të shprehura, mendoj në poezi, janë po ato që, poshtë lartë, shprehen pothuaj në gjithë botën letrare. Një shkrimtar duhet të dijë ta orientojë krijimtarinë edhe drejt sendeve dhe elementeve që përbëjnë përditshmërinë dhe të ardhmen e tij. Ma merr mendja se secili shkrimtar i diasporës thjeshtë mëton të kontribuojë në ngritjen dhe pasurimin e letërsisë sonë, duke përfshirë edhe përpjekjen për prurje të reja.

HEJZA: Gërshetimi i kulturës hispane me kulturën e indigjenëve përgjatë kolonializmit të “kontinentit të ri” (Amerikës), solli deri te “lindja e madhe” e Letërsisë Hispano-amerikane, e cila, botës letrare i dhuroi kryevepra të paarritshme, nxori një plejadë shkrimtarësh mbase të papërsëritshëm ndonjëherë! Mund të vërehet ndonjë element i tillë gërshetues te krijimtaria letrare e krijuesve tanë në diasporë?

SHEHI: Letërsia hispanike është një letërsi e madhe dhe tronditëse. Elementet e saj magjike ndërthurur me situatat alogjike kanë bërë letërsinë e realizmit magjik kaq të njohur dhe kaq rrezatuese në mbarë letërsinë botërore. Përfaqësues të tillë të saj, si Gabriel Garsia Markez, Karlos Fuentes, Hulio Kortasar, Huan Rulfo, Vargas Llosa, Ernesto Sabato e deri tek Isabelle Alende, tashmë janë kaq të njohur dhe të dashur. Unë jam njohur me disa nga këta përfaqësues, duke i lexuar jo vetëm në shqip nëpërmjet përkthimeve të mira, por edhe në italisht e gjermanisht dhe jam mrekulluar. Nuk mund të them me saktësi se kush nga krijuesit tanë ka shkruar në këtë frymë, të realizmit magjik. Duhet thënë se ne shumë pak kemi marrë nga mitologjia jonë apo krijimtaria popullore që është aq e begatë. Letërsia hispanike është shumë e pasur me elemente mitologjike të Amerikës Jugore. Mjaftoi që të shpërthejë, bie fjala, një Borhes, i cili pastaj pas vetes tërhoqi edhe shumë emra të shquar që e bënë këtë letërsi të veçantë. Kurse te ne është ndryshe, te ne mbretëron logjikë tjetër fare, logjikë egoiste, secili mendon për vete. Mbase, në këtë drejtim, na mungon edhe organizimi institucional, bie fjala përkthimi i shkrimtarëve shqiptar në gjuhë të huaja. Letërsinë hispanike e pasuruan dhe e ngritën në piedestal pikërisht këta shkrimtarë, por edhe shumë të tjerë që e krijuan një ambient të pasur letrar, përmes botimeve dhe debateve të ndryshme. Ndërkaq te ne ka vetëm rrënues të ambienti tonë letrar të brishtë, që fatkeqësisht reflektohet edhe në diasporë.

HEJZA: Është më me vlerë ndjekja e traditës për të sjellë “krijime unikale”, apo të bëjmë përpjekje që letërsinë tonë ta sjellim në gjuhën e popujve me të cilët bashkëjeton diaspora jonë! Sa stimulohet përkthimi, a kemi përkthyes të mirëfilltë në diasporë. Bibliotekat si dhe libraritë tona, gjithandej viseve etnike, po “gogësijnë” nga veprat e përkthyera nga letërsia botërore. Apo ndoshta ndani mendimin se çështja e përkthimit të veprave tona nga shqipja në gjuhë të ndryshme, është problem që duhet ta zgjidhin ekskluzivisht institucionet tona qeveritare dhe nacionale!

SHEHI: Çdo letërsi, për mendimin tim, duhet ta krijoje veten mbi bazën e traditave dhe karakteristikave të kombit të saj. Të mendosh shqip e të shtiresh se je italian, anglez apo gjerman, kjo vërtet është absurde. Prandaj këtu vjen në ndihmë përkthimi. Tendencat për një letërsi të tillë, e dalë nga shinat, nuk mund të jetë e vërtetë asnjëherë. Shembulli i letërsisë hispanike që e përmendëm pak më parë, është shumë sinjifikativ. Një shkrimtar që nuk arrin të përcjellë kodet morale dhe shpirtërore të kombit të tij, nuk mund të jetë kurrë as kozmopolit. Jam për atë që letërsia shqipe, përfshi edhe atë që krijohet në diasporë, me veçantitë e saj të prezantohet edhe në gjuhët e popujve të tjerë. E thashë në përgjigjen e pyetjes paraprake se na mungon organizimi institucional. Nëse kemi shkrimtarë të mirë në diasporë, atëherë nuk kemi arsye të themi se nuk kemi përkthyes të mirë. Në fakt, kjo është dëshmuar përmes përkthimit të disa shkrimtarëve tanë edhe në gjuhën italiane. Vetëm përmes organizimit institucional ne mund të arrijmë që denjësisht ta promovojmë letërsinë tonë në gjuhë të huaja. Mjafton të angazhohen përkthyesit shqiptarë që prej vitesh jetojnë gjithandej Evropës, por edhe përtej Atlantikut, dhe suksesi do të jetë i dukshëm. Fatkeqësisht, në Shqipëri nuk stimulohet përkthimi, nuk vlerësohet përkthyesi dhe as puna e tij. Kam bindjen se institucionet përkatëse bëjnë gjumin e ariut dhe çështja e përkthimit i është lënë rastësisë. Kjo është shumë e trishtë.

HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës! Shtëpitë tona botuese që i kemi me bollëk, dinë gjë për këta shkrimtarë, apo nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmëri për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një “korrupsion kulturor”, i cili duhet të ndiqet, madje edhe me mbyllje të shtëpisë botuese, nga organet respektive shtetërore?

SHEHI: Raporti, të cilin Ju e theksoni me të drejtë, pra i atdheut me krijuesit shqiptarë në diasporë, mjerisht është zero. Natyrisht që nuk mund të presësh raporte pozitive kur shoqëria jonë nuk vlerëson dhe stimulon krijuesit që jetojnë në kufijtë e mbijetesës brenda kufijve shtetërorë të saj. Një krijues letrar sot për sot nga atdheu konsiderohet si një apendiks dhe përbuzet. Njoh shumë prej tyre që janë në kufijtë e mbijetesës. Ndërkaq, sa u përket shtëpive botuese, interesi i tyre për krijuesit e diasporës është në shkallë minimale. Mungon humanizmi dhe shpirti inkurajues. Një krijues diaspore shihet vetëm si një portofol i mbushur plot euro ose dollarë dhe aspak si një vlerë krijuese. Shtëpitë botuese rrallë herë kanë shprehur gatishmëri financimi. Mund të ketë ndonjë rast të rrallë ku bëj pjesë edhe unë, por përgjithësimi nuk vlen. Por, se ka të tillë që vetë e financojnë botimin, kjo nuk është aspak fshehtësi. Se a është ky “korrupsion kulturor”, mbetet ta vlerësojë ndërgjegjja e atyre që merren me këtë. Mbase, edhe kjo është pasojë e një logjike të çoroditur që është krijuar në raport me diasporën shqiptare, e cila edhe përkundër transferimit të majmë të parave në atdheun e origjinës, po nga ky atdhe me asgjë nuk vlerësohet në planin e shpirtërores. Edhe kjo flet mjaftueshëm…

HEJZA: A e ka thënë akoma fjalën e vet kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë. Apo, janë dy vlera që po ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy!

SHEHI: Në rastin e pyetjes suaj, dua të pohoj se në Shqipëri ka kohë që mungon kritika e mirëfilltë letrare dhe kjo gjë i është lënë tërësisht spontanitetit. Kjo ka bërë që detyrën e kritikës ta ushtrojnë disa sharlatanë dhe shkarravitës të rëndomtë. Në fakt, më shumë kemi kritikë aksidentale, kritikë të porositur, pastaj kritikë që blihet ose shitet, gjithnjë me lek, me marrëveshje paraprake, kurse ata që duhet ta ndalojnë këtë anomali të rrezikshme, thjeshtë i mbyllin sytë. Shumica e teksteve që konsiderohen si kritikë, u ngjajnë këngëve tallava. Të shesësh veten për një dorë lekë, duke ngritur në piedestal antivlerat, është një krim që i bëhet letrave tona. Është shumë e turpshme. Me një qasje të këtillë natyrisht se kritika letrare dhe krijimtaria e diasporës kurrë nuk do të takohen, pavarësisht se edhe krijuesit e diasporës, ngjashëm me të gjithë ata që fati i shpërndau gjithandej viseve të botës, shihen vetëm si euro apo dollarë. Ky përçmim nuk do të ndalojë derisa nuk ngritën ata që duhet ta thonë të vërtetën dhe t’i thonë stop mafies letrare.

HEJZA: Antologjitë e më hershme të poezisë, por edhe të tregimit shqiptar, nuk janë llogaritur si të “kompletuara” pa përfshirjen e autorëve shqiptarë të diasporës! Sa vend zënë sot krijuesit nga diaspora nëpër antologjitë e tilla bashkëkohore? Apo nuk njihen fare nga hartuesit e antologjive, aq më pak nëse nuk paguajnë për përfshirje!

SHEHI: Ne ende nuk kemi të përpiluar shkencërisht një Antologji të vërtetë letrare, qoftë në poezi, qoftë në prozë dhe ky është një defekt i dukshëm. Ashtu si në shumë gjëra të tjera, edhe hartimi i antologjive ka nxjerrë në pah shumë anomali (ato që janë botuar gjer më tani nuk mund të quhen të tilla, pasi janë hartuar mbi baza nepotike, klanore ose për qëllime fitimi pasi janë lënë jashtë shumë poetë të mrekullueshëm. Mjafton te përmendim faktin që në një të ashtuquajturën antologji, që u be objekt diskutimi nga ana e HEJZA-s, përveç disa emrave nga atdheu, si Dhimitër Pojanaku, Agim Mato, Hamit Aliaj etj., që janë dalluar në vite për veçantitë e stilit dhe gjuhën poetike, mungonin shumë emrash të shquar të diasporës, si Gëzim Hajdari, Roland Musta, Grigor Jovani, Skender Buçpapaj,Vaid Hyzoti, Petraq Risto, Shqiponja Axhami, Herman Çuka, Pemza Peso, Fiqirete Kukli e shumë të tjerë, ndërkaq hapësirë iu dha emrave që nuk kanë asnjë lloj vlere poetike). Nga zëra të ndryshëm kam dëgjuar se e vetmja vlerë e tyre antologjike, qenkan favoret sentimentale dhe pagesa e bërë nën dorë në drejtim të hartuesit të këtyre antologjive. Në fakt, të përpilosh një antologji, do të thotë të marrësh një përgjegjësi të madhe. Habitem se si disa individë marrin guximin dhe me aq lehtësi i përpilojnë antologjitë. Ashtu siç po bëhen antologjitë, shumë më të lumtur duhet të jenë ata që e meritojnë, por që nuk përfshihen në to.

HEJZA: Jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?

SHEHI: Sot në fakt shkruhet shumë, deri në tepri. Gazetat, portalet dhe profile të ndryshme në FB janë të mbushura sidomos me poezi etj. Dhe kjo ndoshta është e natyrshme për një popull si yni. Në kohë depresionesh ekonomike dhe morale, thuhet se njerëzit kthehen të gjithë në “poetë”, sepse të shkruarit, kam dëgjuar, se i ngjet valvulave shkarkuese të emocioneve dhe anktheve njerëzore. Por, jo gjithçka që shkruhet ka vlerë. Për t’iu përgjigjur më direkt pyetjes suaj, mund të them se jeta letrare e vërtetë e shqiptarëve, kudo ku janë, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe diasporë, ka një zgjim të dukshëm dhe admirues. Ka më shumë gjallëri dhe një laryshi veprash letrare të gjinive të ndryshme, me shumë firma krijuese, kulturë perëndimore, prirje moderniste dhe shkolla arti që po evidentohen nga dita në ditë. Në këtë shumësi botimesh, nuk gabojmë nëse themi se ka edhe anarki. Nga e gjithë kjo që u tha, ma merr mendja se kemi nevojë për një rend, kemi nevojë të ndahet vlera nga jo vlera, kemi nevojë të flasin institucionet përkatëse, kemi nevojë të zgjohet kritika dhe në fund, kemi nevojë të themi të vërtetën…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button