Numri i të vaksinuarve në Rajonin juglindor është më i madh – ka qytetarë që janë vaksinuar në Shkup, Shtip, Serbi dhe Bullgari

Numri i personave të vaksinuar kundër Kovid-19 mbi 18 vjeç në Rajonin juglindor është shumë më i lartë se sa në të dhënat e publikuara nga Instituti i shëndetit publik. Kështu reagojnë udhëheqësit e disa prej qendrave shëndetësore përgjegjëse për të gjithë procesin. Sipas tyre, në të dhënat statistikore nuk regjistrohen sipas vendbanimit personat që janë vaksinuar në Shkup, Shtip, apo në Serbinë dhe Bullgarinë fqinje, por të dhënat bazohen në numrin e të vaksinuarve në Strumicë, Radovish, Vallandovë dhe Gjevgjeli, shkruan Vërtetëmatësi.

Në komunat e Rajonit juglindor vaksinimi kundër Kovid 19 po vazhdon në të gjitha pikat e vaksinimit që ishin të parapara në pajtim me programin e Ministrisë së shëndetësisë. Në Strumicë, Radovish, Vallandovë dhe Gjevgjeli procesi i imunizimit filloi nga fundi i muajit prill dhe fillimi i muajit maj, varësisht nga furnizimi me vaksina. Në Strumicë u hap pikë rajonale për vaksinim, ndërsa në qytetet e tjera të kësaj pjese të vendit qytetarët vaksinohen në mjedise të përshtatura për këtë qëllim në kuadër të shtëpive publike të shëndetit.

Gjatë analizës së fundit të numrit të personave të vaksinuar, Instituti i shëndetit publik ka publikuar se në Strumicë dhe në rajon me një dozë janë vaksinuar 34,8 përqind e popullatës mbi 18 vjet, në Radovish dhe rajon 37 përqind, në Komunën e Vallandovës 55,4 përqind, ndërsa në pikën e  vaksinimit në Gjevgjeli, e cila i mbulon komunat Bogdanci dhe Dojran, 61,5 përqind e popullatës mbi 18 vjet.

(Pasqyra tabelare e përqindjes së personave të vaksinuar në vend deri më 26 shtator)

Nga ISHP „Shtëpia e shëndetit” Strumicë thonë se numri i personave të vaksinuar dhe të revaksinuar nuk mund t’i referohet të gjithë popullatës në rajonin e Strumicës, sepse ai përfshin vetëm personat që janë vaksinuar vetëm në pikat rajonale të vaksinimit. Drejtoresha Ljubica Miteva thotë se në numrat e publikuar nuk janë përfshirë qytetarët të cilët janë vaksinuar në Shkup, Shtip, Kavadar, ndërsa ka pasur edhe qytetarë që kundër Kovid-19 janë vaksinuar edhe me vaksinat falas nga Bullgaria, në vendkalimin kufitar në Novo Sellë, si edhe në Serbi.

Pika jonë e vaksinimit u hap pak më vonë nga pikat e tjera në vend. Në ndërkohë qytetarët tanë u vaksinuan në Shkup, Shtip, Kavadar, por edhe në Serbinë dhe Bullgarinë fqinje. Sipas të dhënave që kemi ky numër nuk është aspak i vogël. Ja, sa  për ilustrim, punonjësit mjekësorë të dy institucioneve shëndetësore në Strumicë, si dhe nga institucionet e tjera në nivel lokal, ose shtetëror, kundër Kovid-19 u vaksinuan në
Shkup dhe janë evidentuar atje.  Prandaj mendoj se përqindja e dhënë i përfshin vetëm  personat e vaksinuar në pikën tonë të vaksinimit, dhe jo gjithë qytetarët e rajonit të Strumicës, 
tha drejtoresha e ISHP Shtëpia e shëndetit Strumicë, Ljubica Miteva.

(Procesi i vaksinimit në Strumicë) Foto: Vërtetmatësi

Pika rajonale e vaksinimit në Strumicë, e cila ishte e vendosur në sallën e sportit në shkollën fillore „Nikola Vapcarov”, nga 4 tetori nuk do të funksionojë më. Mbyllet sepse autoritetet besojnë se procesi i imunizimit mund të vazhdojë pa asnjë problem në mjediset e Shërbimit të mjekësisë sportive brenda spitalit të Strumicës.

Nuk e ndërpresim procesin e vaksinimit, por e mbyllim pikën rajonale të vaksinimit. Qytetarët që duan të vaksinohen mund ta bëjnë këtë në Shërbimin e mjekësisë sportive të institucionit tonë ose më konkretisht në ndërtesën përballë spitalit modular. Vaksinimi në Strumicë vazhdon atje nga 4 tetori dhe ka mjaftueshëm vaksina, tha Miteva

 (Pika rajonale e vaksinimit në Strumicë po mbyllet– procesi i imunizimit vazhdon në shërbimin e mjekësisë sportive)

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i shëndetit publik, 37% e popullsisë mbi 18 vjeç janë vaksinuar në Shtëpinë e shëndetit në Radovish, e cila mbulon komunat e Radovishit dhe Konçes. Dozën e parë e kanë pranuar 9.586 persona, ndërsa të dytën 8.593. Drejtoresha Limonka Ilievska në një deklaratë për „Vërtetmatësin“ pohon se numri është joreal, dhe vuri në dukje se në fillim të imunizimit ata e kanë pasur vetëm vaksinën e AstraZeneka”, e cila ishte e dedikuar për të moshuarit mbi 60 vjeç vjet. Gjatë asaj periudhe, një numër i madh i njerëzve nga Radovishi u vaksinuan në Shkup dhe pikën rajonale të vaksinimit në Shtip.

Ne gjithashtu bëmë edhe vaksinim në terren. I kemi vizituar vendbanimet në komunat e Radovishit dhe Konçes nga dy herë. Kishte interes dhe ne jemi mjaft të kënaqur. Punojmë në një ndërrim në mjediset e ISHP Shtëpia e shëndetit. Përveç zbatimit të procesit të vaksinimit, ne punojmë gjithashtu edhe për edukimin e popullatës për përfitimet që kanë nga vaksina. Duke pasur parasysh që numri i të infektuarve të rinj me Kovid-19 në rajonin e Radovishit ka rënë, ka rënë edhe interesi i popullatës për imunizim, shpjegoi Ilievska.

(Në Radovish pika e vaksinimit punon vetëm në një ndërrim)   Foto: Vërtetmatësi

Në komunën e Vallandovës, deri më 26 shtator, 5.265 qytetarë e kanë pranuar dozën e parë të vaksinës, ndërsa 4.989 janë rivaksinuar. Sipas ISHP, 55,4 përqind e popullsisë mbi moshën 18 vjeç janë vaksinuar me dozën e parë. Siç na shpjegoi drejtori i ISHP „Shtëpia e shëndetit” në Vallandovë, Robert Markov, përqindja është për shkak të edukimit të vazhdueshëm të popullatës lokale në lidhje me nevojën për vaksinim, si kushti i vetëm për fitimin e imunitetit kolektiv në luftën kundër Kovid-19.

Ne kemi punuar në vazhdimësi në edukimin e popullatës lokale, në të cilën ishin të përfshirë pothuajse të gjithë profesionistët shëndetësorë. Ne jemi një mjedis i vogël dhe përmes vaksinimit në terren dhe përmes pikës së vaksinimit në ISHP Shtëpia e shëndetit kemi punuar për të treguar që vaksinat janë të sigurta dhe mbrojnë nga komplikimet kryesore të Kovid-19, tha Robert Markov, drejtor i ISHP „Shtëpia e shëndetit” në Vallandovë, ku, sipas statistikave të fundit, që nga fillimi i pandemisë, nga komplikimet e shkaktuara nga virusi kanë vdekur 34 persona.

Foto: ISHP Shtëpia e shëndetit Radovish

Qendra e shëndetit publik në Gjevgjeli, e cila mbulon komunat Bogdanci dhe Dojran, është ndër komunat dhe rajonet kryesore me numrin më të madh të personave të vaksinuar kundër Kovid-19 në vend. Atje, me hapjen e pikës së vaksinimit, u rrit interesimi për vaksinimin, i cili tashmë po zgjat me muaj. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i shëndetit publik, deri në fund të shtatorit, me një dotë janë vaksinuar 17.173 persona, ndërsa 16.494 qytetarë kanë pranuar dozën e dytë, që është 61,4 përqind e popullsisë në këtë rajon.

Aktualisht në Gjevgjeli ka 86 raste aktive me Kovid-19 dhe që nga fillimi i pandemisë gjtihsej janë infektuar 2.412 persona. Në këtë rajon, nga komplikimet e shkaktuara nga virusi deri më tani kanë vdekur 77 njerëz. Ditët e fundit, numri më i madh i rasteve të reja është evidentuar tek të rinjtë nën 19 vjeç të cilët nuk janë të vaksinuar.

Për momentin, sipas asaj që po vëmë re në terren në komunën e Gjevgjelisë, për shkak të transmetimit të gjerë më shumë të infektuar ka tek popullata nga 12 deri në 19 vjeç, e cila nuk është vaksinuar dhe e cila nuk e ka kaluar Kovid-19. Tek ata virusi gjen një fushë pjellore dhe kjo është arsyeja pse në 14 ditët e fundit, në zonën e mbuluar nga Qendra e shëndetit publik Gjevgjeli, kemi 64 qytetarë të infektuar, tha epidemiologu Sashko Ollumçev, i cili edhe një herë u bëri apel qytetarëve që të vaksinohen.

 (Gjevgjelia dhe rajoni kryesojnë për nga numri i të vaksinuarve në vendin tonë – radhë të gjata para pikës së vaksinimit në Gjevgjeli)    Foto: Vërtetmatësi

Nga Instituti i shëndetit publik thotë se numrat janë rezultat i të dhënave të marra nga Qendrat e shëndetit publik dhe njësitë e tyre rajonale në vend. Çdo pikë vaksinimi është e detyruar t’u raportojë atyre se sa persona janë vaksinuar për një interval të caktuar kohor, dhe raportet dorëzohen në qendrën ose njësinë rajonale të cilës i përket pika e vaksinimit ku bëhet vaksinimi.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button