Organizata për ushqim e KB-së: çmimet e ushqimit në shtator ishin më të lartat në dhjetë vjet

Çmimet e ushqimeve në tregjet botërore gjatë shtatorit u rritën për të dytin muaj me radhë, duke arritur një nivel rekord në dhjetë vitet e fundit, të nxitur nga rritja e çmimeve për drithërat dhe vajrat bimor, njoftoi dje Organizata për ushqim e Kombeve të Bashkuara (FAO), transmeton Portalb.mk.

Indeksi i Çmimeve të ushqimit të FAO -s, i cili ndjek çmimet e shportës së konsumit të ushqimeve bazë, u rrit 1.2 për qind në shtator në raport me me gushtin, duke arritur mesatarisht 130 pikë, niveli më i lartë që nga shtatori i vitit 2011. Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, megjithatë, indeksi është më i lartë me 32.8 përqind.

Çmimet e drithërave u rritën më së shumti muajin e kaluar, me dy përqind në krahasim me gushtin, duke pasqyruar një rritje të çmimeve të grurit me gati katër përqind për shkak të zvogëlimit të kapacitetit eksportues në kushte të kërkesës së fortë.

“Ndër kulturat drithërore kryesore, gruri do të jetë fokusi në javët e ardhshme pasi rritja  drastike e çmimeve do të testojë kërkesën”, theksoi ekonomisti i lartë i FAO-s, Abdolreza Abashian.

Çmime më të larta edhe të vajrave, qumështit dhe sheqerit – mishi stabil

Vajrat bimor gjithashtu u rritën ndjeshëm për 1.7 përqind në krahasim me gushtin. Kjo është për shkak të rritjes së çmimit të vajit të palmës nën ndikimin e kërkesës së fortë të importit dhe shqetësimeve të shkaktuara nga mungesat e fuqisë punëtore në Malajzi.

Çmimi i vajit të rrepës gjithashtu u rrit ndjeshëm, ndërsa vaji i lulediellit dhe sojës u liruan.

Krahasuar me shtatorin e kaluar, çmimet e vajrave bimor janë rreth 60 përqind më të larta.

Çmimet e qumështit dhe produkteve të qumështit janë më të larta për 1.5 përqind, duke pasqyruar rritje drastike të çmimeve të gjalpit dhe qumështit të yndyrshëm pluhur, të cilat nga ana e tyre ndikohen nga kërkesa e importit dhe kapaciteti i kufizuar i eksportit, veçanërisht në Evropë, për shkak të rezervave të ulëta dhe rënies sezonale në prodhimin e qumështit.

Sheqeri është rritur për 0.5 për qind në gusht për shkak të kushteve të pafavorshme të motit në vendin i cili është eksportuesi më i madh, Brazili, që pjesërisht u kompensua me ngadalësimin e kërkesës së importit dhe mundësive të favorshme të prodhimit në Indi dhe Tajlandë, tregojnë të dhënat e FAO-s.

Çmimet e mishit ishin stabile pasi rritja e çmimeve të mishrave të deleve dhe viçit për shkak të furnizimit të ulët kompensoi rënien e çmimeve të derrit dhe shpendëve nga ndikimi i furnizimit të tepërt dhe kërkesës më të dobët për mish derri në Kinë dhe Evropë.

EShS: Indeksi i harxhimeve për jetesë është rritur me 3.7%, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë me 5.6%

Tek ne nga ana tjetër, dje Enti Shtetëror i Statistikave publikoi të dhëna për harxhimet e jetesës. Sipas të dhënave, në shtator të këtij viti, indeksi i harxhimeve u rrit me 3.7 për qind, ndërsa ai për çmimet me pakicë për 5.6 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.

Nëse bëhet një krahasim, përsëri, me një muaj më parë në shtator krahasuar me gushtin e këtij viti, harxhimet e jetesës janë më të ulëta për 0.1 përqind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 0.5 përqind. Përveç ushqimit, në indeksin e harxhimeve, të cilin e publikoi EShS, janë përfshirë edhe harxhimet e transportit, librat, bizhuteritë, gazi, karburantet, tekstilet, pajisjet shtëpiake, etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button