U rivarrosën shtatë viktimat e masakrës së Rezallës

Në Rezallë të Skenderajt, të shtunën më 9 tetor u rivarrosën mbetjet mortore të shtatë personave, që u vranë në luftën e fundit në Kosovë më 1998-99, raporton REL. Mbetjet mortore të këtyre shtatë viktimave u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. Disa mbetje mortore të dy viktimave ishin gjetur më herët në Rudnicë të Serbisë dhe iu bashkuan mbetjeve të tjera mortore që u gjetën në Kizhevak.

Rivarrimi i shtatë viktimave u bë pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri ekzaminimet e nevojshme. Ceremonia e varrimit u organizua nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe nga Komuna e Skenderajt.

Mbetjet mortore të shtatë viktimave civile shqiptare u kthyen në Kosovë më 30 shtator dhe ato iu dorëzuan autoriteteve të Kosovës në pikëkalimin kufitar në Merdare.

Në ditën kur u kthyen mbetjet mortore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi nga Merdarja se masakra e Rezallës “është një nga dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.

Viktimat ishin nga fshati Rezallë, ku më 5 prill të vitit 1999, në masakrën e kryer në këtë fshat u vranë 98 persona.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët ishin bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet. Deri tash nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave. Rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button