Tetovë, mes kafes dhe bisedave, bartësit e listave për këshilltarë komunal prezantuan programet e tyre

Mbrëmë në Tetovë u mbajt edicioni i gjashtë i BarCamp Tetova. Tema e edicionit të gjashtë ishte zgjedhjet lokale, ku bartësit e listave për këshilltarë komunal shpalosën platformat dhe projektet e tyre për komunën e Tetovës, më pas qytetarët parashtruan pyetjet e tyre për bartësit e listave, shkruan Portalb.mk.

Nën moderim të gazetarit Ardit Ramadani, bartësit e listave shpalosën programet e tyre për këshillin komunal të Tetovës. Nga rradhët e BDI-së ishte Blerim Osmani , nga koalicioni ASh-AAA Muzafer Etemi, nga Lëvizja Besa Besar Durmishi dhe Hamdi Sulemani nga nisma “Më Mirë për Tetovën”, i ftuar ishte edhe Pajtim Thaçi nga PDSH por nuk u paraqit në ngjarje.

Ky edicion u fokusua në problemet që ka Tetova dhe mënyrat se si komuna bashkë me qytetarët mund të kontribuojnë për përmirësim të zbatimit të ligjit, planit urbanistik, mbrojtjen e natyrës, stimulimit të arsimit, kulturës dhe sportit.

Pasi prezantuan programet e tyre, më pas u zhvilluan pyetje dhe diskutim me qytetarët. Gazetari i Portalb.mk e ndoqi ngjarjen dhe parashtroi pyetje deri te bartësit e listave që ishin prezent.

Pyetja e gazetarit të Portalb.mk: Si gazetar deri tani kur kam kërkuar informacione nga ana e komunës, në shumicën e rasteve përgjigjet kanë qenë të turbullta, në plotë raste nuk kam marrë përgjigje, ose nuk kam marrë përgjigjet që kam kërkuar, çfarë premtoni se si listë këshilltarësh do të ndërmerrni për transparencën e komunës?

Kështu u përgjigjen bartësit e listave:

Muzafer Etemi nga koalicioni ASh-AAA: “Sa i përket transparencës në programin tonë është paraparë kjo, është elementi i parë që duhet të jetë. Të gjitha të dhënat në komunë, të hyrat dhe të dalat duhet t’i dijë çdo qytetar, të paktën ashtu duhet të jetë, dhe do të jetë në të ardhmen. Ne mendojmë se do të ketë formë se si do të njoftohet çdo qytetar por veçanërisht mediumet.”

Blerim Osmani nga BDI: “Kemi në program për sa i përket transparencës, si në ueb ashtu edhe në takimet direkte kryetarja me qytetarët. Në ueb do të bëhet E-komuna ku të gjitha shërbimet do të kyçen në formë elektronike dhe në kuadër të asaj besoj se do të rindërtohet ueb faqja e komunës, në të cilën besoj se do të ketë edhe të dhëna siç janë ato buxhetore dhe të ndryshme.”

Hamdi Sulejmani nga “Më Mirë për Tetovën”: “Pikën e parë që do të bëjmë ditën e parë që do të hyjmë në këshillin komunal, është video transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave të këshillit. Kjo do të jetë pika e parë që do të marrim ne. Nëse nuk e bën komuna do ta paralajmëroj një javë më parë, një javë para se të mbahet seanca, do ta bëj personalisht me telefonin tim, ta dini këtë do ta ndiqni në rrjetet sociale.”

Besar Durmishi nga Lëvizja Besa: “Me ardhjen tonë do të ketë njeri në zyrën për informim, do të ketë numër telefoni edhe seancat do të jenë online.”

Ndryshe, BarCamp-i është një ngjarje joformale që përkrahet nga komuniteti dhe në mes tjerash i jep shumë rëndësi debatit interaktiv ndërmjet folësit dhe pjesëmarrësve.

Zgjedhjet lokale do të mbahen me 17 tetor. Fushata parazgjedore vijon dhe duhet të përfundojë më 15 tetor, kur edhe fillon heshtja zgjedhore në mesnatë, ndërsa rrethi i dytë për kandidatët për kryetarë komunash do të zhvillohet më 31 tetor, konkretisht në komunat ku nuk do të ketë fitues pas raundit të parë të votimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button