KUR VIJNË ZGJEDHJET

Kur vijnë zgjedhjet (lokale a qendrore, krejt një) gjallërohen subjektet politike dhe nis sezoni i shfaqjeve levizëse teatrore kasaba më kasaba, katund më katund, mëhallë më mëhallë, shtëpi më shtëpi. Është kjo stina kur zgjedhësit që do ta hedhin votën për të preferuarit e tyre kanë mundësinë e rrallë për të takuar fytyrat e hareshme të kandidatëve që tani vijnë i vizitojnë vetinjëzeti aty ku janë, madje edhe në kurbet, ku ikën për shkak të mirëqenies me tepri që u ofron vendlindja.

Kur vijnë zgjedhjet gjithçka merr pamjen e ngjarjeve të vërteta festive, si karnevalet e moçme ku aktorët shfaqen me maska hëzresh që i dhurojnë miletit strajca me zahire për të kaluar javën e zgjedhjeve dhe thasë të mbushur me premtime për ditët me diell, që ndoshta do të vijnë kur të bëjë dushku dardha. Të ardhmen shpresëdhënëse e garantojnë portretet engjëllore të kryepleqve, që pozojnë billbordeve gjigante të vendosura shesheve e udhëkryqeve të kasabave të kristalizueme të Migjenit, ku njerëzit përgjërohen për pak shpresë.

Kush nuk do të dëshironte që kur vijnë zgjedhjet, në vend të premtimeve boshe, kandidatët që kërkojnë votat e sovranit t’i shpalojnë hartat e të ardhmes sonë; të premtojnë vetëm gjërat që mund t’i realizojnë vërtet, jo të shesin kopalla, të shpërndajnë mjegull e t’na i i kripin trutë…, sepse njerëzit dinë ta dallojnë të mirën nga e keqja. Ata nuk i kanë qejf rrenat, veçmas rrenat e përsëritura. Ata e dinë hallin e gjithsecilit që pretendon të zgjedhet.

Tani, më lejoni t’jua them atë që jua kam thënë para do vitesh në një shkrim si ky, që lidhet me detyrat të cilat do t’ia jepja vetes para se të kandidoja për zgjedhje, po t’ma kishte falur Zoti guximin për të kërkuar kollajshëm votën e popullit. Në një rast të tillë, do të matesha në peshore për ta njohur me peshën time reale; do ta sodisja veten gjatë në pasqyrë; do të kërkoja prej miqve dhe atyre që më kanë zët, t’ma thonë: si e shohin profilin dhe shpinën time; do t’i bija përokolla shpisë për të parë çarjet eventuale; do t’i lexoja pak më gjatë njerëzit në sy; do ta fusja nën llupë nivelin tim intelektual, aftësitë profesionale, veprat konkrete…; do ta ktheja kokën pas për t’u siguruar se s’më ndjek ndërgjegja; do t’i kruaja fanoliançe shokët e kauzës; do ta studioja takatin real të subjektit tim politik; do të mendoja gjatë si e ku t’i punësoj të papunët dhe  si do ta ndal ekzodin pa kthim të të rinjëve shqiptarë; do ta fusja nën llupë karakterin për t’u siguruar se kërkoj pushtet për të qenë në shërbim të zgjedhësve, jo për t’u bërë mbreti satrap i tyre; do ta bindja veten të kërkoj mandat të përkohshëm, jo për t’u tebdilosur në faraon narcisoid që e pandeh veten më të mençurin, më të zotin, më të mirin, më të pazëvendësueshmin, sepse pa këto përsiatje do t’i dëmtoja vetëdijshëm zgjedhësit e mi. Asgjë më shumë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button