Qeveria ndau 23 milionë euro për përfundimin e teatrit dhe bibliotekës në Tetovë, pritet të përfundojë në vitin 2025

Objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet thuajse njëmbëdhjetë vite. Punët për të vazhdimisht janë zvarritur. Qeveria së fundmi ka ndarë 23 milionë euro për fazën e dytë gjegjësisht për pajisjet e brendshme të objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Punimet për këtë faze do të kryhen nga “NB Company” nga Tetova dhe “Pelagonija” nga Gostivari, me të cilët dje u përurua marrëveshja e fillimit të punimeve. Punimet pritet të përfundojnë në vitin 2025. Nga ana tjetër, teatri dhe biblioteka aktuale janë në gjendje të mjerueshme, shkruan Portalb.mk.

Faza e parë e punimeve, gjegjësisht punimet e ndërtimit për objektin e teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovë kanë mbaruar. Qeveria e RMV-së në 4 vitet e ardhshme do të japë 23 milionë euro për pajisjet e brendshme të objektit të teatrit dhe bibliotekës së re të Tetovës. Në fazën e dytë objekti do të pajiset me mjete të interiorit, infrastrukturës si dhe me mjete audiovizuale të teknologjisë më të fundit.

Drejtori i Pallatit të Kulturës, Arlind Huseini tha se projekti për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës në Tetovë është një ndër projektet më madhështore si nga puna e realizimit ashtu edhepër nga kostoja e ndërtimit.

“Kemi arritur të finalizojmë rë gjitha procedurat për realizimin e punimeve. Për fazën e dytë të interierit shpallëm , prokurim publik me procedurë të hapur ndërkombëtare, duke respektuar të gjitha afatet ligjiore. Si ofertues më i volitshëm për realizimin e punimeve nga prokurorimi publik u zgjodh grupi i ofertuesve “NB Company” -Tetova dhe “Pelagonija” -Gostivari, me të cilën sot zyrtarisht do të lidhet edhe marrëveshja për fillimin epunimeve. Poashtu në rrjedhë e sipër është edhe procedura për zgjedhjen e mbikqyrësit i cili do ta bëjë mbikqyrjen e realizimit të punimeve. Mjetet për realizimin e projektit janë të siguruara me vednim të Qeverisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut përmes programit të Ministrisë së Kulturës. Faza e dytë do të kushtojë 1 miliard e 420 milionë denarë ose rreth 23 milionë euro. Pagesa e realizimit do të bëhet në faza, deri në fund të vitit 2025, që është edhe viti i fundit që duhet të përfundhet i gjithë projekti. Sot zyrtarisht nënshkruhet kontrata me vlerën më të lartë monetare në vendin tonë për vitin 2021. ” tha Arlind Huseini, drejtor i Pallatit të Kulturës, Tetovë.

Rikujtojmë se në fund të gushtit, drejtori i Teatrit të TetovësBekim Smaili dhe drejtoreshën e bibliotekës “Koço Racin” , Rezarta Dervishi se janë në pritje të fillimit të fazës së dytë të punimit për objektet e reja, që sipas tyre priteshin të përfundojnë deri në vitin 2023-2024. Ndërkaq tani thuhet se objekti pritet të përfundojë deri në vitin 2025. Edhe pse ka kohë deri atëherë, teatri dhe biblioteka vazhdojnë të kenë vështirësi të mëdha.

Zëvendësministri i Kulturës Sedat Sulejmani, në një intervistë për Portalb.mk në lidhje me rrjedhën e punëve për ndërtimin e teatrit të ri në Tetovë tha se gjasat janë të mëdha që ky objekt të jetë gati në fund të vitit 2023.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.

Me ndërtimin e kësaj qendre do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh. Me këtë, Tetova do të ketë një nga objektet më të shtrenjta në vend në fushën e kulturës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button