Paraburgim për pesë persona në Kosovë, dyshohen për terrorizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për pesë persona të arrestuar dy ditë më parë nën dyshimet për vepra që lidhen me terrorizmin, transmeton Zëri i Amerikës.

Masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurve Ardian Gjuraj, Nuhredin Skenderi, Ergim Syla, Mentor Bellaqa dhe Shkodran Krasniqi, sipas gjykatës është caktuar për dyshime për “përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Ata u arrestuan të dielën në rajonin e Pejës dhe Prizrenit ndërsa një ditë më parë policia njoftoi se ka konfiskuar edhe një sasi të madhe të armatimit.

Prokuroria ka bërë të ditur se deri te arrestimi i tyre ka pasuar një hetim disa mujor, duke zbatuar masa të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit ndërsa gjatë bastisjes janë gjetur mjete shpërthyese, armë zjarri, dron si dhe armë anti-tank.

Disa nga të arrestuarit kanë qenë edhe më parë të dyshuar për përfshirje në grupe terroriste.

Që nga mesi i vitit 2012, Kosova është përballur me shtimin e shkallës së radikalizimit të të rinjve, posaçërisht me përfshirjen e tyre konfliktet në Lindjen e Mesme.

Ekspertë të sigurisë në Kosovë thonë se parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm do të vazhdojë të jetë sfidë për shtetin dhe shoqërinë edhe në të ardhmen për shkak të ndikimit të rrymave të ndryshme radikale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button