Aksioni në veri të Kosovës: të lënduar, të arrestuar dhe barrikada

Gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, gjashtë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore. Ky është epilogu i një aksioni kundër kontrabandës së Policisë dhe Doganës së Kosovës, që u prit me kundërshtim në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan. Aksioni kundër kontrabandës u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, transmeton REL.

“Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës dhe shtohet se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në një postim në Facebook se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.

“Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, tha Kurti.

Ai shtoi se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.

Si shkoi aksioni policor në veri?

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportuan se në Mitrovicë të Veriut, në orët e hershme të mëngjesit u dëgjuan sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoabulancave. Qytetarët thanë se në orët e mëngjesit nisën të dëgjoheshin edhe sirena e emergjencave në këtë komunë. Policia e Kosovës u panë edhe para farmacive në veri.

Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë. Është parë se qytetaret kanë hedhur gjësende të forta në drejtim të zyrtarëve policorë. Ndërkohë, në afërsi të “Lagjes së Boshnjakëve” janë vendosur kamionët në njërën nga rrugët kryesore që lidhin pjesën jugore me atë verirore të qytetit.

Në Mitrovicë të Veriut turmat u shpërndanë, ndërkaq aksioni i Policisë vazhdoi edhe në Zveçan. Në Zveçan, Policia po ashtu hodhi gaz lotsjellës pasi qytetarët hodhën në drejtim të forcave të rendit gjësende të forta.

Policia e Kosovës tha gjatë këtij aksioni u sekuestruan mallra dhe dëshmi të ndryshme “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.

Policia më herët gjatë ditës ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.

Bërnabiq fton bashkësinë ndërkombëtare të reagojë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë për aksionin kundër kontrabandës që Policia dhe Dogana e Kosovës po zhvillojnë në disa lokacione, përfshirë edhe komunat në veri të vendit.

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin (v.j. kryeministrin e Kosovës) Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiq përmes një komunikate për media.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është paralajmëruar se do të takohet në Rashkë me përfaqësuesit serbë nga Kosova. Rashka është qytet në Serbi që afërsi të kufirit me Kosovën, përkatësisht pranë pikëkalimit kufitar në Jarinjë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button