(Foto) ‘Amerikanët’ e Strugës përkrahin Ziadin Selën

Kandidati për kryetar të komunës së Strugës, Ziadin Sela, ka marrë mbështetje të fuqishme nga mërgimtarët struganë, që jetojnë dhe veprojnë në Amerikë. Me kërkesë të këtyre të fundit, Sela prezentoi programin e tij qeverisës para mërgimtarëve, përmes një video konference në rrjetin social Skype.

Mërgimtarët struganë, kishin organizuar një takim në Nju Xhersi, në lokalin e njërit prej biznesmenëve struganë në Amerikë, ku u bisedua rreth kandidaturës së Selës në Strugë, ndërsa gjatë gjithë kohës takimi i tyre, fjalimet dhe debatet ndërmjet janë ndjekur drejpërdrejtë nga Ziadin Sela dhe ekipi i tij, përmes lidhjes direkte në Skype.

“ Fitorja e Ziadin Selës, do të jetë edhe fitorja jonë. Kemi organizuar këtë takim për të dhënë përkrahje morale dhe për të treguar se ne kemi zgjedhur doktor Selën, pasi kemi kuptuar se ai posedon vetitë më kryesore për të drejtuar Strugën, sinqeritetin, drejtësinë dhe transparencën.” – theksoi në fjalimin e tij, Atmi Shazimani, njëri prej organizatorëve të këtij tubimi.

“Ne jemi të përcaktuar për një kryetar komune si Ziadin Sela, i cili ashtu si ka qenë një zë i fuqishëm kundër nacionalizmit të tërbuar sllavo – maqedonas, dikriminimit, korrupsionit dhe fashizmit të Nikolla Gruevskit, do të luftojë dhe bëjë të njëjtat përpjekje edhe për Strugën tonë.”- tha Rufi Ibrahimi, veprimtar strugan në Amerikë.

“Jemi mbledhur të gjithë së bashku për ti dhënë përkrahjen tonë njeriut më të mirë për Strugën dhe ai që duhet ta drejtojë këtë qytet historik shqiptar, pikërisht, dr. Ziadin Selës, i cili i duhet komunës së Strugës. Pasi, ai nuk është vetëm një politikan i mirë për çka ka dëshmuar, por edhe një njeri kombëtar, që i bashkon të gjithë struganët për të mirën e Strugës. Sela, për mendimin tim, është në vendin e duhur dhe kohën e duhur dhe i kompletuar për ti rikthyer atë imazhin e venitur dhe të humbur të Strugës, e cila ka qenë kryeqendra e turizmit shqiptar në vendbanimet shqiptare në Maqedoni.” – theksoi mes tjeras kryetari i Këshillit Kombëtar, Haxhi Dauti.

Ndërkaq, Ziadin Sela, në fjalimin e tij i faleminderoi mërgimtarët struganë për këtë nismë të tyren dhe për përkrahjen që japin, duke ju garantuar atyre se shumë shpejtë do të shohin një Strugë ndryshe, një Strugë evropiane ashtu siç të gjithë e meritojnë. Sela ftoi mërgimtarët që të vijnë të investojnë në Strugë dhe se i siguroi ata se do të angazhohet maksimalisht për tu krijuar atyre kushte sa më të mira për investime.

“Shkaku kryesor për kandidaturën time, ishte shpresa e qytetarëve për ndryshim. Pasi unë e di që ju vini më gëzim në Strugë, por fatkeqësisht ktheheni me keqardhje, nga kaosi urbanistik, nga zonat publike të uzurpuara dhe që uzurpohen për ditë.. Shkaku tjetër që më shtyu të kandidoj është se dua të tregojmë se edhe ne shqiptarët kemi aftësi për të menaxhuar dhe jo ashtu si ç mendojnë maqedonasit se shqiptarët s’janë të zotët për të drejtuar…Ka  vite që në qytetin tonë nuk flitet më për asnjë investitor qoftë nga brenda, qoftë nga jashtë apo edhe nga diaspora shqiptare dhe si rezultat i kësaj mungojnë edhe vende të reja të punës.

Unë do të luftojë gjithmonë për atë që quhet “Struga shqiptare”,por  jo ashtu siç është përdorur deri tani me fjalë të mëdha, sa herë që vijnë zgjedhjet sepse realiteti dihet, është shumë i hidhur. Struga, për ditë e më pak ka shqiptarë nga shkaku se të rinjtë nuk gjejnë më prespektivë  dhe marrin rrugën e mërgimit. Prandaj,Strugën shqiptare, do ta shëndërrojmë në realitet, që ky qytet për ditë të ketë sa më shumë shqiptarë , duke hapur sa më shumë vende pune dhe duke hapur prespektivën e saj. Struga, do të kthehet aty ku e duam të gjithë, që diaspora shqiptare të kthehet një ditë të jetojë dhe të veprojë në këtë qytet. 

Andaj unë u bëj apel  struganëve që jetojnë në SHBA të vijnë të  investojnë në Strugë dhe  tu bëjnë thirrje njerëzve të tyre, që të përkrahet kandidatura ime, kandidatura e vetme shqiptare, që  pretendon të qeverisë Strugën me vota të pastra shqiptare. Ti japim një mesazh Gruevskit, se shqiptarët do të fitojnë në Strugë.” – theksoi mes tjersh Ziadin Sela.

Në fund të këtij takimi u miratua edhe një memorandum, me të cilin kërkohet roli dhe angazhimi i diasporës shqiptare në SHBA në planet e ardhshme për zhvillimin e komunës së Strugës. Vlen të theksohet se kjo është hera e parë që diaspora shqiptare në SHBA, realizon një fushatë të tillë, në lidhje direkte me vendlindjen, në mbështetje të një kandidati.

Lajme të ngjashme

Back to top button