fbpx

Panelistët në samitin e BP në Shkup: Nevojitet që të nxitet procesi i zgjerimit të BE-së

Nevojitet që përsëri të nxitet dinamika e procesit të zgjerimit përkatësisht fillim i ri i zgjerimit që të mundësohet plotësim i përmbushjeve të premtimeve të rajonit në raport me integrimin e tij në BE. Nevojiten veprime në terren që të vërtetohet porosia se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është zgjedhje e përbashkët strategjike. Kjo u theksua në panelin “Vizioni për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor – Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor: pse ajo është kritike për ardhmërinë e Evropës?” në kuadër të samitit të dytë për Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet sot në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Ish kryeministri grek, Jorgos Papandreu, në video – paraqitjen e tij në forum, tha se tani perceptimi i shumicës është se ka ngadalësim të procesit.

Sipas tij, jo vetëm Ballkani Perëndimor, por edhe Ballkani më i gjerë edhe përkundër konflikteve në të kaluarën, çdoherë ka pasur vizion historik të punës së përbashkët dhe duhet të punojnë së bashku, të bëjmë reforma demokratike dhe ndryshime që të mbesim një rajon prosperues.

“Megjithatë, nuk jam i sigurt se ajo mund të bëhet realitet së shpejti. Mendoj se, kjo është përgjegjësi shumë e madhe historike e BE-së. Popujt në këtë rajon me të vërtetë dëshirojnë shoqëri demokratike ballkanike, bashkëpunim, paqe dhe prosperitet. Ajo që mund të bëjë BE është të garantojë dhe të thotë se ekzistojnë pikëpamje dhe udhërrëfyes të qartë dhe ja si do të ecim përpara. Në atë mënyrë, të nxitet përsëri dinamika, e cila është e nevojshme dhe për të cilën flasin shumica nga kryeministrat”, deklaroi Papandreu.

Foto: Ambasadori i BE-së David Geer në Twitter

Euroambasadori, David Geer tha se, Samiti BE – Ballkani Perëndimor në Bërdo, mundësoi përsëri të konfirmohet porosia se, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor është zgjidhje e përbashkët strategjike. Ai tha se, rishikimi i kornizës negociuese është me rëndësi vitale që të sigurohet stabilitet në BE dhe rezistencë të vet vendeve me qasjen e tyre.

“Kjo kërkon që partneret të jenë të vendosur në zbatimin e reformave të kërkuara në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa nga BE kërkon që ato të vazhdojnë të demonstrojnë se qasja e tyre është e bazuar ndaj performancave të përmbushura. Është shumë e rëndësishme të fillojnë negociatat për qasje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sepse që të dy vendet kanë përmbushur reformat dhe BE është e përkushtuar në këtë nga marsi i vitit 2020. Gjithashtu, është në interes të BE-së, të përgjigjen në pajtueshmëri me pritjet. Duhet të punojmë në realizimin e këtyre qëllimeve, sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi Geer.

Ndërkaq, ish zëvendëskancelari gjerman dhe ministër i Jashtëm, Joshka Fisher tha se, nuk ka dyshim që Ballkani Perëndimor e ka vendin në Evropë, por BE momentalisht është në një situatë të ndërlikuar, e përballur me një sërë sfidash të brendshme si Polonia dhe Hungaria, Brexit, çështja e Irlandës Veriore dhe ajo e bllokon procesin e zgjerimit.

Foto: Ambasadori i BE-së David Geer në Twitter

Sipas tij, kjo ofron mundësi që së bashku me politikanët e rajonit të punojnë së bashku në procesin e zgjerimit si proces i stabilitetit.

“Na nevojitet fillim i ri i procesit të zgjerimit dhe ajo duhet të ndërlidhet me çështjen e autonomisë strategjike. Ajo do t’i jap dyert në strukturën mendore të evropianëve. Kështu që, nuk jam pesimist, duhet të thuhet qartë BP e ka vendin në Evropë dhe pikë. E dyta, duhet me të vërtetë të punojmë me këmbëngulje dhe t’i shfrytëzojmë të gjitha përfitimet nga procesi qasës në aspektin ekonomiko – politik dhe shoqëror. Dhe e treta, nuk është e mençur që të hapen dyert për aktor joevropian si Kina. Ajo mund të jetë përfitim në afat të shkurtër, por në afat më të gjatë do ta zbehë procesin e zgjerimit. Në atë lojë mes Kinës dhe Perëndimit në afat të gjatë ajo mund të jetë mjaft e rrezikshme për qasjen drejt BE-së. Nuk duhet të jemi pesimist, ka shumë arsye për optimizëm”, tha Fisher.

Sipas zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, është pranuar porosi shumë e qartë nga samiti në Bërdo, se BE është e përkushtuar në procesin e zgjerimit dhe në vendimet të cilat kanë qenë aty dhe janë miratuar. Sipas tij, për kthimin e besimit te njerëzit se zgjerimi është i mundur të ndodhë, nevojitet aksion.

“Nuk është fer të akuzohet BE për këtë, sepse ai është mekanizëm kompleks. Ka 27 anëtare dhe nevojitet vetëm një vend që të pengojë miratimin e ndonjë vendimi në raport me zgjerimin. Vlerësoj se që të hapim këtë kapitull të ri, të kthehet momentumi i Ballkanit, nevojitet që fqinjët nga Sofja ta ndërmarrin obligimin e tyre”, tha Dimitrov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button