Koha

Stephen Hawking flet për kohën në librin e tij “Një histori e shkurtër e kohës”, një libër fenomenal, i njohur botërisht. Mjeshtria e tij qëndron në mundësinë për të përshkruar procese të komplikuara të fizikës me një thjeshtësi të admirueshme, që edhe laikun e bëjnë të reflektojë mbi zgjerimin e universit dhe mbi vrimat e zeza. Është vërtet mbresëlënëse të vrojtohet reflektimi i mendjes së ndritur të një njeriu që gjatë gjithë jetës së tij ka vuajtur nga probleme komplekse shëndetësore të cilat e kanë pamundësuar të flasë dhe të shkruajë, e megjithatë, ai ka arritur të krijojë një trashëgimi teorish që bota nuk arrin as t’i kuptojë.

Perceptimi i Hawkingut për kohën është vërtet mahnitës. Njeriu është mësuar të mendojë për kohën dhe hapësirën si koncepte absolute dhe të pandryshueshme, por ja që Hawking, duke shpjeguar teoritë dhe ligjet e lëvizjes të Njutonit dhe teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit tregon që këto koncepte mund të mos jenë edhe aq absolute.

Është e frikshme të mendosh që koha nuk ka eksistuar si koncept përpara krijimit të universit. Është po aq e trishtueshme të mendosh që nga distanca, ato që i shohim zakonisht nuk janë ato që ndodhin në momentin e caktuar. Mënyra si Hawking e përshkruan udhëtimin e dritës në hapësirë dhe atë që ne e shohim përmes dritës është mbresëlënëse dhe të bën të mendosh thellë për atë se çfarë ne shohim dhe si ne dukemi nga anë të ndryshme të universit. Koncepti i kohës nuk është rastësisht një koncept me të cilën merret shkenca por me të merren edhe religjionet dhe spiritualiteti. Kështu Hawking e përmend faktin që Aurel Augustini ka thënë që koha ishte një cilësi e universit që e krijoi Zoti dhe se koha nuk eksistonte para fillimit të universit. Kjo pikëpamje është e njohur edhe në religjionin islam, ku koha është koncept në të cilin betohet vetë Zoti, i përmendur në suren “Al Asr”.

Ky koncept fascinant mbi kohën më bëri të mendoj se si dukemi ne në spektrin e ditës që reflektohet nga planeti jonë. Ndonjë planet tjetër i largët që do ta vrojtonte tokën do t{i shohë ndodhitë në tokë me vonesë, pas aq vitesh drite që i duhen dritës për të udhëtuar nga toka deri te ai planet. Pas shumë e shumë vitesh ata alienët atje do të mund të shohin këtë që ndodh momentalisht në tokë, mënyrën e jetesës së njerëzimit, kampanjat zgjedhore, mosmarrëveshjet, luftërat, shkatërrimin. A thua vallë çfarë do të mendojnë për ne?

Kur ta mendosh që jemi një pike e vogël në një univers që dita ditës zgjerohet, është absrurd preokupimi kaq i thellë me çështjet triviale të përditshme të cilat përsëriten dhe duket se nuk kanë fund. Por megjithatë, është pikërisht koha ajo që na rrëshqet nga duart, koha si diçka shumë e gjallë dhe dinamike, koha që për të gjithë mbaron një ditë dhe të cilën secili prej nesh ka mundësi ta shfrytëzojë më së miri.

Stephen Hawking kohën e tij e ka shfrytëzuar në atë mënyrë që ka lënë pas vetes njohuri të cilat shumë njerëz as që munden ti kuptojnë e ti deshifrojnë. Si e shfrytëzojme ne këtë resurs kaq të vlefshëm dhe të paprësëristshëm? Sa shpesh i përdorim shprehjet si “Nuk kam kohë”, “Ja, po humb pak kohë” dhe “E vras kohën”?

Sa e dhimbshme të mendosh që mund ta vrasësh kohën kur koha shkel mbi të gjithë dhe mbi gjithçka dhe në fund mbetet vetëm pluhuri në erë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button