Tik Tok-eri i njohur nga Norvegjia, Mustafa Ahmed, në një intervistë ekskluzive për Portalb (VIDEO)

“Përshëndetje”, “Si je” dhe “Falemnderit” ishin fjalët që kishte mësuar brenda tre muajve qëndrimi në Shkup Mustafa Ahmedi, Tik Tok-eri i njohur në Maqedoni. Për një kohë shumë të shkurtër ai arriti që të fitojë zemrat e shumë qytetarëve në Maqedoni përmes videove interesante që publikon në Tik Tok. Dëshira e tij më e madhe është që të udhëtojë gjatë gjithë kohës. Këtë ai ia mundësoi vetes në momentin që hapi një biznes online, me çka ai tani mund të punojë, të fitojë para dhe në të njëjtën kohë të udhëtojë. Mustafa prejardhjen e ka nga Somalia e Afrikës, por ka lindur në Norvegji. Pas përfundimit të masterit, ai punoi për disa vite në një firmë vendase. Por, në fillimin e pandemisë, ai vendosi të largohet nga Norvegjia dhe të shëtisë, shkruan Portalb.mk.

Mustafa ka udhëtuar në shumë vende në botë, ndërsa së fundmi fokusin e ka në vendet ballkanike. Ardhja e tij në Maqedoni ishte shumë e rastësishme. Më parë asnjëherë nuk kishte dëgjuar për vendin tonë. Përderisa ishte në udhëtimet e tij nëpër Serbi, ai po shihte në hartë se cili vend afër Serbisë është i bukur për të vizituar dhe rastësisht pa Shkupin. Ai është duke qëndruar në Shkup gati tre muaj deri më tani dhe nuk ka në plan të shkojë në ndonjë vend tjetër për një kohë të gjatë. Sipas tij, Shkupi i jep shumë arsye për të qëndruar.

“E kujtoj herën e parë që erdha në Shkup, nëpër rrugë nuk shihja shumë njerëz, është një qytet shumë i qetë. Më vjen interesant fakti që në rrugë njerëzit nuk të buzëqeshin, madje nëse ti u buzëqesh të shohin çuditshëm. Në fillim mendoja mos ndoshta janë nervoz diçka, por më vonë e kuptova se nuk e kishit në kulturë atë formë të përshëndetjes. Në Norvegji, kur u buzëqesh njerëzve në rrugë tregon respekt. Por, ajo që më pëlqen është se në momentin kur fillon të shoqërohesh me dikë, janë shumë të shoqërueshëm dhe mikpritës.” u shpreh Mustafa Ahmed.

Një ndër arsyet që Ahmedit i pëlqen të qëndrojë këtu është edhe fakti që ai tani ka arritur të ketë një audiencë të madhe nga Maqedonia në Tik Tok. Ai deri më tani ka arritur të ketë 16.200 ndjekës dhe rreth 250 mijë pëlqime. Nëpër videot e tija ai shijon ushqimet tradicionale dhe ushqimet e shpejta nëpër restorante.

“Kam shtuar shumë kilogramë duke konsumuar shumë ushqime të shijshme në Maqedoni. Kur jemi te ushqimi tradicional, pjata ime e preferuar është “turli tava” dhe “pastërmajlia”. tha Mustafa Ahmed.

Si çdo turist tjetër, edhe Mustafait i pëlqen fakti që çmimet në tregun tonë janë më të ulëta nga standardi që ai është mësuar të jetojë. Kjo e mundëson atë që të bën një jetesë më të rehatshme dhe mendon të qëndrojë në Shkup sa më gjatë. Tani Mustafai është bërë një yll në rrugët e Shkupit, kudo që ai ec, e ndalojnë për ta përshëndetur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button