Bexheti premton hidrocentrale, Zeqiri akuzon për Kalanë

Kandidatët për kryetarë të Tetovës, Izet Zeqiri, Sadi Bexheti dhe Teuta Arifi vazhdojnë aktivitetet e tyre parazgjedhore.

Mbrëmë, kandidati i PDSH-së Bexheti në një takim me banorët e fshatrave të malësisë së Tetovës u ka premtuar atyre se do të fillohet me ndërtimin e katër hidrocentraleve të reja dhe ka prezantuar Planin e ri urbanistik për Kodrën e Diellit.

“Plani i ri urbanistik për Kodrën e Diellit që tashmë e kemi gati përcakton një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe mjedisor të kësaj qendre turistike. Zhvillimi i Kodrës së Diellit në nivelin e qendrave të njohura turistike do të ndikojë edhe në zhvillimin e fshatrave të Malësisë”, tha Bexheti para banorëve të fshatrave së Tetovës –  Bozovcë, Veshallë, Lisec, Gajre, Vicë, Sellcë, Llacë dhe Shipkovicë.

Ai më tej shtoi se gjatë qeverisjes katërvjecare me komunën e Tetovës gjithnjë janë shqyrtuar kërkesat e banorëve të vendbanimeve të malësisë dhe në bazë të tyre janë vendosur prioritetet për investime. Andaj në shumë vendbanime janë ndërtuar mure mbrojtëse që kanë qenë të rëndësishme për parandalimin e rrëshqitjes së tokës, në Shipkovicë është rregulluar kanalzimin atmosferikë, është investuar edhe në shkollat e malësisë për të përmirësuar kushtet, konkretisht është bërë rikonstruimi i objektit shkollor në fshatin Gajre dhe ndërtimi i terrenit sportive në fshatin Llacë.

Izet Zeqiri: Kalaja e Tetovës është lënë pas dore 

Kandidati i RDK-së për Tetovën Izet Zeqiri dje ka qëndruar në Kalanë e Tetovës. Ai ka akuzuar Ministrinë e kulturës dhe pushtetin lokal se e kanë lënë anësh këtë lokalitet kulturor.

“Këta institucione nuk kanë ndarë mjete për restaurimin e kësaj Kalaje. Edhe pse ekziston projekti për restaurim ku janë paraparë 1 milionë  e 300 mijë euro, megjithatë pushteti nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë” tha Zeqiri.

Ai theksoi se të gjitha monumentet historike maqedonase janë duke u digjitalizuar ndërsa Kalaja e Tetovës nuk është restauruar  akoma. Ai premtoi se nëse merr mandatin, do të rikonstruojë këtë lokalitet. 

Arifi takohet me përfaqësuesit e mediave

Sot kandidatja për kryetare të Tetovës nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim do të takohet me përfaqësuesit e medieve në Tetovë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button