VELI DHE KUPTIMI

“Kur drita e arsyes bashkohet me dritën e së vërtetës, bota fillon të ndriçohet.”

Ibrahim Kalın

Edhe një vepër e shqipëruar nga opusi i filozofit dhe shkollarit të mirënjohur Ibrahim Kallën, botuar nga Logos-A (2021). Një libër më i vogël për nga pamësia por me thellësi kuptimеsh, gjë që shihet qysh nga titulli i mistershëm, mistik, lakonik: Veli dhe kuptimi. Bëhet fjalë për një tekst të kategorisë së librave të mendimit, për një vështrim mbi arsyen dhe racionalitetin, statusin dhe funksionin e tyre në qytetërimin perëndimor dhe në atë islam, një këndvështrim krahasimtar mes këtyre dy makro-botëkuptimeve. Kjo vepër paraqet analizë mbi arsyen e udhëhequr nga racionalizmi modern që ka tradhëtuar natyrën e vet, që prodhon dije deduktive-sasiore të shkëputur nga mendimi moral, që na ka prurë në një udhëkryq të krizave shumëpërmasore, nga të cilat sipas autorit mund të shpëtojmë vetëm nëse arsyeja “pajiset me urtësi”. Vetëm rikthimi i urtësisë dhe dijes urtare (sapiental knowledge) mund “të na e ndriçojë udhën” e rigjetjes së vetes në një mjedis më të mirë se ky i sodit. Kallën detekton një nga shkarjet më të mëdha të njeriut modern: absolutizimi i së përkohshmes dhe relativizimi i absolutes, që si pasojë kana ndërtimin e një bote që filozofikisht e asgjëson “gjënë në vetvete” dhe gjithçka e kthen në mall. Autori gjithashtu konstaton se nuk na pret një fund i mirë nëse vazhdon ky rrënim.

Ky libër me një fjali mund të përkufizohet përmes pyetjes “Si të mendohet moralisht?”, jo vetëm pragmatikisht dhe instrumentalisht, si t’i lidhim pikëpamjet tona racionale me zgjedhjet morale. Sepse në një kontekst ku mbizotëron vetëm logjika dhe sasia dhe ku nuk frymon intelekti intuitiv nuk mund të gjallnojnë e mira, e drejta, e bukura, besimi, dashuria dhe miqësia. Kallëni mundohet të na shpëtojë nga humnerat e dy ekstremeve: “adhurimi i arsyes” dhe “refuzimi i arsyes”. (Kılıçarslan, 2020) Ai e sheh të gabuar edhe ekuacionin që shpërfaq inferioritetin mysliman: islami=arsyeja. Vetëm arsyeja s’mund të na shpie drejt të vërtetës: ajo duhet të mbështetet nga zemra dhe revelata. Perspektiva kur’anore e racionalitetit, që edhe zemrën e lidh me mendimin, me dijen e urtë, na shpie përtej veprimeve të brendshme të një mendjeje të vetme, të paangazhuar dhe na vendos në një kontekst më të gjerë të rëndësisë ontologjike. Na shpie drejt një rendi socio-politik të bazuar në virtytin, drejtësinë dhe lirinë.

Kjo vepër që mund të kategorizohet në ato të filozofisë së dijes, është e veçantë për nga përmbajtja dhe porosia që jep. Ajo na rikujton se jemi qenie që arsyeton, se duhet të mendojmë ndryshe rreth arsyes, se edhe ajo ka kufijtë e saj, se arsyeja duhet të na shpalosë kuptimin/kuptimet e jetës. Përmes  Veli dhe kuptimi autori në mëson se ka arsye që shpie nga e mira dhe arsye që çon kah e keqja, na nxit të reflektojmë mbi qenien, thelbin e qenieve, t’u japim vlerë atyre pa i reduktuar në vlerën e tyre utilitare, të jetojmë në harmoni me njeriun, natyrën, Zotin, e kjo harmoni sjell lumturinë, të cilën me sa duket si lloj e kemi shndëruar në term abstrakt, në një kategori të humbur. Kjo ngase arsyeja dhe dija e tëhuajtur nga qenia, nuk mund ta rrokin të vërtetën e gjërave.

Nga përvoja mund të themi se duke lexuar Velin dhe kuptimin në fakt lexojmë shumë libra përnjëherë, komunikojmë me porosi të jashtëzakonshme, ndriçohemi me vlera tradicionale që ky autor me ligjëratën e vet ia risjell kontekstit aktual të jetës dhe qenies tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button