Qeveria e RMV-së e para për transparencë midis tre vendeve tjera të Ballkanit

Sipas një hulumtimi për Vlerësimin e gjendjes së qeverisjes së mirë të kuvendeve dhe degëve ekzekutive të qeverive qendrore të katër vendeve të Ballkanit Perëndimor – Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinës, më e hapur është Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila përmbush 83,43% të kritereve të përcaktuara për hapje, e ndjekur nga Këshilli i Ministrave të BeH me 74,9%, përcjellë Portalb.mk.

Këtë vit, në monitorimin e parlamenteve u përfshinë edhe Kroacia dhe Sllovenia, dhe mund të shihej hapja e parlamenteve në ish-shtetet jugosllave.

vendin e tretë është Qeveria e Malit të Zi me 59,46%, e ndjekur nga Këshilli i FBdhH me 58,42%. Qeveria e Republikës së Serbisë përmbush 47.67% të kritereve, ndërsa Qeveria e Krahinës Autonome të Vojvodinës, 50,18%. Në vendin e fundit është Qeveria e Republikës Serbe me përmbushje të kritereve për hapje prej 38,53%. Si vendi i parë në rajon që publikoi dhe zbatoi Strategji për transparencë, Maqedonia e Veriut dha një shembull se si institucioni duhet t’i qaset sistematikisht dhe t’i drejtojë përpjekjet e tij drejt transparencës dhe hapjes proaktive ndaj qytetarëve të saj. Rezultate më të mira arritën ministritë në Maqedoninë e Veriut me 62%, pastaj ministritë e Malit të Zi me 57,9%, ministritë në Serbi me 48,7% dhe ministritë në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilat përmbushin 30,6% të kritereve të hapjes.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut plotëson 68,15% të treguesve të hapjes dhe renditet i treti në rajon (Parlamenti i Malit të Zi mbetet në vendin e parë me 77,89%, i ndjekur nga Parlamenti i Sllovenisë me përmbushje të treguesve të hapjes prej 72,31%). Si organ që zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe i përgjigjet qytetarëve, Kuvendi duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për të siguruar transparencë, gjegjësisht hapje të plotë.

Vlerësimi është rezultat i një studimi empirik gjithëpërfshirës të bazuar në Indeksin e hapjes, i cili synon të përcaktojë shkallën në të cilën respektohen parimet e qeverisjes së mirë në rajon. Perspektiva rajonale shërben si referencë për atë se si vendet në rajon po përparojnë drejt përmirësimit të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit që i çon ato drejt qëllimit të tyre strategjik – anëtarësimit në BE.

Punimi është pasuruar me rekomandime praktike për atë se si pushteti ekzekutiv dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mund ta përmirësojnë respektimin e parimeve të qeverisjes së mirë nga ana e tyre në të ardhmen. Rekomandimet do t’u komunikohen nëpunësve të lartë shtetërorë në të gjitha institucionet e monitoruara përmes takimeve, si dhe publikut të gjerë përmes mediave sociale dhe mbajtjes së ngjarjeve publike. Hulumtimi përsëritet çdo vit dhe na mundëson ta krahasojmë shkallën në të cilën do të ndiqen këto rekomandime. Ky vlerësim është në dispozicion në maqedonisht, shqip dhe në anglisht në ueb-faqen e Fondacionit Metamorfozis.

Ky hulumtim u krye si pjesë e aktiviteteve të Fondacionit Metamorfozis në kuadër të Projektit të USAID-it për Pjesëmarrje Qytetare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button