Sekretari Blinken kërkon të rivendos besimin me Francën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të martën në Paris me Presidentin francez Emmanuel Macron për herë të parë që kur Franca tha se u gjet e papërgatitur nga një marrëveshje e Shteteve të Bashkuara për të ndarë teknologjinë bërthamore të nëndetëseve me Australinë.

Arsyeja fillestare për vizitën e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Paris ishte pjesëmarrja në takimin ministror të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD mbi ndryshimet klimatike dhe sigurinë.

Sekretari Blinken tha në 60 vjetorin e organizatës se OECD-ja është sot më kritike se kurrë, si një forcë për përparimin ekonomik në vendet demokratike që përballen me një kërcënim nga vendet autoritare, një referencë ndaj Kinës, njofton Zëri i Amerikës.

“Puna e OECD-së nuk ka qenë kurrë kaq e rëndësishme. Ne duhet të dëshmojmë se qasja jonë mund ta bëjë më të mirë jetën për njerëzit – në vendet tona dhe kudo. Dhe në një mënyrë që është më e barabartë nga sa ka qënë në të kaluarën”, tha sekretari Blinken.

Sekretari i Shtetit tha se fokusi kryesor këtë vit janë ndryshimet klimatike.

“Çdo vend anëtar po përjeton ngjarje ekstreme të motit, me efekte në pothuajse çdo aspekt të ekonomive dhe jetës sonë, që nga bujqësia në infrastrukturë, në shëndetin publik dhe sigurinë ushqimore”, tha sekretari Blinken.

Ndryshe nga vizita e fundit e sekretarit Blinken në qershor në Paris, këtë herë nuk pati fotografi miqësore, megjithëse ai zhvilloi një takim të paplanifikuar me presidentin francez Emmanuel Macron. Analistët thonë se Parisi e shikon njoftimin e muajit të kaluar mbi marrëveshjen AUKUS për të ndarë teknologjinë e nëndetëseve amerikane me Australinë si një shkelje serioze të besimit.

“… Mungesa e transparencës dhe koordinimit ishte për autoritetet francize një shkelje e besimit dhe një kundërshtim i plotë i nocionit tonë, konceptimin tonë për aleancat. Pra, ne e bëmë të qartë këtë jo vetëm duke tërhequr ambasadorin francez nga Shtetet e Bashkuara, që ishte një hap historik për të sinjalizuar se Franca ishte e zemëruar. Unë mendoj se zyrtarët amerikanë e kanë kuptuar këtë mesazh dhe telefonata mes Presidentit Macron dhe Presidentit Biden ishte një hap mjaft pozitiv”, thotë Pierre Marcos me Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thonë se sekretari Blinken diskutoi përpjekjen e Presidentit Macron për një politikë të përbashkët evropiane të mbrojtjes. Macron mbërriti në një samit të BE -së të martën vonë, duke thënë se beson thellësisht në një Evropë më të fortë e cila, “merr pjesën e vet të barrës për mbrojtjen e saj dhe e cila mund të zgjedhë partnerët e saj dhe të punojë ngushtë me aleatët e saj historikë.” Analisti Pierre Morcos shpjegon.

“Ambicia e Francës për të forcuar Evropën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përkrahet gjerësisht në Francë dhe ka qenë një element kyç i politikës së tij të jashtme për katër vitet e fundit. Dhe ky është në të vërtetë një qëllim i përbashkët edhe mes evropianëve, të cilët së bashku besojnë se duhet të rrisin burimet, dhe të jenë më të aftë dhe më autonomë për të mbrojtur interesat e tyre duke ruajtur lidhjet e tyre të mbrojtjes me Uashingtonin”.

Me zhgënjimin e Parisit për marrëveshjen e humbur të nëndetëseve me Australinë, analisti Morcos thotë se kjo vizitë e sekretarit Blinken duhet të pasohet me veprime konkrete nga ana e Shteteve të Bashkuara për të përfshirë Francën në planet e sigurisë për rajonin e Indo-Paqësorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button