G-20, takim i nivelit të lartë për Afganistanin

Udhëheqësit e 20 ekonomive më të mëdha në botë po mbajnë një takim të jashtëzakonshëm virtual të martën mbi Afganistanin, më pak se dy muaj pasi talebanët morën nën kontroll vendin. Kryeministri italian Mario Draghi, i cili ka presidencën e rradhës të G-20-ës, kishte kërkuar me këmbëngulje mbajtjen e takimit, duke thënë se Afganistani po shkon drejt një katastrofe humanitare, raporton VOA.

Zoti Draghi tha se takimi me dyer të mbyllura i së martës mbi Afganistanin do të fokusohej tek siguria, ndihma humanitare dhe të drejtat e njeriut në vend. Ai mbahet më pak se tre javë para takimit të udhëheqësve botërorë të G-20 që do të mbahet në Romë më 30-31 tetor.

Që kur talebanët u kthyen në pushtet më 15 gusht, pas tërheqjes së trupave amerikane pas dy dekadash lufte, ka pasur shqetësime në rritje mbi situatën humanitare në vend. Udhëheqësit do të mbajnë diskutime për luftën kundër terrorizmit, lirinë e lëvizjes brenda dhe jashtë kufijve të Afganistanit si për afganët, edhe anëtarët e organizatave joqeveritare, dhe gjendjen e grave në vend, të cilën Draghi e ka cilësuar si një “përparësi”. ”

Kryeministri italian foli për Afganistanin në një intervistë të fundit në televizionin shtetëror italian.

Zoti Draghi tha se nën këndvështrimin e Italisë, sfidat e të ardhmes janë mbrojtja e të drejtave themelore, mbrojtja e të drejtave të grave dhe të gjithë atyre që gjatë viteve janë ekspozuar ndaj situatave të rrezikshme për t’i mbrojtur këto të drejta në Afganistan.

Një sfidë e madhe do të jetë presioni ndaj talebanëve për garantimin e të drejtave të grave, të cilat përballen me diskriminim dhe dhunë, përfshirë kthimin e tyre të plotë në shkolla dhe në vendet e punës dhe angazhimin në jetën politike. Vetëm djemtë lejohen të ndjekin shkollën e mesme dhe aktualisht më shumë se 2 milion vajzave u mohohet qasja në arsim.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha të hënën se Afganistani po përballet me “një moment vendimtar” dhe i bëri thirrje botës të veprojë.

Para marrjes nën kontroll nga talebanët, ndihma ndërkombëtare përbënte 75% të shpenzimeve shtetërore të Afganistanit, por qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare i kanë ndërprerë këto fonde dhe kanë ngrirë pronat e Afganistanit.

Zoti Guterres tha të hënën se bankat në Afganistan po mbyllen dhe se kujdesi shëndetësor dhe shërbimet e tjera thelbësore janë pezulluar në shumë rajone. Ai paralajmëroi se kriza humanitare, e cila po prek gjysmën e popullsisë së vendit, po thellohet.

“Populli afgan nuk duhet të vuajë një dënim kolektiv për shkak të talebanëve”, tha Guterres.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell premtoi ndihmë të hënën, duke thënë në një takim ministror të BE-së se “situata humanitare dhe socio -ekonomike në Afganistan është në prag të kolapsit.”

“Sot ramë dakord për një qasje të kalibruar për t’i dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë popullatës afgane në mënyrë që të parandalohet një katastrofë humanitare, pa njohur talebanët,” tha zoti Borrell. “Ne do ta dërgojmë ndihmën përmes partnerëve tanë shumëpalësh duke respektuar parimet tona të angazhimit.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button