Simfonia e 10-të e Beethovenit përfundohet nga inteligjenca artificiale

Me ndihmën e algoritmeve studiuesit kanë arritur të kompozojnë deri në fund simfoninë e 10-të të Beethovenit, raporton DW. Janë programet kompjuterike aq kreativë sa gjenitë e muzikës?

Algoritmet janë pjesë e jetës sonë të përditshme. Qoftë tek ecja me automjet, në botën e punës e të tjera, pa inteligjencë artificiale shumë gjëra njeriu nuk bën dot më. Në këtë drejtim të paktën kreativiteti dukej sikur ishte një ekskluzivitet i trurit të njeriut. Por po shtohen shenjat se edhe ky bastion po bie. Pasi kompjuterat i përfunduan deri në fund kompozimet e Gustav Mahlerit dhe Franz Schubertit, i erdhi radha Ludwig van Beethovenit. Kur kompozitori ndërroi jetë në vitin 1827, ai e la të papërfunduar simfoninë e tij nr 10-të. Nga kjo vepër kanë mbetur skica me dorë, pjesërisht fragmente të papërnuara. Me rastin e 250 vjetorit të lindjes së Beethovenit, vepra e tij, – disi e vonuar për shkak të Coronës,- me ndihmën e inteligjencës artificiale prezantohet në 9 tetor 2021 në kuadër të Festës së Beethovenit në Bon. Për këtë koncerni Telekom, me seli po në Bon ngriti një ekip ekspertësh. Një grup kompozitorësh, studiuesish dhe informaticienësh u përpoq të analizonte stilin e kompozitorit gjeni dhe të mbaronte “të pambaruarën”.

Mësuam stilin e Beethovenit

Inteligjenca artificiale u furnizua me skica e shënime të Beethovenit si edhe partitura të kompozitorëve të kohës. “Këtë duhet ta kuptosh kështu, që Beethoveni në momentin që kishte ide të reja mbante shënime. Disa herë si fjalë, disa herë si nota muzikore”, thotë Matthias Röder, drejtor i Institutit Karajan në Salcburg. Duke u nisur nga ky material, drejtuesi i projektit me ekipin e tij bënë supozime, se “si do t’i kishte zhvilluar ai vetë gjëra të caktuara”, thotë Röder. Muzika bazohet në njësi të caktuara si gjuha. Prandaj bëhet fjalë fillimisht që inteligjenca artificiale të mësonte. Simfonitë, sonatat në piano, kuartetet në violinë iu ofruan inteligjencës artificiale rregullisht për “ta trajnuar”, Si në trurin e njeriut që ka rrjetin neuronal, kompjuteri është në gjendje të krijojë vetë lidhje të reja. Rezultatet që përshtateshin më mirë me njëra-tjetrën u rifutën në sismtem duke iu dhënë nota të reja.

Njeriu dhe makineria plotësojnë njëri-tjetrin

Kështu u krijua kompozimi i ri artificial. “Ajo që na lejon inteligjenca artificiale është mundësia e ofrimit të një sekuence në 20 apo 100 variante të ndryshme. Kjo është e mrekullueshme, sepse nëse është punuar mirë me algoritmin, atëherë çdo tentativë bën sens”, thotë Robert Levin, studiues i muzikës nga Universiteti Harvard.

Për studiuesit bashkëpunime të tilla janë mjaft interesante, sepse ato japin të dhëna si makineritë mund të mbështesin njeriun, ose të imitojnë kapacitetin kreativ. “Ne u përpoqëm të kuptonim se cila është gjendja e teknikës në zhvillimin e muzikës dhe jemi përpjekur të testojmë kufijtë. Në fund përdorëm disa module të të ashtuquajturit  Natural Language Processing, që janë frymëzuar nga përpunimi natyror i gjuhës”, thotë Ahmed Elgammal, drejtor i i Art&Art Lab të Universitetit Rutgers në Nju Jork dhe zhvillues i inteligjencës artificiale të Beethovenit. Por e kanë vlerë projekte të tilla për muzikantët?

“Mund të thuhet se kompjuteri vepron në bazë të algoritmit. Po, por njeriu e bën në bazë të përvojës dhe arsimimit. Ata nuk janë patjetër shumë larg njëri-tjetrit”, thotë profesori Levin.

Se sa ndjehet kalimi nga origjinali tek kompozimi i inteligjencës artificiale, këtë publiku mund ta kuptojë kur të ndjekë simfoninë e luajtur nga orkestra e Bonnitnën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm muzikor të saj, Dirk Kaftan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button