Fushata zgjedhore në RMV, vazhdojnë premtimet nga partitë politike

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut dhe kandidatët e pavarur pjesëmarrës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit edhe sonte kanë vazhduar me shpalosjen dhe prezantimin e programeve të tyre zgjedhore për të fituar besimin e qytetarëve për qeverisje të komunave në katër vitet e ardhshme, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev theksoi se me decentralizimin nga viti i ardhshlm do të sigurojnë më shumë të ardhura për komunat, më shumë të holla në arkat e komunave që të investojnë në rrugë, në rrjete kanalizimi dhe ujësjellësi, ndërtim të shkollave, kopshteve dhe sallave të sportit, për projekte “të cilët realisht do ta avancojnë jetën e qytetarëve në çdo komunë”.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti nga Dibra sonte ka thënë se kanë hapur  një kapitull të ri, Agjendën e gjelbër, me ekip të mirë dhe vizion, andaj këtë agjendë duhet të çojmë përpara.

Kandidati për kryetar të Komunës së Aerodromit nga VMRO-DPMNE-ja, Timço Mucunski ka paralajmëruar realizimin e katër kopshteve të reja, me zero shpenzime për prindërit, kinema, teatër, leximore, park zbavitës, komunë bashkëkohore dhe urbane, si ndihmë sllovene për qasje deri në fonde evropiane.

Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës i mbështetur nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Aleanca, Vullnet Murseli në hapjen e shtabit në Lagjen Gam-Gam gjatë bisedës shpalosur dhe pikat e programit për këtë lagje: pastrimi i shtratit të lumit dhe shëtitores, investim në ndriçimin rrugor, park për fëmijë, zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në këtë lagje.

Kryetari i Lëvizjes Besa dhe njëherit kandidat për kryetar të Komunës së Tetovës Bilall Kasami në takimin me qytetarët e lagjes “Teteks 1”, ka informuar se ka marrë konfirmim se kanë siguruar kompani sllovene për zgjidhjen e problemit me mbeturina, projekti parasheh jo vetëm sistemimin por edhe reciklimin e mbeturinave.

Kandidati dhe kryetari aktual i Qytetit të Shkupit i mbështetur nga LSDM-ja Petre Shilegov sot e prezantoi projektin për Parkun e ri zbavitës në Shkup, i cili pritet të përfundojë për një vit e gjysmë, i cili do të gjindet në Luna Parkun e vjetër.

Kandidatja e pavrur për kryetare të Qytetit të Shkupit Danella Arsovska në takimin e sotëm me qytetarët e Butelit ka premtuar se do të mundësojë gazifikim për çdo amvisëri me subvencionim të kyçjes, lidhje të Butelit me Gazi Babën dhe se nuk do të ketë komuna të harruara në Shkup.

Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski qytetarëve u premtoi më shumë gjelbërim, parqe, kënde fëmijësh, fusha sporti, më shumë trotuare, qarkore, rrugë të sigurta, kopshte dhe shkolla moderne, komunë të përgjegjshme dhe transparente.

Në Tetovë, sonte u mbajt edicioni i gjashtë i BarCamp Tetova, në të cilin bartësit e listave për këshilltarë komunal shpalosën platformat dhe projektet e tyre për komunën e Tetovës. Ky edicion u fokusua në problemet që ka Tetova dhe mënyrat se si komuna bashkë me qytetarët mund të kontribuojnë për përmirësim të zbatimit të ligjit, planit urbanistik, mbrojtjen e natyrës, stimulimit të arsimit, kulturës dhe sportit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button