RMV, ligji për legalizimin e objekteve pa leje ka hyrë në procedurë qeveritare

Ligji për legalizimin e objekteve pa leje është dorëzuar në Qeveri. Këtë e kanë konfirmuar për Portalb.mk nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, prej ku thanë se ligji ka hyrë në procedurë qeveritare. Prej aty kanë shtuar se, pritet që i njëjti të shqyrtohet në ndonjërën nga seancat e ardhshme qeveritare.

“Ligji ka hyrë në procedurë qeveritare. Do të thotë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e ka dorëzuar në Qeveri dhe në ndonjërën nga seancat e ardhshme do të shqyrtohet. Me siguri mbledhin mendime nga legjislacioni dhe në ndonjërën nga seancat e ardhshme ligji do të shqyrtohet”, thanë nga kjo ministri.

Ndërkohë, nga Qeveria, të pyetur për Portalb.mk, nuk kanë dhënë detaje se kur do të diskutohet për këtë ligj në seancë qeveritare, por thanë se kur do të jetë në rend dite në seancë qeveritare, do t’i ndajnë detajet me opinionin.

Kujtojmë, se kjo është hera e dytë për disa muaj që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve përgatit ligj për legalizimin e objekteve pa leje, përkatësisht ligj për përcaktimin e statusit ligjor të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Disa muaj më parë ministria përgatit një ligj dhe e dorëzoi në Qeveri. Qeveria miratoi ligjin e dorëzuar nga ministria dhe e dërgoi të njëjtin për votim në Kuvend.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 maj votoi ligjin për legalizimin e objekteve pa leje të propozuar nga Ministria e Transportit, me mbështetje nga deputetë edhe të pushtetit edhe të opozitës. “Pro” kanë votuar 72 deputetë, tre ishin “të përmbajtur”, ndërsа pesë “kundër”.

Miratimi i këtij ligji u prit me reagime negative në opinion nga ekspertë të fushës, aktivistë e organizata të ndryshme jo qeveritare.

Ambientalistët vlerësuan se Ligji është në kundërshtim me Kushtetutën, veçanërisht me dy nga vlerat themelore të nenit tetë, sundimi i të drejtës dhe rregullimi i humanizimit të hapësirës si dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe të natyrës. Në një letër të mbështetur nga 22 organizata qytetare, ata kërkuan nga presidenti, Stevo Pendarovski që të mos e nënshkruajë ligjin “e konstestueshëm” për përcaktim të statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje dhe ta kthejë atë në Kuvend.

Presidenti Stevo Pendarovski, vendosi veto mbi ligjin më 14 maj dhe e ktheu në Kuvend. Në vërejtjet e tij, Pendarovski ka thënë që Ligji nuk është kushtetues për shkak se ofron amnisti për persona fizik dhe firma për ndërtim pa leje dhe që në atë mënyrë stimulohet mosrespektim i dispozitave juridike. Ai e kontestoi edhe nenin nga Ligji me të cilin parashihet legalizim i objekteve pa leje në zona të mbrojtura dhe parqe nacionale, me arsyetim që ka shkelje të obligimit themelor të shtetit për ta mbrojtur mjedisin jetësor.

Kryeministri, Zoran Zaev fillimisht tha se, Qeveria do të vazhdojë me diskutim dhe përmes ekipeve profesioniste në Qeveri, munden të shkojnë një hap më tej në specifikimet më të hollësishme të legalizimit në parqet nacionale dhe zonat e mbrojtura.

Por, më 29 maj Qeveria, në bazë të raportimit të aktiviteteve të realizuara dorëzuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve solli Vendim për tërheqje të Ligjit për përcaktim të statusit juridik të objekteve pa leje.

Pas kësaj, Ministria e Transportit përgatiti ligj të ri, pas propozimeve të mbledhura nga partitë politike, asociacioni i arkitektëve, shoqata qytetare, qytetarë të rëndomtë…

E gjithë puna e legalizimit ka filluar në vitin 2011 kur Qeveria e atëhershme miratoi Ligj për legalizimin e objekteve pa leje. Afati për legalizim në vitet e kaluar disa herë është shtyrë dhe janë fituar mundësi të reja për legalizimin e objekteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button