fbpx

RMV, vetëm 25 komuna kanë kohë të përcaktuar për konsultime të kryetarit të komunës me qytetarët

Njësitë e vetëqeverisjes lokale kanë vlerësim prej 33 përqind në nën-fushën e ndërveprimit me qytetarët, tregojnë disa nga rezultatet e fituara nga hulumtimi i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri Metamorfozis, në kuadër të Projektit të USAID-it për pjesëmarrje qytetare. Anketa e komunave zgjati nga 1 qershori deri më 15 korrik 2021, dhe mbuloi të gjitha 80 komunat dhe qytetin e Shkupit, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Shumica e komunave kanë profile zyrtare në Facebook, dhe disa kanë profile në media të tjera sociale. Hulumtimi tregon se vetëm 25 komuna kanë publikuar kohë për konsultime të kryetarit me qytetarët në ueb-faqet e tyre. Vetëm 10 njësi të vetëqeverisjes vendore vitin e kaluar kanë vepruar sipas propozimit nëpërmjet njërit prej mjeteve për pjesëmarrjen qytetare (iniciativa qytetare, tubim i qytetarëve, referendum, ankesa dhe propozime).

Sa i përket rajoneve të planit, në nën-fushën ndërveprimi me qytetarët, Njësitë e vetëqeverisjes lokale në rajonin Juglindor janë më të vlerësuarat (40 përqind), ndërsa komunat në rajonin Jug-Perëndim janë më të ulëtat (23 për qind).

Komunat  Vallandovë dhe Koçani janë renditur më së larti me 75 përqind, ndërsa komunat e Plasnicës dhe Bogdancit janë të ulëta me 0 përqind.

Komunikimi me qytetarët është me interes të ndërsjellë

Kryetari i Komunës së Valandovës, Pero Kostadinov për “Meta.mk” thotë se transparenca është parametër thelbësor për qeverisje të përgjegjshme dhe ushtrim të ndershëm të funksioneve publike.

“Ne e vendosëm qëllimin lart, iu përkushtuam atij dhe ia dolëm ta arrijmë. Kemi krijuar sistem të transparencës së përditësuar dhe është me rëndësi të madhe për ne. Jam i lumtur që e kemi arritur këtë nivel dhe do të bëj çmos për ta mirëmbajtur dhe përmirësuar atë”, tha Kostadinov.

Ai shton se komunikimi me qytetarët është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kjo është arsyeja për të cilën ata r kanë ndërtuar një ekip të trajnuar dhe të përkushtuar për të punuar në rrjetet sociale. Në atë mënyrë, komuna komunikon me qytetarët dhe i informon ata për çdo vendim, dhe, siç theksoi Kostadinov, po ndërtohet bashkëpunimi afatgjatë.

“Komunikimin në rrjetet sociale e ndjekim me vigjilencë, jemi të përditësuar dhe bëjmë çmos për t’iu përgjigjur shpejt çdo iniciative apo sugjerimi qytetar. Qëllimi është i përbashkët, ne duam një komunitet më të mirë dhe së bashku po ndërtojmë një të ardhme këtu. Për këto arsye, çdo sugjerim i vetëm është i mirëpritur dhe ne jemi të përkushtuar ndaj tij. Besojmë fuqimisht në punën transparente dhe ,me anë të kësaj mënyre të funksionimit e forcojmë besimin reciprok me qytetarët”, thotë Kostadinov.

Kryetari i Vallandovës thekson se nëpërmjet ndërveprimit prioritetet e qytetarëve arrihen në mënyrë shumë më efikase, kurse ky është interes i ndërsjellë. Në atë mënyrë, sipas tij, forcohet besimi dhe rritet efikasiteti i institucioneve.

Komunat të përdorin mjete digjitale dhe përfitimet e teknologjisë

Në bashkëveprimin e Komunës së Vallandovës me qytetarët, vegla digjitale “mKomuniteti“, (mZaednica) është ndihmë e madhe, e cila është shembull i mirë për komunikim.

Marija Vasilevska nga Qendra për Inovacionin Social “Blink 42-21” e cila krijoi “mKomuniteti”, për “Meta.mk” thotë bëhet fjalë për platformë interaktive digjitale që përbëhet nga një aplikacion mobil dhe ueb aplikacion për qytetarët, si dhe një panel administrativ për komunat. Nëpërmjet kësaj vegle, qytetarët mund të raportojnë problemet dhe t’i adresojnë ato në shërbimet përkatëse komunale.

Platforma është azhurnuar në mënyrë që qytetarët, në komunat e të cilëve përdoret ky aplikacion, të mund të aplikojnë për subvencione të biçikletave, por edhe komunat të përpunojnë të dhëna.

“Tani secila bashki mund të marrë të dhëna në 16 kategori dhe t’i përpunojë ato dhe në bazë të kësaj të bëjë politika që burojnë nga kërkesat e qytetarëve dhe nevojat e tyre, por edhe problemet që ikanë raportuar. Me kategori nënkuptojmë lloje të ndryshme të obligimeve që ka komuna ndaj qytetarëve, kështu që në bazë të atyre të dhënave mund të nxirren dhe të bëhen politika të mëtejshme, në mënyrë që komuna të jetë më afër qytetarëve”, thotë Vasilevska.

Sipas saj, problemet që i raportojnë qytetarët mund të duken të vogla dhe të parëndësishme, por gjithsesi ato çojnë në progres dhe ndryshim në komunitetet në të cilat jetojmë. Kjo platformë aktualisht përdoret në komunat Karposh, Vallandovë dhe Koçan.

Fondacioni Metamorfozis informoi se “Indeksi i Hapjes tregoi se në matjen për vitin 2021 komunat e Ohrit (51%), Vasilevë (48%) dhe Koçani (48%) kanë rezultatet më të mira, ndërsa komuna e Pllasnicës (3%) renditet më së poshti”.

Sondazhi i vitit 2021 zbuloi se shumica e komunave nuk punojnë shumë për të përmbushur standardet e hapjes. Rezultatet në fushat tregojnë se NJVL-të zbatojnë standarde të ulëta për konsultim, transparencë, monitorim dhe kontroll në punën e tyre.

Kështu, disa komuna nuk i përditësojnë rregullisht të gjitha versionet gjuhësore të faqeve të internetit, ndërsa shumica e komunave nuk kanë dokument (strategji, politikë, procedurë) në lidhje me hapjen dhe transparencën. Komunat duhet, gjithashtu, të investojnë më shumë në edukimin e punonjësve rreth këtyre temave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button