Tetovë, u mbajt Panairi i Karrierës së të Rinjve në UEJL, interesim i lartë i studentëve (VIDEO)

Sot në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore u mbajt “Panairi i Karrierës së të Rinjve” organizuar nga Info Klubi Rinor i cili funksionon në kuadër të Qendrës për Edukim dhe Zhvillim (CED). Qëllimi i këtij panairi ishte promovimi i bizneseve të cilat udhëhiqen nga sipërmarrës të rinj. Në këtë panair studentët u njoftuan nga afër me më shume se njëzet biznese, kompani dhe organizata joqeveritare dhe mundësitë që ato ofrojnë, shkruan Portalb.mk.

Fillimisht u mbajt një panel diskutimi ku drejtori i CED, Metin Muharemi foli për pjesëmarrësit për këtë panair dhe mundësitë që u ofrohen studentëve dhe të rinjve nga ky i njëjti. Më pas në emër të UNDP-së të pranishmëve iu drejtua Gordana Veljanovska. Nga UEJL, profesoresha Merita Zulfiu-Alili foli për mundësitë që FSSHB ofron për studentët, kurse kryetari i Parlamentit Studentor, Agron Demiri apeloi që studentët të shfrytëzojnë çdo mundësi që universitetet u ofrojnë ku theksoi rolin e rëndësishëm që qendra e karrierës luan në këtë universitet. Më pas, sipërmarrësi dhe njohësi i filozofisë Latif Mustafa foli mbi temën “Për një ardhmëri që duam”.

Më pas të pranishmit u drejtuan te pika ku ishin pozicionuar rreth 20 biznese, kompani dhe organizata të cilët prisnin që t’u prezantojnë studentëve mundësitë që ato ofronin. Nga ajo që arritëm të shohim ishte se studentët ishin të interesuar që të njihen më afër me këto mundësi dhe të bëhen shfrytëzues të të njëjtave.

This slideshow requires JavaScript.

Metin Muaremi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk Metin Muharemi, drejtor i CED për Portalb.mk tha se ky panair ka për qëllim ngritjen e mundësive të të rinjve duke filluar nga studentët të cilët studiojnë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore dhe në UEJL por edhe më gjerë.

“Të kenë mundësi të marrin informata të dorës së parë nga kompani dhe biznese të ndryshme të udhëhequra nga të rinjtë sipërmarrës nga rajoni i Pollogut. Ajo që ne synonim ishte që kompanitë që udhëhiqen nga të rinjtë ti sjellim këtu dhe kjo të jetë një shembull i mirë për studentët se edhe ata me pak sakrificë, motivim dhe duke parë shembujt pozitiv që realizohen në rajon mendojmë se studentët pozitivisht ju përgjigjën ftesës tonë. Studentët janë të interesuar dhe dëshirojnë që të shofin mundësi të mira për zhvillimin e karrierës së tyre“ tha Metin Muharemi.

Blendi Hodai, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Blendi Hodai, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Studenti dhe aktivisti Blendi Hodai për Portalb.mk tha se për fat të keq, universitetet në RMV sidomos ato publike nuk ju japin shumë mundësi të rinjve dhe nuk i kanë kurikulat e lëndëve të ndërlidhura me praktikën që të rinjtë duhet të bëjnë.

“Universitetet në RMV të fokusohen më shumë që t’u ofrojnë të rinjve  më shumë mundësi të shkëmbimit të semestrave jashtë vendit dhe t’u ofrojnë të rinjve më shumë mundësi internshipi (praktike) që të shohin në praktikë atë që mësojnë në teori, të ju ndihmojë secilit të ketë aftësi në lidhje me punën që duhet ta bëjë në të ardhmen.” tha Blendi Hodai.

Ndryshe, Qendra për Edukim dhe Zhvillim realizon projektin Info Klubi Rinor me mbështetje të UNDP-së dhe në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore (FSSHB) nga UEJL, në kuadër të së cilës u realizua edhe “Panairi i karrierës së të rinjve”. CED deri tani ka realizuar diku mbi 8 cikla trajnimesh ku kanë marrë pjesë mbi 200 studentë dhe sipas informacioneve nga kjo organizatë rreth 50% studentë nga këto trajnime janë punësuar dhe kanë hapur bizneset e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button