Ekologët me mesazh: Mbeturinat të jenë vërtet lëndë e parë dhe të riciklohen me ligjet e reja në Maqedoninë e Veriut

Mbeturinat me të vërtetë duhet të bëhen lëndë e parë dhe të riciklohen, e jo të lejohet të bëhen rrezik edhe më i madh për mjedisin, apelojnë organizatat e shoqërisë civile lidhur me risitë që i mundëson paketa e re e ligjeve për menaxhimin e mbeturinave, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Mundësia e përzgjedhjes së mbeturinave të tekstileve, gomave, vajrave dhe shtëpizave të makinave, nuk guxon të kthehet në një mënyrë për të krijuar edhe më shumë mbeturina në vend. Organizatat e shoqërisë civile apelojnë që leja për trajtimin e këtyre materialeve të mbeturinave duhet të jetë nën mbikëqyrje të rreptë dhe të zbatohet siç parashikohet me ligj. Mjedisi jetësor në vend tashmë është prekur shumë nga trajtimi joadekuat i mbeturinave dhe mundësia që kjo të zgjerohet nuk duhet të lejohet.

Ligjet e reja parashikojnë që këto materiale nuk duhet të konsiderohen më mbeturina nëse riciklohen, përfshirë riciklimin dhe përdorimin e tyre, në mënyrë që të mos kontribuojnë në ndikime negative në mjedisin jetësor dhe shëndetin e njerëzve.

Aktivistët e “Iniciativës O2″ janë dakord se parimi për të zvogëluar mbeturinat duke i ricikluar është trend që është mirë të fillojmë ta përdorim, por nën kushte rreptësisht të përcaktuara të kontrollit të të gjithë komponentëve të tërë procesit dhe me sanksione të përcaktuara rreptësisht nëse nuk veprohet ashtu.

“Nevojitet të përcaktohet kontrolli më i mirë i mundshëm i menaxhimit të mbeturinave dhe zbatimi i tij në terren, gjëra që kanë dështuar në mënyrë kronike dhe të cilat nuk guxojmë t’i lejojmë kur bëhet fjalë për mbeturinat. Lejohet të krijohet një deponi për mbeturinat e rrezikshme dhe me atë të menaxhojë person juridik vendas ose i huaj në përputhje me Ligjin për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat, ndërsa në ligjin e mëparshëm ishte përcaktuar se vetëm Qeveria mund të themelojë deponi për mbeturina të rrezikshme. Me Ligjin e ri për Menaxhimin e mbetjeve, mbetjet e rrezikshme do të ripërkufizohen dhe është e mundur të lejohet importi ose djegia e asaj që aktualisht është e ndaluar. Kjo është një çështje kritike për qytetarët, duke pasur parasysh numrin e madh të përvojave negative në këto fusha”, theksojnë nga Nisma O2.

Një problem tjetër për organizatat ekologjike është mënyra në të cilën janë përcaktuar gjobat në ligje, veçanërisht pasi sanksioni nuk varet nga shuma për të cilën është përshkruar. Gjoba është 150 euro për një person që hedh mbeturina të vajrave, mbeturina ndërtimi, goma dhe lloje të tjera mbeturinash, kurse 200 euro nëse i djeg ose i fut nën tokë.

“Në këtë mënyrë, rezulton se mund të jetë më fitimprurëse të paguhet gjobë sesa të paguhet depozitimi i përkatës. Ndezja e kabllove zakonisht bëhet nga persona të panjohur, pa identifikim personal ose inspektorët nuk mund t’i kapin në flagrancë. Për shkak të të gjitha këtyre situatave, nuk jemi të sigurt nëse dënimet do të jenë paralajmërim i mjaftueshëm që këto veprime të mos vazhdojnë”, thkesojnë nga “Iniciativa O2”.

Ligjet e reja, përveç mbajtësve kolektiv ekzistues për mbeturinat e paketimit, bateritë dhe mbeturinat elektrike dhe elektronike, të cilat tashmë funksionojnë në vendin tonë, kërkojnë themelim edhe të mbajtësve kolektivë për mbeturina të vajrave, gomave, tekstileve dhe shtëpizat e makinave. Kjo do të thotë që importuesit dhe kompanitë vendase që gjenerojnë mbetje të tilla do të duhet të organizojnë dhe financojnë sistem për mbledhjen e këtyre llojeve të mbeturinave dhe riciklimin e tyre.

E gjithë kjo, beson Filip Ivanovski, Kryetar i Shoqatës për Menaxhimin e Rrjedhave të Veçanta të Mbetjeve në Odën Ekonomike të Maqedonisë, do të sigurojë bazë solide për ndërtimin e infrastrukturës për përzgjedhjen e qëndrueshme të të gjitha këtyre llojeve të mbeturinave dhe riciklimin e tyre.

“Importuesit e makinave, gomave dhe mbeturinave të vajrave do të duhet të përfshijnë në produktet e tyre dhe koston e trajtimit të tyre kur të bëhen mbeturina. Kjo mund, por jo doemos, të reflektohet në çmimet përfundimtare të atyre produkteve. Ajo që ne duhet të kuptojmë si qytetarë është se menaxhimi i duhur i mbeturinave nuk është falas dhe në fund ne qytetarët paguajmë për të përmes çmimit të produkteve. Dhe kjo do të justifikohet nëse shohim se me paratë tona kemi vërtet mjedis më të pastër”, thotë Ivanovski.

Ai thekson se paketa e ligjeve për mbeturinat është në përputhje me përpjekjet për të siguruar një kornizë më të detajuar për menaxhimin e mbeturinave që Asociacioni e ka pasur tashmë disa vite. Ata i përcaktojnë tarifat minimale që industria duhet të paguajë për mbeturinat që i gjeneron, e rregullojnë mënyrën e shpenzimit të fondeve të grumbulluara dhe i përcaktojnë më qartë rregullat e funksionimit të aktorëve kolektivë dhe kompanive anëtare.

“Si Asociacion, e mirëpresim miratimin e ligjeve të reja. Në periudhën e ardhshme, duhet të përgatiten rregullore dhe udhëzime, të cilat janë të shënuara në ligjet e reja e të cilat do të zvogëlojnë mundësinë për interpretime të lira dhe gjetje të zbrazëtirave në ligje”, thekson Ivanovski.

Pakoja e ligjeve, sipas tij, siguron bazë për ekonomi rrethore dhe shpreson se do të ketë zbatim të qëndrueshëm, sepse atëherë do të jetë vetëm çështje kohe para se të shohim rezultatet. Ai beson se zbatimi kërkon vullnet dhe lidership politik, natyrisht duke marrë parasysh afatet reale për përshtatjen dhe ndryshimet teknologjike- prodhuese, aty ku kërkohet. Qëllimet përfundimtare të përcaktuara me ligje, thotë Ivanovski, nuk duhet të komprometohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button