Borrell në shënjestër të kritikave për reagimin ndaj Kosovës

Në Prishtinë dhe tek një pjesë e komunitetit ndërkombëtar ngjalli reagime deklarata e kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili në thirrjen e tij për ndaljen e akteve të dhunshme në veri të Kosovës, u shpreh edhe mbi “veprimet e një anshme dhe të pakoordinuara që vënë në rrezik stabilitetin janë të papranueshme”.

Kjo deklaratë nga autoritetet e Prishtinës u interpretua si një kritikë e Borrellit, për aksionin e policisë së Kosovës kundër kontrabandës me mallra në veri të Kosovës. Ky aksion u shoqërua nga një rezistencë e ashpër e serbëve lokalë, ku si pasojë 8 policë dhe 10 qytetarë u lënduan, pati shkrepje armësh zjarri në drejtim të policisë, u përdor gazi lotsjellës dhe u sulmuan edhe mediet që raportonin nga vendi i ngjarjes, shkruan DW.

“Incidentet e dhunshme në veri të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që vënë në rrezik stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin”, shkroi Josep Borrell në Twitter.

Reagimi nga Kosova – Krimi nuk ka etni

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në reagimin e saj për aksionin e policisë kundër kontrabandës me mallra, tha se “krimi s’ka etnitet dhe se kushdo që e kundërshton aksionin e policisë është në anën e krimit të organizuar”. “Lufta kundër krimit të organizuar është e panegociueshme dhe duhet të jetë e pakompromis. Policia e Kosovës dhe Autoritetet e Doganave ndërmorën një aksion legjitim kundër grupeve të organizuara kriminale të përfshira në kontrabandë, në disa lokacione në Republikën e Kosovës. Krimi s’ka etnitet dhe duke e lidhur në mënyrë false aksionin e sotëm me grupe etnike është thellësisht e papërgjegjshme dhe do të shërbejë vetëm për rritjen e tensioneve. Kushdo që është kundër këtij aksioni është në anën e krimit të organizuar dhe është kundër vlerave të sundimit të ligjit të BE-së”, shkroi Presidentja Osmani.

Edhe kabineti i kryeministrit Albin Kurti tha se “luftimi i krimit dhe kontrabandës është kompetencë e shtetit sovran”. “Andaj, askush, dhe në veçanti asnjë zyrtar i nivelit të lartë të BE-së, nuk duhet të përpiqet ta bëjë këtë problem politik apo etnik, dhe asnjë koordinim bilateral s’është i rëndësishëm në këtë rast, sepse luftimi i krimit dhe kontrabandës është kompetencë tipike e një shteti sovran”, shkroi Luan Dalipi shef i kabinetit të kryeministrit Kurti.

Ambasada amerikane: E papranueshme dhuna ndaj autoriteteve, mediave, qytetarëve

Edhe ambasada amerikane në Prishtinë u rreshtua në anën e policisë së Kosovës dhe aksionit të tyre  kundër kontrabandës. Zëdhënësi i ambasadës, Eric Brassil, ka thënë se “ambasada amerikane e cilëson të papranueshme dhunën ndaj autoriteteve, mediave ose qytetarëve”. “SHBA është e shqetësuar nga përgjigja që iu dha sot aksioneve për zbatimin e ligjit të Kosovës në territorin e Kosovës. E gjithë dhuna e drejtuar qoftë ndaj autoriteteve, mediave ose qytetarëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht deri në zbatimin e plotë të ligjit”, tha zëdhënësi Brassil.

Reagim më të ashpër në drejtim të kreut të diplomacisë evropiane Josep Borrell bëri eurodeputetja gjermane, Viola Von Cramon, e cila tha se “Borrell duhet të kritikojë shtetet, ku sundimi i ligjit nuk po implementohet”. “Ju lutemi kritikoni vendet ku sundimi i ligjit nuk zbatohet. BE duhet të mbështesë vendet që luftojnë Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin. Institucionet shtetërore që bëjnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i lehtësuar nga BE nuk ka të bëjë me operacionet e përditshme të policisë”, shkroi Viola Von Cramon në Twitter.

Rohde: Jo krahasime me natën e kristaltë

Një krahasim i shefit të Listës Srpska Goran Rakiq i cili tha se në veri të Kosovës po ndodh si “Nata e kristaltë”, nxiti reagimin e menjëhershëm të ambasadorit gjerman në Kosovë, Jörn Rohde. Përmes një shkrimi në Twitter, Rohde tha se “është i papranueshëm krahasimi i aksionit të policisë në veri me natën e kristaltë”. “Ndaloni! Krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me “natën e kristaltë” është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt rrëfimeve të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. Mbroni Faktet”, shkroi ambasadori Rohde në Twitter.

Situata në veri të Kosovës të enjten, një ditë pas aksionit të policisë kundër kontrabandimit me mallra paraqitet e qetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button