Mitrovica e Jugut dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale

Mbi 78 mijë qytetarë të Mitrovicës së Jugut kanë të drejtë të hedhin votën e tyre për zgjedhjet komunale të 17 tetorit në Kosovë. Në luftë politike për këtë votë janë vënë tri partitë më të mëdha në vend, Lëvizja Vetëvendosje, e cila mban pushtetin aktualisht, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Organizatat e shoqërisë civile në Mitrovicë të Jugut thonë se premtimet e partive politike nuk pasqyrojnë nevojat reale të banorëve.

“Afër zgjedhjeve ekziston një momentum kur partitë politike premtojnë projekte megalomane, që i tejaklojnë linjat buxhetore. Por çfarë po më shqetëson këtu është se po premtohen dhe diskutohen ndërmjet kandidatëve për kryetar komune disa gjëra që nuk janë kompetenca që lidhen fare me komunën e Mitrovicës.” tha analisti Besart Peci.

“Planet që i kam parë deri tani, ose planprogramet e kandidatëve që përfaqësojnë partitë politike, nuk kanë qenë të kapshme. Në një formë kanë qenë shumë të përgjithshme dhe gjithë çfarë ata tentojnë të bëjnë është të japin premtime megalomane duke mos u marrë me problemet specifike të cilat i kanë qytetarët e Mitrovicës.” tha Nerimane Ferizi nga organizata Community Building Mitrovica.

Por, cilat janë sipas tyre problemet kryesore me të cilat përballen banorët e Mitrovicës?

“Disa nga problemet kryesore me të cilat përballet komuna e Mitrovicës këto katër vitet e fundit kanë të bëjnë kryesisht me menaxhimin apo keqmenaxhimin e buxhetit të komunës. Ka shumë planifikime buxhetore dhe ka shumë tejkalime buxhetore pra jashtë linjës e që janë aprovuar në kuvend në fillim të vitit buxhetor.” tha Besart Peci.

“Së fundmi e kemi edhe borxhin dhe bllokimin e fondeve nga thesari i Kosovës e që kjo do t’i sjellë problem secilit që vjen në pushtet. Ndërsa unë nuk e kam parë asnjëherë deri tani ndonjë prej këtyre kandidatëve që i kemi duke folur se çfarë do të bëjë si fillim me këtë borxh, marrë parasysh se niveli komunal e ka një buxhet jo të mire.” tha Nermine Ferizi.

Vet banorët thonë se hallin më të madh e kanë papunësinë dhe rrjedhimisht ikjen e të rinjëve.

“Papunësia është në nivel të lartë, mirëqenia sociale është shumë e ultë dhe presim që sadopak të ketë një mirëqenie sa më të mirë për qytetarët, rinia të gjejnë vende të punës, të zhvillohet qyteti dhe të ndalet emigrimi.” tha Zenel Ferati.

“Besoj se mund të ketë ndonjë ndryshim, por shumë të paktë, ndryshime pozitive në realitet shumë pak besojmë se mund të ketë. Premtime ka sa të duash por 70 për qind boshe deri më tash.” tha Behxhet Tahiri.

“Ardhmëria, çfarë mund të them? Ne e kemi hallin e fëmijëve tanë se ku po mbesin e si po mbesin.. a e shihni se për 100 vite Serbia nuk ka mundur ta shpërngul rininë tonë prej këtu dhe ja çfarë bënë njerëzit tanë. Po nëse i lëshojnë edhe pasaportat siç po thonë? Do të na marrë malli të shohim një të ri ose një të re këtu.” tha Xhafer Islami.

Nerimane Ferizi nga Community Building Mitrovica tha se udhëheqja e re që pritet të dalë nga këto zgjedhje duhet të krijoj mundësi për zhvillim ekonomik.

“Duhet të përqendrohen për të ndihmuar ndërmarrësit e rinj por edhe të krijojnë kushte për zhvillim ekonomik. Krahas kësaj të zhduket edhe nepotizmi që ka kapluar çdo institucion këtu.” tha Nermine Ferizi.

Ndërkaq analisti, Besart Peci, tha se nuk duhet lënë anash edhe çështjet mjedisore.

“Kandidatët për kryetar nuk po merren shumë me çështjen e ambientit, e kanë lënë thuajse fare. Në komunë dy dikasteret që gjenerojnë më së shumti para janë drejtoria e urbanizmit dhe e financave. Mirëpo te drejtoria e urbanizmit kemi të bëjmë me lëshimin e shumë lejeve dhe shkatërrimin e shumë parqeve, hapësirave të gjelbra dhe ky është një problem që nuk po rregullohet tash e sa vjet. Shpresoj që edhe këtë mandat nuk vazhdon avazi i njejtë.” tha Besart Peci.

Mitrovica e Jugut konsiderohet nga vëzhguesit si një nga komunat më të varfëra të Kosovës dhe kjo sipas ekspertëve është edhe pasojë e mungesës se investimeve për shkak të paqëndrueshmërisë politike.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me 17 tetor, në ditën e njëjtë me zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button