Koalicionet parazgjedhore ndëretnike ulin retorikën nxitëse në Maqedoninë e Veriut

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, që është në javën e fundit të saj, po kalon në me një retorikë kryesisht të matur mes partive politike, për dallim nga ciklet e kaluara zgjedhore, kur ato karakterizoheshin me përplasje ndëretnike mes partive politike.

Në uljen e retorikës nxitëse kanë ndikuar para se gjithash koalicionet ndëretnike mes partive politike.

Opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, ka bërë koalicion parazgjedhor me opozitën shqiptare, që përbëhet nga partitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ndërsa një koalicion ka bërë edhe Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev me Bashkimin Demokratik për Integrim. Derisa partitë opozitare koalicionin e kanë bërë që në rrethin e parë zgjedhore, dy partitë në pushtet janë marrë vesh për mbështetje reciproke në rrethin e dytë zgjedhor.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Studime Ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se partitë politike koalicionet e tilla i kanë bërë për interesa të tyre dhe jo se janë shumë të brengosura për të ruajtur stabilitetin ndëretnik në vend.

Sipas tij, partitë deri më tani kanë dëshmuar se në pushtet kanë ardhur pikërisht me retorikë nacionaliste, por që tani nuk po gjen mbështetjen e popullatës, andaj edhe kanë ndryshuar formën e veprimit.

“Kemi të bëjnë me bashkim të interesave të partive për realizimin e qëllimeve të tyre. Është e qartë sesi partitë shqiptare ashtu edhe ato maqedonase nuk mund më të fitojnë të vetme, prandaj edhe janë bërë këto koalicione të cilat besojnë se do t’iu garantojnë fitore. Mendoj se kjo i bën mirë Maqedonisë së Veriut dhe ato i shoh edhe si një parapërgatitje për t’u futur në Bashkimin Evropian edhe pse mendoj se ka ende shumë rrugë të gjatë për të arritur deri atje”, thotë Sinani.

Sinani analizon edhe ndryshimin e politikës së VMRO DPMNE-së, e cila, sipas tij, deri më tani është shquar me politikën e saj antishqiptare. Sinani thotë se kjo parti si duket më në fund e ka kuptuar se me një politikë të tillë vështirë se do të mund të fitojë pushtetin.

“VMRO-ja asnjëherë më nuk do të mund të qeverisë nëse këtë nuk do ta dëshirojnë shqiptarët. Ne e dimë shumë mirë se ishte vullneti i qytetarëve shqiptarë, e jo i të tjerëve, që Nikolla Gruevksin (ish-kryeministër) e dërguan refugjat në Hungari, ndërsa pas grilave përfunduan Gordana Jankullovska (ish-ministre e Brendshme), Sasho Mijallkov (ish-drejtor i Policisë Sekrete) dhe të tjerë, të cilët i dëmtuan shqiptarët. Tani, kjo VMRO-ja ka nevojë të reformohet, të vijë një brez i ri i cili kupton apo që ka filluar të kuptojë se do të duhej që me shqiptarët të bashkëpunojnë. Pa ndodhur kjo, asnjëherë nuk do të ndodhë që VMRO-ja të vjen në pushtet”, thekson Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Studime Ballkanike.

Partitë politike më në fund e kanë kuptuar se zgjedhjet nuk mund të fitohen me nacionalizma apo retorikë nxitëse, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike duke komentuar retorikën në fushatën zgjedhor në të cilën kësaj radhe nuk ka përplasjet etnike.

“Besoj se më nuk do të shohim skenat e cikleve të kaluara zgjedhore, kur njëri me tjetrit fyheshin, shkëmbenin akuza në baza etnike dhe kështu tensiononin situatën dhe rrisnin mosbesimin. Është me rëndësi fakti se kësaj radhe kemi koalicione parazgjedhore dhe pikërisht kjo ka ulur retorikën nxitëse. Koalicionet në të kaluarën kanë ndodhur pas zgjedhjeve, ndërsa fushatën partitë e shfrytëzonin jo për oferta konkrete për qytetarët, por për konfrontime etnike. Kjo është e mirë për shtetin, politikanët më në fund e kuptuan se tensionet nuk na dërgojnë askund, por që rrisin mosbesimin”, thekson Dimovski.

I pyetur nëse ndryshimi i retorikën do të thotë se tani partitë më shumë do të përqendrohen në oferta konkrete për zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve, Dimovski nuk është edhe shumë optimist, meqë, siç thotë, premtime ka pasur edhe më parë, por që kanë qenë jetëshkurtra apo deri në përfundimin e fushatës elektorale.

“Unë nuk jam shumë optimist se partitë do të punojnë për qytetarët. Dëgjojmë premtime të shumta që pas zgjedhjeve nuk realizohen. Por, të paktën kam besim se më nuk do të dëgjojmë zënka apo përplase që rrisin tensionet në bazë etnike”, thotë Dimivski.

Të dielën, më 17 tetor, qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 80 komuna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button