Carovska – Nagavci: Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të bashkëpunojnë në arsim

Ekipet nga Ministritë e Arsimit të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në periudhën e ardhshme do të punojnë intensivisht në përgatitjen e dokumenteve me të cilat do të përcaktohet mundlsia e bashkëpunimit dhe përmirësimit të sistemeve arsimore si bazë për zhvillimin e të dy vendeve, transmeton Portalb.mk.

Kjo ishte tema e bisedës në takimin e sotëm në Shkup midis ministrave të arsimit të të dy vendeve fqinje, Mila Carovskës dhe Arbërie Nagavcit, e cila është rezultat i seancës së përbashkët të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të mbajtur muajin e kaluar në Shkup.

Në një deklaratë për mediat pas takimit, Carovska tha se me Nagavcin diskutuan për konceptin e ri të arsimit që zbatohet në sistemin tonë arsimor, digjitalizimin dhe sfidat në arsimin e lartë dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive të institucioneve të arsimit të lartë.

“Konsiderojmë se dy vendet tona, të cilat kanë sfida të ngjashme, duhet të bashkëpunojnë më intensivisht. Më vjen mirë që ministrja e Arsimit e Kosovës po viziton sot vendin tonë dhe me ekipin e saj biseduam për bashkëpunimin e mundshëm dhe thellimin dhe shkëmbimin e përvojave. Biseduam për nënshkrimin e mundshëm të një memorandumi bashkëpunimi dhe një marrëveshje dhe programi për bashkëpunim në periudhën e ardhshme”, tha Carovska.

Kënaqësinë nga takimi dhe mundësi për bashkëpunim shprehu edhe ministrja e Kosovës e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci.

“Ishte kënaqësi që diskutuam për bashkëpunimin në vitet e ardhshme. Biseduam për marrëveshje dhe projekte konkrete mbi të cilat mund të punojmë në të ardhmen në shkollë dhe arsim të lartë dhe t’u japim më shumë mundësi të rinjve nga të dy vendet”, tha Nagavci, duke shtuar se si vende fqinje dhe miq të mirë do të punojnë në projekte në dobi të të gjithë të rinjëve.

Në pres-konferencën në të cilën ministrja e Kosovës fliste në shqip dhe në anglisht për shkak të përkthimit jo të duhur në gjuhën maqedonase, u drejtua edhe zëvendës-ministri Arafat Shabani, duke theksuar se nuk ka çështje të hapura në fushën e arsimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Takimi i sotëm në Shkup është fillimi i arritjes së qëllimeve të cilat i kanë vënë dy vendet – anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por edhe në hapësirën arsimore moderne botërore. Mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës nuk ka çështje të hapura në arsim, ndërsa ekziston dëshira përhapjen e mundësive të reja për bashkëpunim dhe shpresoj që takimi i sotëm të jetë inicial në atë drejtim”, shtoi Shabani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button