Cilësia e trajtimit është vetëm një faktor nga i cili varet vdekshmëria nga Kovid-19

Një nga pikat e shumta në intervistën me përfaqësuesen e OBSH-së, Katie Smallwood, ku thotë se me rritjen e numrit të pacientëve në spitale cilësia e kujdesit spitalor bie, sepse mjekët duhet të përqëndrohen në një numër më të madh pacientësh, në shkrimin e recenzuar paraqitet si shkaku i vetëm i vdekshmërisë së lartë nga Kovid-19 në vend. Megjithatë, në intervistën e plotë ajo përmend shumë shkaqe, si vaksinimi i pamjaftueshëm, mosha e popullsisë, sëmundjet bashkëshoqëruese, si për shembull, numri i madh i diabetikëve të cilët janë më të prekshëm ndaj formave të rënda të Kovidit dhe të tjera, shkruan Vërtetëmatësi.

Po recenzojmë një postim në Facebook i cili në fakt paraqet një kumtesë për mediet, gjegjësisht përcjell pikat kryesore të një interviste të shkurtër me përfaqësuesen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në lidhje me Kovid-19 dhe vdekshmërinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Elementi kryesor i lajmit është videointervista në të cilën diskutohet për vdekshmërinë nga Kovid-19 në vendin tonë, shkaqet se pse ajo është aq e lartë dhe se çfarë rekomandon OBSH-ja për ta zvogëluar vdekshmërinë.

Titulli i tekstit është „Goditje e rëndë nga OBSH-ja për Filipçen, vdekshmëria është e lartë për shkak të cilësisë së trajtimit“. Por kur shikoni video intervistën mes gazetares së TV 24 dhe Katie Smallwood (eksperte e OBSH-së), arrihet në përfundimin se titulli është jashtë kontekstit, se cilësia e trajtimit spitalor është vetëm një nga faktorët e shumtë që përfaqësuesja e OBSH-së i përmend si shkaqe të mundshme për vdekshmërinë e lartë. Dhe kjo, jo nga aspekti i kujdesit spitalor të dobët, por që bëhet me cilësi më të dobët kur ka shumë pacientë në spital ndërkohë që numri i mjekëve është i vogël. Të shohim se çfarë thuhet në të vërtetë në intervistën:

Pyetja e parë që gazetarja ia bën Smallwood është: A ka bërë OBSH-ja analiza që i detektojnë shkaqet pse disa vende si Maqedonia e Veriut, për shembull, kanë kaq shumë vdekje nga Kovid-19, ndërsa vendet e tjera kanë një shkallë shumë më të ulët të vdekshmërisë?”

Përgjigjja e plotë thotë:

Po, natyrisht, ne e ndjekim nga afër vdekshmërinë nga Kovid-19. Dhe, siç e thatë, Maqedonia e Veriut dhe disa vende në rajon kanë shkallë mjaft të lartë të vdekshmërisë në krahasim me vendet e tjera. Ne e shohim këtë në një kontekst më të gjerë. Duhet të merren parasysh shumë gjëra të ndryshme. Këtu bën pjesë vullnerabiliteti i përgjithshëm i popullsisë, si është pasqyra e popullatës sa i përket moshës, sa të moshuar ka, prania e sëmundjeve kronike, sëmundjet jo ngjitëse, etj. siç është diabeti, i cili në Maqedoninë e Veriut mund të jetë në rritje dhe t’i bëjë njerëzit më të prekshëm nga forma e rëndë e Kovid-19. Por gjithashtu ne duhet të kemi parasysh edhe sistemin e kujdesit shëndetësor, mënyrën se si sigurohen resurset, kujdesin klinik dhe cilësinë e kujdesit të ofruar. Dhe kjo varet nga disa faktorë. Presioni mbi punonjësit shëndetësorë kur numri i rasteve është shumë i lartë ndërkohë që po shohim valë të konsiderushme të transmetimit në Maqedoninë e Veriut. Pra, kur ka numër shumë të lartë të rasteve që përfundojnë në spital, atëherë cilësia e kujdesit do bjerë sepse punonjësit shëndetësorë janë nën një presion më të madh. Duhet të mendojmë për gjërat që mund të zvogëlojnë vdekshmërinë, dhe ato janë disa, tha Smallwood në intervistën.

 (nga fillimi deri në minutën e parë dhe 44 sekonda të intervistës).

Pyetja e radhës është për atë se Çfarë i rekomandon OBSH-ja Maqedonisë së Veriut për ta zvogëluar vdekshmërinë (minuta 1 e 44 sekonda në video).

Përfaqësuesja e OBSH-së, Katie Smallwood, thotë se ka një bashkëpunim midis OBSH-së dhe mjekëve në Maqedoni për ta përmirësuar cilësinë e kujdesit në repartet e kujdesit intensiv dhe spitale, për të siguruar që trajtimi me oksigjen të ofrohet në kohën e duhur, për të siguruar që njerëzit që nuk kanë nevojë të vihen në ventilim mekanik të mos vendosen në ventilim mekanik.

Por ka edhe gjëra të tjera. Ne kemi një mjet shumë të fuqishëm tani. Për shkak se shumica e hospitalizimeve dhe vdekjeve janë në mesin e grupeve vullnerable, të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike, ne mund ta zvogëlojmë vdekshmërinë duke e rritur numrin e njerëzve të vaksinuar. Të vaksinuarit do të jenë të mbrojtur nga hospitalizimi dhe kryesisht nga vdekja, dhe kjo do të ndikojë dukshëm në vdekshmërinë në Maqedoninë e Veriut, përgjigjet Smallwood.

 (minuta 2 e 55 sekonda e intervistës).

Nëse shihet e gjithë intervista arrihet në përfundimin se një nga pikat e shumta të cilat i ka thënë përfaqësuesja e OBSH -së, se me rritjen e numrit të pacientëve në spitale cilësia e kujdesit spitalor bie, sepse mjekët duhet të përqëndrohen në një numër më të madh pacientësh, paraqitet si shkaku i vetëm i vdekshmërisë së lartë nga Kovid-19 në vend. Megjithatë, në intervistën e plotë ajo përmend shumë shkaqe, si vaksinimi i pamjaftueshëm, mosha e popullsisë, sëmundjet bashkëshoqëruese, si për shembull, numri i madh i diabetikëve të cilët janë më të prekshëm ndaj formave të rënda të Kovidit dhe të tjera.

Bazuar në këtë intervistë, nuk mund të konkludohet se OBSH-ja i ka dhënë një goditje të rëndë Filipçes se vdekshmëria është e lartë për shkak të cilësisë së trajtimit. Në fakt, ai segment i intervistës është i përgjithshëm, domethënë përfaqësuesja e OBSH -së thotë se kur ka numër të madh të të sëmurëve dhe të shtruarve në spital, cilësia e kujdesit spitalor do të bjerë sepse punonjësit shëndetësorë janë nën presion të madh. Kjo ndodh kudo në botë dhe nuk i referohet vetëm Maqedonisë së Veriut. Për shembull, për një problem të ngjashëm në SHBA, vjeshtën e kaluar ka raportuar edhe „New York Times“ .

Prandaj, mendojmë se postimit i mungon një kontekst shtesë për të përcjellë me saktësi intervistën e përfaqësueses të OBSH -së.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button