Në sallën e pritjes

Samiti i Bërnos ngjante me romanet e Ismail Kadaresë, jo vetëm për shkak të motit të keq dhe me shi, por edhe për shkak të marrëdhënieve diplomatike mes shteteve pjesëmarëse që shkrimtari me aq shumë talent i përshkruan në shkrimet e tij. Shiu që assesi nuk di të pushojë i jep kontekst të veçantë situatës depresive në të cilën gjendet i gjithë Ballkani Perëndimor në lidhje me aspiratat për integrim në Bashkimin Evropian.

Dy gjëra janë të qarta për të gjithë:

E para, Bashkimi Evropian vazhdon të deklarojë që procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë dhe se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në të. Angela Merkel deklaroi se “nuk u bëjmë ne shërbim këtyre vendeve, por është interes themelor që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE”. Por ajo poashtu tha që rruga e integrimit nuk do të mbarojë shpejt dhe duhet ende shumë kohë që ky proces të bëhet realitet.

E dyta, Vendet e Ballkanit Perëndimor, e mes tyre posaçërisht Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, nuk kanë alternativë tjetër dhe për momentin nuk kanë as aspirata tjera të ndryshme nga integrimi në BE. Kjo është e ardhmja për këto shtete, qoftë edhe një e ardhme shumë e largët. Ky është caku ku ata duan të arrijnë. Por nga ana tjetër, stërzgjatja e këtij procesi e bën narrativin pro-evropian të kritikohet të ngjallë mosbesim, dhe fatkeqësisht krijon hapësirë për ndikime të tjera të cilat asnjëherë nuk janë në interes të këtyre shteteve, të paktën për një të ardhme demokratike dhe liberale të tyre.

Kështu që për momentin jemi sërish në një situatë udhëkryqi, me tendenca të rreja për tu futur sërish në rrugë të verbër.

Në rregull janë deklaratat e përfaqësuesve të BE se interes strategjik i këtij bashkimi është integrimi i Ballkanit Perëndimor në të. Por nga ana tjetër, deklaratat rrallë herë kanë zgjidhur probleme të vërteta dhe ende më rrallë kanë krijuar mundësi përparimi. Deklaratat që nuk bazohen në vepra dhe në përkrahje të mirëfilltë mund të tingëllojnë shpesh si demagogji. Kështu, pas gjithë ndryshimeve që ndodhën në Maqedoninë e Veriut nga viti 2016 e këndej, pas gjithë atij procesi të rrëzimit të një regjimi joliberal, pas gjithë atij angazhimi për Marrëveshjen e Prespës, pas ndryshimit të emrit kushtetues të shtetit, dhe pas gjithë përpjekjeve për të normalizuar një vend që kishte kohë që ishte larguar nga rruga evropiane, Bashkimi Evropian ende nuk është në gjendje të japë datë për hapjen e bisedimeve për aderim të RMV në BE. Nuk flasim për procesin e negociatave i cili do të zgjasë dhe do të jetë tejet rigoroz, flasim për hapin e parë, flasim për një datë për fillimin e këtyre bisedimeve rigoroze, një veprim me vlerë më shumë simbolike se sa esenciale, e në fakt Bashkimi Evropian nuk është në gjendje ta bëjë këtë veprim fillestar pas gjithë atij ndryshimi të madh që vendi përjetoi gjatë këtyre katër viteteve të fundit. Është vërtet dëshpëruese kjo qasje, dhe është e qartë që ngjall sentimente depresive si koha me shi.

Shumë njerëz janë lodhur së qëndruari në sallën e pritjes për dekada të tëra. Shumë nga ata tani më e kanë humbur durimin dhe kanë kohë që kanë udhëtuar individualisht dhe familjarisht për në BE. Shumë të tjerë ka që mendohen të marin bileta tjera, me drejtime të tjera gjeostrategjike që nuk janë në interes as të shtetit, as të qytetarëve e as të BE-së. Sallat e pritjes janë krijuar për të kaluar pak kohë në to deri në përmbushjen e qëllimit kryesor, nuk janë krijuar që njerëzit të kalojnë në to periudha të gjata sa një jetë e tërë. Nuk arrij ta kuptoj këtë neglizhencë nonshalante që po zgjat kaq shumë pasojat e të cilës mund të jenë tronditëse për gjithë rajonin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button