Angazhimi strategjik

Ashtu si BE dhe SHBA kanë përshëndetur marrëveshjen e fundit për targat në mes Serbisë dhe Kosovës, në Samitin e Bërdos, burokracia evropiane edhe njëherë tregoi se nuk ka një strategji të qartë dhe afatgjate rreth zgjerimit me anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor. Disa e kanë kritikuar qëndrimin evropian e sidomos atë të Kancelares gjermane në largim Angela Merkel se vendet e WB-6 nuk janë të përgatitura për të hyrë në union. Diçka këtu është e vërtetë se deri më tash kleptokratët e Ballkanit dhe korrupsioni i lartë kanë ndikuar në forcimin e qëndrimit të Brukselit se shteti ligjor është vetëm një propagandë e qeverive ballkanike. Dhe këtu si opsion i vetëm mbetet vonesa e anëtarësimit dhe mos caktimi i një date për vendet aspirante nga Ballkani. Përkundër kësaj, qeveria e SHBA-së nëpërmjet zëdhënësit të Stejt Departamentit ka bërë të qartë se SHBA e mirëpret deklaratën për Ballkanin Perëndimor të BE-së, ku Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia duhet të vazhdojnë të demonstrojnë angazhimin e tyre për reformën në drejtësi. Gjithashtu përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE-së Xhozef Borelli ka deklaruar se SHBA mbetet partneri më i afërt dhe më i rëndësishëm i BE-së. “Koordinimi i politikës së jashtme transatlantike është kyç për një botë të qëndrueshme, të prosperuar dhe demokratike”. “Shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet duhet të përmbushin angazhimet e tyre. Kurse në rrugën drejt Evropës, zgjerimi kërkon që të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të vazhdojnë me reformat. “Por ne duhet t’i japim një vazhdimësi të besueshme procesit të zgjerimit” -ka thënë Borelli.

Nuk ka dyshime këtu nga ajo çka thonë zyrtarët e lartë të SHBA-së dhe BE-së se dera e BE-së duhet të mbetet e hapur për shtetet e Ballkanit, por çështjet janë më të ndërlikuara nga ajo si duken punët në raportet në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në mes Kosovës dhe Serbisë dhe si duhet Uashingtoni dhe Brukseli të sillen me qeveritë apo zyrtarët e korruptuar të shteteve të Ballkanit.

Pasi BE-ja po heziston të zgjerohet me anëtarë të rinj, SHBA përkundër deklaratave formale duhet të riaktivizohet seriozisht në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Bosnjë ku politikat amerikane kundër-korrupsionit nuk po ndjehen dhe ku po aty ndikimi i jashtëm është më i fortë. SHBA-ja në mungesë të qartësisë së BE-së, do të duhet të nënshkruajë marrëveshje të karakterit strategjik që do t’i lidhte edhe më fortë këto shtete me SHBA. Për ta bërë këtë, do të duhet që shtetet përkatëse të kenë një sistem të fortë të drejtësisë, ekonomi të qëndrueshme dhe nivel të ultë të korrupsionit.

SHBA-ja ka disa mjete që mund t’i detyrojë qeveritë e rajonit t’i përmbushin kërkesat e Uashingtonit. Me anë të akteve ndërkombëtare të korrupsionit dhe ato të miratuara në Kongres kundër kleptokracisë, SHBA mund të arrijë shumë në aspektin e pastrimit të shteteve nga krimi i organizuar dhe ndërtimi i paqes që më vonë do të shfrytëzohej si rrugë për të nënshkruar marrëveshjeve të posaçme me qeveritë e rajonit. Mos të harrojmë se nga viti 1993, SHBA ka nënshkruar një mori marrëveshjesh dypalëshe me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Por, në kohën e ndarjeve të mëdha dhe dilemës së BE-së rreth zgjerimit, pa lënë anësh këtu edhe korrupsionin e lartë të qeverive ballkanike e sidomos në MV, Shqipëri, Serbi dhe në Kosovë, SHBA-ja e ka patjetër të mbajë rolin kryesor të sigurisë dhe rritjes së shkëmbimit tregtar strategjik me shtetet e Ballkanit Perëndimor si mburojë kundër aktorëve të rinj në Evropë dhe në Ballkan. Kryeministrat e vendeve tona në vend se të akuzojnë BE-në, është mirë të fillojnë t’i përfundojnë reformat dhe të presin që SHBA t’i lidhë në një union të përbashkët ku ekonomia do t’i mbyllte shumë procese të hapura historike dhe konflikte që vazhdojnë të mbajnë Ballkanin të varur aq shumë nga BE-ja, Rusia dhe malli kinez.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button