fbpx

U ngrit aktakuzë për rastin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të cilët dyshohen se janë të përfshirë në rastin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, raporton REL. Fjala është për Labinot Grudën dhe Kadri Shalën.

Prokuroria thotë se “veprimet inkriminuese të të pandehurve L.G dhe K.SH, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2.077.995.90 euro”.

Labinot Gruda akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrja në sistemet kompjuterike, vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes si dhe shpëlarje e parasë, në bashkëkryerje me të pandehurin Kadri Shala.

I pandehuri Kadri Shala akuzohet për shpëlarje të parasë, në bashkëveprim me të pandehurin tjetër, dhe për veprën penale ndihma në ndërlidhje me veprën penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit.

Rasti i vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit pati ndodhur në tetor të vitit 2020.

Labinot Gruda, atëbotë punëtor i Thesarit të Kosovës, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Njëri nga pronarët e këtij biznesi ishte edhe Kadri Shala dhe një person tjetër me inicialet V.SH. Veprimtari kryesore e ka të përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërkaq veprimatri dytësore demolimin e objekteve.

Më 23 tetor, 2020, Labinot Gruda u deklarua i pafajshëm në gjykatë. Ai tha se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se pretendimet për këtë shumë parash “nuk kanë të bëjnë aspak” me të.

Më 25 shkurt Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se deri në atë kohë ka ngrirë rreth 600 mijë euro që lidhen me vjedhjen e rreth 2.1 milionë eurove nga Thesari i Kosovës.

Atëbotë prokuroria pati deklaruar se janë ngrirë 34 llogari bankare të bizneseve në të cilat ishin transferuar paratë.

Në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, sipas Prokurorisë Speciale janë bërë dy kërkesa adresuar autoriteteve të Turqisë, lidhur me transferin prej 440.000 eurove, të realizuara nga llogaria e “LDA Group Sh.p,k”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button