RMV, femrat ende janë më pak të paguara nga meshkujt, mekanizmat për mbrojtje nuk janë efikas

Të dhëna të freskëta zyrtare statistikore lidhur me hendekun në të ardhurat e meshkujve dhe femrave në vend nuk ka. Sipas një analize të publikuar në korrik 2020, në të cilën përdoren të dhëna nga Eurostat nga viti 2018, femrat në Maqedoni mesatarisht fitojnë 15% më pak se meshkujt, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

 

Kjo analizë është titulluar “Më shumë punë më pak para: Si të zvogëlohet hendeku gjinor në rrogat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa është botuar nga: Koalicioni “Të drejta seksuale dhe shëndetësore të bashkësive të margjinalizuara” MARGINI Shkup, Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi.

 

Është fakt që problem me hendeku në rrogat ekziston në nivel botëror, megjithëse duket sikur në shekullin 21 nuk ka dallim në rrogat ndërmjet meshkujve dhe femrave që punojnë punën e njëjtë ose të ngjashme, në veçanti që femrat aspak nuk janë më mbrapa se meshkujt në shkallën e arsimit, por përkundrazi, është arritur përparim marramendës.

 

‘Tavani i qelqit’ apo pengesa e padukshme për suksesin e femrave

 

Kryetarja e Shoqatës së femrave afariste, Valentina Disoska për “Meta.mk” konsideron që deri tani është punuar shumë në vetëdijesimin e femrave për t’i kërkuar të drejtat e tyre, por këtu gjithmonë ka pasur dy forca që tërheqin në drejtime të ndryshme, nga njëra anë janë punëdhënësit, nga tjetra anë punëtoret.

 

“Vlerëson që duhet të punohet me të dy palët për të fituar rezultate, në të kundërtën fitojmë nga njëra anë punëtore të inkurajuara, ndërsa në anën tjetër punëdhënës të papërgatitur, si dhe trajtim joadekuat në institucionet dhe këtu shpesh paraqitet situatë konfliktuoze. Prandaj, ndryshimi i punës dhe zgjerim i fokusit janë të domosdoshëm për t’u bërë ndryshime të vërteta,” thotë Disoska.

 

Ajo shton që nga hulumtimi i fundit që e kanë bërë me Biznes konfederatën në vitin 2016, janë prodhuar të dhënat që femrat në pozitat më të larta në top 100 kompanitë që gjenden në bursë janë vetëm 2 përqind. Por, megjithatë, shton bashkëbiseduesja jonë, mungesa e të dhënave statistikore e bën këtë temë të panjohur madje edhe tabu temë, për shkak se nuk ka me çka të punohet kur krijohen politika.

 

“Përshtypje e përgjithshme është që femrat ballafaqohen me të ashtuquajturin ‘tavan të qelqit’, e kjo është ajo pengesa e padukshme që i pengon femrat të ngjiten shkallëve të suksesit në kompanitë dhe e hasim gjatë pozicionimit të tyre”, thotë Disoska.

 

Ajo shton që femrat arrijnë deri në ndonjë pozitë të lartë, më së shpeshti ekzekutive, për shkak se janë të njohura për nga kryerja e mirë e detyrave të tyre, por shumë pak kalojnë përtej ‘tavanit të qelqit’ për të arritur në pozitën vendimmarrëse ose në nivelin më të lartë menaxhues.

 

“Për pozicionimin e këtillë të femrave në kompanitë ndikojnë shumë faktorë. Para se gjithash, të mos e harrojmë mentalitetin që te ne ende luan rol të madh në sjelljen e vendimeve. Këtu, më konkretisht fjala është për pozicionimin e femrës në shoqëri si punëtore dhe realizuese e mirë, por nuk është identifikuar si menaxhere dhe drejtore cilësor. Pastaj, mënyra e menaxhimit të biznesit, që shumë shpesh del nga kufijtë e orarit të punës, menaxhimi i biznesit jashtë zyrës dhe shumë faktorë të tjerë çojnë deri te ‘tavani i vendosur i qelqit’, sqaron Disoska.

 

Ligji ofron mbrojtje, mirëpo niveli i informimit është i ulët

 

Ligji për mbrojtje dhe parandalim të diskriminimit i rregullon mundësitë e barabarta ndërmjet meshkujve dhe femrave, por ekzistojnë edhe mundësi për paraqitjen e hendekut gjinor.

 

“Legjislacioni i punës pjesërisht garanton rrogë të barabartë për të njëjtën punë dhe rrogë të barabartë për punë me vlerë të barabartë, megjithatë mangësia e dispozitave ligjore dhe nënligjore nuk mundëson udhëzim të qartë për ekzistim dhe mbrojtjen e këtyre dy instituteve”, thotë Disoska.

 

Sipas saj, kjo e thekson nevojën për zbatim të plotë të legjislacionit evropian për punë, para se gjithash Direktiva 2006/54/BE (e përpunuar) në LMP, si dhe për trajtimin e të drejtave të punëtorëve në qasjen te të drejtat e njeriut dhe Kartën e BE-së për të drejtat e njeriut.

 

“Fakti që nuk ka informata për asnjë procedurë të iniciuar në shtet për mbrojtjen e të drejtës për page të barabartë për të njëjtën punë dhe page të njëjtë për punë me vlerë të njëjtë në tre vitet e fundit, flet për dy aspekte: së pari, që mekanizmat për mbrojtje nuk janë efikas në veprimin e mekanizmave gjyqësorë dhe administrative të mbrojtjes. Së dyti, flet për mungesën e qasjes dhe për mosbesimin në institucionet, për informim të pamjaftueshëm e për stigmatizim të mundshëm dhe frikë nga reperkusionet nga vendi i punës te femrat-punëtore”, thotë Disoska.

 

Sipas ekonomistes kryesore dhe drejtores ekzekutive të “Fajnans think”, Bllagica Petreski, për t’u zvogëluar hendeku gjinor në rroga, duhet të rritet vetëdija e femrave për pjesëmarrje më të madhe në tregun e punës.

 

“Rritja e vetëdijes është proces afatgjatë dhe kërkon, krahas vetë-motivimit për realizim të jetës profesional edhe mbështetje familjare përkatësisht përkrahje nga partneri. Fillimisht mbështetje në kërkimin për punë, kurse pastaj edhe në ndarjen e obligimeve familjare. Momenti i dytë i rëndësishëm është të tejkalohen stereotipat në ndarjen e profesioneve mashkullore dhe femërore, ndërsa femrat ta përforcojnë intencën në kërkim të punës në të ashtuquajturat profesione mashkullore,” thotë Petreski.

 

Ajo thekson që hendeku gjinor në rrogat me kalimin e kohës është zvogëluar, ndërsa kjo pjesërisht është rezultat edhe i masave për rritje të pagës minimale.

 

“Shumë nga popullata femërore janë të punësuara në vende pune që paguhen pak, siç janë industria e tekstilit dhe e lëkurës. Me rritjen e rrogës minimale, rritja në rrogat më të ulëta ishte më e madhja dhe erdhi deri në barazim më të madh”, shton Petreski.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button