Osmani: Kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është në interes të vendit tonë

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani sot në një konferencë për gazetarët deklaroi se, kërkesa e presidentit bullgar, Rumen Radev që bashkësia etnike bullgare në Maqedoninë e Veriut të përfshihet në Kushtetutë është në interes të Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.

Ai tha se, kushtet që kërkon Bullgaria janë pesë pikat janë pikat që i diskutojnë vazhdimisht edhe në kuadër të tentimeve për mbajtjen e komisionit ndërqeveritar, edhe gjatë vizitës në Sofje, edhe në komunikimin e vazhdueshëm mes dy shteteve. Ato janë çështjet e emrit të shkurtër, gjuhës së urrejtjes, rehabilitimi i viktimave të komunizmit, puna e komisionit të historisë, çështja e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Republikës së Bullgarisë, ku ndërlidhet edhe kjo çështje për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Sa i përket kërkesës për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit, Osmani tha se, ajo nuk është në kundërshtim me interesat tona.

“Bullgaria po lëviz nga pozicioni i saj fillestar jo racional për një komb në dy shtete, në pozicion ku thonë, ka një bashkësi bullgare me atribute të veta identitare, kulturore e ndryshme nga bashkësia shumicë. Republika e Maqedonisë nuk ka pasur asnjëherë problem të pranojë grupe të ndryshme etnike, që kanë mundësi t’i manifestojnë atributet e tyre identitare, kulturore, historike dhe as të bashkësisë bullgare në Republikën e Maqedonisë. Kështu që, me vet faktin se me bashkësitë e tjera, kërkohet të përfshihet edhe bashkësia bullgare si e posaçme ajo është në linjë me qëndrimin se në Republikën e Maqedonisë së Veriut ekzistojnë bashkësi të ndryshme etnike, të cilat kanë të drejtë t’i shprehin atributet e tyre, megjithatë ajo do të ndodhë në momentin kur do të hapet Kushtetuta për shkak të anëtarësimit në BE dhe ne nuk kemi asnjë problem ta përfshijmë edhe bashkësinë kroate dhe bashkësitë e tjera, sepse i tillë është koncepti ynë i rregullimit të shtetit në të cilin i njohim organizim kolektiv të bashkësive etnike”, tha ai.

Osmani informoi se, në takimin e fundit në Shkup me ministrin bullgar, ka pasur një progres në drejtim të tejkalimit të dallimeve deri në dhjetor dhe mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare.

“Do vazhdojmë të bisedojmë me Republikën e Bullgarisë, për t’i tejkaluar dallimet në kuadër të pozicioneve tona, të cilat i kemi paraqitur para opinionit disa herë me radhë, ne kemi kontakte të vazhdueshme midis dy ministrive. Në takimin e fundit që kemi pasur në Shkup, ka pasur një progres i cili ka krijuar një shpresë se mund të ketë një thyerje deri në fund të vitit dhe deri në fund të vitit t’i tejkalojmë dallimet dhe të mbahet konferenca ndërqeveritare, pa rritur shpresat e njerëzve, për shkak se nuk është proces që varet nga ne, është proces që dieht të ketë konsensusin e 27 vendeve anëtare. Në kuadër të kësaj dritare mundësie që unë konsideroj se do të hapet në fund të vitit do të vazhdojmë të punojmë. Në takimin e fundit ka pasur progres ndërmjet dy ministrive tona. Unë mendoj që duhet të punojmë që të mbindërtojmë këtë progres dhe të shohim dhe të shohim mundësinë se a do të mund t’i tejkalojmë dallimet deri në dhjetor”, theksoi ai.

Ministri i Jashtëm vlerëson se, sipas asaj që ndodhi dje në Bërdo dhe sipas asaj që ndodhë në muajt e fundit, për ne pengesa e fundit është Bullgaria.

“Unë mendoj se nuk kemi dilema se ku duam të arrijmë. Qëllimi jonë është i pa alternativë se ne duhet të gjejmë zgjidhje për t’i tejkaluar të gjitha pengesat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nuk dua të arsyetojë as hezitimin e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, i cili nuk është i pëlqyeshëm dhe i cili po rrënon kredibilitetin e BE-së në rajon. Mirëpo, qëllimi është aq i madh sa që arsyeton pritjen, durimin, përkushtimin tonë për t’u bërë pjesë e BE-së, për shkak se ne nuk kemi alternativë tjetër”, deklaroi Osmani.

Kujtojmë se, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.

Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button