fbpx

Siguria e gazetarëve në fokusin e konferencës së OSBE-së në Tiranë

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian, dje dhe sot në Tiranë mbajti Konferencën e 8-të vjetore për Median në Europën Juglindore. Konferenca kishte si temë kryesore “Gazetarinë në kohë krize”, megjithatë sa i takon Shqipërisë u diskutuan vështirësitë e vazhdueshme, që janë shfaqur para krizave. Në të fjalim mbajti edhe drejtori i Fondacionit Metamorfozis, njofton Portalb.mk.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, deklaroi se zyra e saj po ndiqte nga afër nismat e qeverisë shqiptare për paketën anti-shpifje si dhe vendimin e fundit për të ngritur agjencinë shtetërore të informimit.

Ribeiro i bëri sot thirrje bashkësisë së medias dhe shtypit në Shqipëri që të angazhohen më mirë e më shpejt me institucionet vetë-rregulluese të lirisë së shprehjes përpara se në këtë hapësirë të veprojnë institucionet shtetërore.

“Vetërregullimi është shumë i rëndësishëm për qarqet e medias. Nëse ju keni një vetërregullim të fortë, ju mund të pakësoni hapësirat për qeverinë që ajo të ndërmarrë nisma rregulluese. Kjo është është shumë e rëndësishme. Duke vepruar me vetërregullimin ju krijoni një fushë veprimi për të gjithë gazetarët, që duhet respektuar nga gjithë gazetarët. Në këtë mënyrë ju pakësoni hapësirat që autoritetet shtetërore të mund të ndërhyjnë me masa rregulluese dhe në të njëjtën kohë ju krijoni një fushë të përbashkët veprimi të njëjtë për të gjithë gazetarët. Pasi të krijoni masa të përbashkëta vetërregulluese, ju edhe duhet t’u bindeni njëlloj të gjithë gazetarët këtyre masave vetërregulluese, sepse mosbindja midis jush po ashtu krijon hapësira për të ndërhyrë autoritetet” – theksoi zonja Riberio.

Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, Teresa Ribeiro, u shpreh se problem kryesor që e shqetësonte ishte siguria e gazetarëve.

“Siguria e gazetarëve është në krye të shqetësimeve të mia. Siguria e tyre është detyra ime kryesore, sepse ne kemi nevojë që shërbimet e gazetarëve të mbërrijnë tek publiku, falë një informimi të saktë, që e forcon demokracinë. Siguria është e para, por ka edhe shumë probleme të tjera. Kur them siguria, nuk e kam fjalën vetëm për sigurinë fizike të tyre gazetarëve, por mendoj edhe për sigurinë e tyre ligjore, për kushtet e tyre të punës” – u shpreh  Ribeiro.

Zyra e OSBE-së për lirinë e medias, tha Ribeiro, po ndjek nga afër edhe nismën e qeverisë për të ashtu-quajturën paketa kundër keq-informimit. “Komisioni i Venecias ka dalë me një Opinion lidhur me këtë paketë, dhe zyra e OSBE-së shpreson që qeveria të përmbushë dhe të respektojë opinionin e Venecias për këtë çështje” – theksoi ajo.

Bardhyl Jashari prezantoi mësimet dhe përvojat nga projektet që realizon Fondacioni Metamorfozis nga Maqedonia e Veriut.

Ai theksoi se të gjithë aktorët relevant, qeveria, mediat, gazetarët, OJQ-te dhe të tjerë, duhet të punojnë së bashku për të riafirmuar rolin e mediave në shoqëri, për ta bërë gazetarinë përsëri relevante dhe për të rikthyer besimin e humbur te qytetarët.

“Hapi themelor në këtë drejtim është që secili prej tyre me përgjegjësi të luajë rolin përkatës në shoqëri: institucionet qeveritare të bëhen më të hapura, të japin llogari dhe informata të sakta dhe në kohë për punën e tyre, gazetarët tu përmbahen rreptësishtë standardeve etike dhe profesionale të gazetarisë, por dhe të mbulojnë tema me relevancë për qytetarët (konsumatorë të informatave), OJQ-të të vëzhgojnë por edhe të sensibilizojnë dhe aftësojnë grupe të ndryshme që ata të “lundrojnë” me kompetencë në ekosistemin kompleks të informacioneve në internet. Vetëm në këtë mënyrë do të tkurret hapësira e burimeve të dezinformatave në diskursin publik, por edhe do të zvogëlohet dëmi që bëjnë ata.” tha Jashari.

Në ditën e dytë të konferencës në panelin për sfidat e grave në gazetari u bisedua për rëndësinë e përfshirjes dhe përfaqësimin e drejtë të tyre në media si dhe u dhanë rekomandime sesi të përmirësohet gjendja e grave në gazetari.

“Ashtu siç mediat kanë rol transformues në formësimin e perceptimeve për gjininë në shoqëri, ato gjithashtu munden kontribuojnë në promovimin e të drejtave themelore të njeriut në shoqëri, përfshirë dhe të grave.” u konkludua në panel. 

Panelistet folën për përvojat dhe dëshmitë e tyre personale për nismat pozitive për të promovuar barazinë gjinore brenda sektorit të medias. Në fund, ato dhanë rekomandime sesi të adresohen boshllëqet ekzistuese, në mënyrë që të sigurohet larmi dhe redaksi të balancuara gjinore si dhe të ketë përmirësim të situatës së grave gazetare në rajon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button