Qëndrimi i kancelarit të ri austriak për Kosovën

Ministri i jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, i cili është betuar të hënën si kancelar, ka shprehur qëndrimin e tij pro Kosovës në shumë çështje me rëndësi.

Në një intervistë ekskluzive për KOHËN në prill të këtij viti, Schallenberg pati deklaruar se pavarësinë e Kosovës duhet ta njohin të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Schallenbergu pati thënë në këtë intervistë se një marrëveshje është e domosdoshme që të dy vendet të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian ka përsëritur në vazhdimësi se parakusht për anëtarësim në BE është zgjidhja e të gjitha çështjeve të hapura në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese. Një marrëveshje e tillë në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e një rëndësie të veçantë vetëm për këto dy vende, por po ashtu edhe për stabilitetin dhe ardhmërinë e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Austria gjithnjë është angazhuar për një progres të shpejtë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, si dhe për njohjen e Kosovës nga të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar”, pati thënë ai.

Schallenbergu pati hedhur poshtë edhe idetë për ndryshim kufijsh në rajon, që qarkullonin gjatë pranverës.

“Austria angazhohet për paprekshmëri të kufijve në mbarë Evropën. Mbi të gjitha, ne duhet të punojmë në integrimin e mëtejmë të Evropës, me qëllim që rëndësia e kufijve të jetë një çështje sekondare. Kjo duhet të jetë baza e së ardhmes edhe për Ballkanin Perëndimor. Duke iu referuar dokumentit jozyrtar të ashtuquajturit “Way Forward“ (një mënyrë përpara), nuk do të doja të komentoja në detaje një punim anonim. Megjithatë, një gjë duhet të jetë e qartë dhe Austria mban qëndrim të fortë se: Integriteti i Bosnjës e Hercegovinës nuk guxon në asnjë mënyrë të vihet në diskutim”, ishte shprehur Schallenberg.

Ndërkaq, sa i përket liberalizimit të vizave, ai pati deklaruar se Austria përkrah plotësisht këtë proces për Kosovën.

“E kuptoj plotësisht frustrimin e qytetarëve të Kosovës për këtë çështje. Sa i përket Austrisë, mbështetjen për liberalizimin e vizave e kemi të theksuar enkas në programin aktual të Qeverisë. Mirëpo, nuk mjafton që vetëm Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian të pajtohen me këtë, duhet po ashtu edhe pëlqimi i shumicës së këshillit të Ministrave të BE-së. Prandaj, përderisa ka ende hezitim nga disa shtete anëtare të BE-së, kërkesa ime për Kosovën është të mundohen shumë t’ua dëshmojnë atyre të kundërtën”, pati thënë Schallenberg në intervistën për KOHËN.

Schallenberg është betuar si kancelar i Austrisë, disa ditë pasi Sebastian Kurz ofroi dorëheqjen nga ky post.

Ish-kancelari Kurz dhe Kancelaria është nën hetime për keqpërdorim të parasë publike gjatë periudhës 2016-2018. Kurz dhe nëntë persona të tjerë dyshohen se me para të buxhetit kanë paguar një gazetë për raportime pozitive. E njëjta gazetë ka bërë sondazhe të rrejshme për popullaritetin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button