Javën e ardhshme do të takohet komisioni për çështje të historisë, Shkupi zyrtar shpreson në zgjidhje deri në fund të vitit

Shkupi dhe Sofja zyrtare javën e ardhshme do të ulen sërish në tavolinë, për një tentim të radhës për të zgjidhur kontestet historike mes dy popujve, të cilat kanë bllokuar rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Siç thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk, raundi i ri i paralajmëruar i konsultimeve mes dy vendeve, do të përfshijë takime të niveleve të ndryshme, që nga ai teknik e deri te niveli më i lartë politik. Synimi është që të gjendet mënyrë që deri në fund të vitit, të tejkalohen dallimet që ekzistojnë.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut është në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë edhe atë në më shumë nivele, duke filluar nga ai teknik e deri te niveli më i lartë politik. Komunikimi i intensifikuar ka për qëllim shfrytëzimin e mundësive për tejkalimin e dallimeve mes dy palëve, me çka do të tejkalohej pengesa për vazhdimin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, mundësisht deri në fund të këtij viti”, thanë nga kjo ministri.

Prej aty informuan se, në kuadër të intensifikimit të komunikimit, do të ketë edhe një takim bilateral mes ekspertëve të dy ministrive të jashtme.

“Në kuadër të përkushtimit të ndërsjellë, qasjes konstruktive dhe intensifikimit të përpjekjeve në periudhën e ardhshme, bën pjesë edhe takimi bilateral mes ekipeve të ekspertëve të dy ministrive të jashtme, për të cilën do të informojmë në vijim. Ndërkohë, vijon me punë edhe Komisioni i përbashkët për çështje të historisë dhe arsimit, takimi i radhës i të cilit është caktuar për më 21 dhe 22 tetor, 2021”, njoftuan nga MPJ.

Shkupi shpreson të gjejë zgjidhje pas zgjedhjeve në Bullgari, për çka duhet të ndihmojë protokolli bilateral prej 6 pikave i cili duhet të jetë gati deri në fillim të nëntorit. Targeti i parë është 14 dhjetori kur mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm i BE-së, në të cilin pritet të sillet vendim për miratimin e kornizës negociuese dhe caktimin e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit.

Svetlan Stoev, Ministër i Jashtëm i Bullgarisë, Foto: MPJ e Bullgarisë FB

Shefi i diplomacisë bullgare, Svetlan Stoev deklaroi dje në Sofje me homologun e tij kroat, Gordan Grliq Radman se, Bullgaria ka investuar shumë në dialogun me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pret veprime konkrete nga Shkupi për zbatimin e përhershëm të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë të vitit 2017, si dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve me vetëdije bullgare.

Ai informoi se, po rrjedhin negociatat në nivel të ekspertëve mes Shkupit dhe Sofjes dhe se, janë dorëzuar propozime dhe tekste bullgare. Ai theksoi se deri në fund të tetorit do të ketë raund të ri të konsultimeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe nëse arrihet pajtueshmëri, ajo që do të dakordohet, mund të nënshkruhet nga dy ministrat e Punëve të Brendshme. Stoev tha edhe se vazhdon dialogu për këtë çështje edhe me eurokomesarin për zgjerim, Oliver Varheji.

Rumen Radev dhe Zoran Zaev në samitin në Slloveni

Ndërkaq, presidenti bullgari, Rumen Radev, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm kroat, Grliq Radman, i vlerësoi si alarmante rastet e diskriminimit dhe shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut me vetëdije bullgare. Ai shprehu mbështetje për dëshirën e tyre që të përfshihen në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe të pritjeve të tyre për pasqyrim objektiv në rezultatet e regjistrimit.

Kryeministri, Zoran Zaev dje tha se as ai, as kush do qoftë prej BE-së nuk ka marrë garanci nga Bullgaria, në samitin në Bërdo në Slloveni, për zhbllokim të procesit për anëtarësim të vendit në Union, duke potencuar se grupet punuese të dy vendeve, megjithatë, vazhdojnë të punojnë dhe se është e mundur të gjendet zgjidhje nëse dy palët e dëshirojnë atë.

“Kemi thënë se ne nuk kemi marrë garanci nga Bullgaria gjatë organizimit slloven të Samitit BE – Ballkani Perëndimor, as BE nuk ka marrë garanci. Porositë ishin të qarta dhe besoj se presidenti Radev i ka kuptuar. Çështjet bilaterale duhet të ulemi e t’i zgjidhim në mënyrë bilaterale. Grupet punuese vazhdojnë të punojnë. Besoj se do të vinte deri te tekstet të harmonizuara, sepse ato janë çështje që zgjidhen përkatësisht do të them është e thjesht se, emri i shkurtër është i njëjtë me emrin e gjatë, Maqedonia e Veriut është e njëjtë me Republikën e Maqedonisë së Veriut, se nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjërit prej fqinjëve. Kuptohet, nuk kemi pretendime territoriale ndaj Republikës së Bullgarisë”, tha Zaev.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në lidhje me udhërrëfyesin me pesë plus një çështje, i cili është përmendur si zgjidhje e mundshme e çështjes për kontestin në samitin në Bërdo edhe nga përfaqësuesit e lartë të Unionit, sqaroi se ai i përfshin:

  • Çështjen e emrit të shkurtër
  • Çështjen e gjuhës së urrejtjes
  • Rehabilitim të viktimave të komunizmit
  • Punën e komisionit të historisë
  • Çështjen e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Republikës së Bullgarisë
  • Çështjen e përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë

Këto pika janë tema e vazhdueshme e bisedimeve me Bullgarisë dhe në kuadër të tentimit për mbajtjen e komisionit ndërqeveritar dhe tejkalim të kontestit me qëllim të heqjes së bllokadës.

Ndërkohë, takimi i javës së ardhshme i komisionit për çështje të historisë, vjen pas katër muajsh, kur edhe u mbajt takimi i fundit. Edhe pse ky komision ka zhvilluar disa takime, nuk është bërë ndonjë përparim i konsiderueshëm sa i përket çështjeve kyçe.

Komisioni i përbashkët për çështje të historisë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Nga informatat që janë ndarë me opinionin rreth këtyre takimeve është bërë e ditur se, palët kanë hasur në vështirësi në zgjidhjen e çështjes së Goce Dellçevit, ndërsa komisioni ka ngecur edhe në çështjen e përfaqësimit të Mbretit Samoil dhe përdorimit të mbiemrit “maqedonas”.

Ndërkohë, në takimet e realizuara më herët, palët kanë arritur marrëveshje për disa çështje dhe një pjesë të figurave historike:

  • Shën Cirili dhe Metodi– Në bazë të Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim dhe të raportit Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar të ekspertëve për çështje të historisë dhe arsimit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar ka pranuar sugjerimin për festim të përbashkët me Bullgarinë të Shën Cirilit dhe Metodit.
  • Shën Klimenti– Ka pajtueshmëri nga të dyja palët për festim të përbashkët të iluministit sllav dhe njërit ndër nxënësit më të theksuar të Cirilit dhe Metodit, themelues i Shkollës Letrare të Ohrit.
  • Shën Naumi i Ohrit – Komisioni i përbashkët ka arritur pajtueshmëri për festim të përbashkët të Shën Naumit – njëri ndër themeluesit e alfabetit slloven, që konsiderohet si nxënësi më i ri i Cilirit dhe Metodit, pjesëmarrës në misionin e Moravës.
  • Mbreti Samuel– Parashihet edhe festim i përbashkët i mbretit Samuel, sundimtar mesjetar në territorin e Gadishullit Ballkanik.
  • Grigor Prliçev– Në komisionin e përbashkët është biseduar edhe për festim të përbashkët të shkrimtarit të shquar, të lindur në Ohër dhe autor i poemës së njohur “Serdarot”.

Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button