RMV, të rinjtë flasin mes veti për shëndetin mendor, radhën e kanë prindërit, shkollat ​​dhe institucionet

Shëndeti mendor është një temë e rëndësishme për të cilën të rinjtë flasin mes veti, duke e hedhur kështu hapin e parë në drejtim të hapjes për të biseduar për higjienën e tyre mendore, duan të shkojnë te një psikolog, duan të flasin për atë që po u ndodh, por ata e bëjnë këtë më së shpeshti me moshatarët e tyre, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Dijana Micevska nga Shoqata “Rinia Mundet” për “Meta.mk” thotë se të rinjtë tashmë e kanë bërë hapin e parë dhe duke i kushtuar vëmendje këtij aspekti të rëndësishëm në zhvillimin e një të riu është më shumë problem në procesin arsimor dhe marrëdhënia prind-fëmijë.

“Shëndeti mendor është baza nga e cila fillon çdo i ri, dhe nëse ai nuk kujdeset për të, atëherë të gjitha aftësitë e tjera që i posedon janë të kota. Të rinjtë që kanë shëndet të shkëlqyer mendor do të ishin të suksesshëm në fushën e zhvillimit personal dhe udhëzimit në karrierë. Do të ishin individ i plotë”, thotë Micevska.

Bashkëpunimi midis prindërve, shkollave dhe fëmijëve është çelësi për ruajtjen e shëndetit mendor

Të rinjtë, nuk mund të luftojnë vetëm për ruajtjen e shëndetit të tyre mendor dhe parandalimin e sëmundjeve mendore, prandaj kanë nevojë për bashkëpunim me institucionet. Masat që ata propozojnë duhet të paraqiten te të rriturit.

Rol jashtëzakonisht të madh në atë proces kanë psikologët e shkollave. Por ata janë të ngarkuar me shumë angazhime administrative dhe u mbetet shumë pak kohë për t’iu kushtuar punës me të rinjtë.

“Ata nuk kanë kohë t’ua kushtojnë nxënësve, sepse ata janë shumë të zënë me kryerjen e detyrave administrative. Nga ana tjetër, psikologët nuk janë të gjithë të arsimuar sa duhet për të punuar ekskluzivisht me të rinjtë. Ka psikologë, më të vjetër, të cilët nuk i ndjekin trendet, nuk kanë informacione të reja, çfarë duhet të jetë qasja e tyre ndaj të rinjve. Ky është dallimi midis asaj që të rinjtë e kanë si sjellje dhe asaj që ata presin nga psikologët t’u ofrojnë atyre,” tha Micevska.

Ajo thekson se problemi më i madh është se të rinjtë nuk kanë qasje në shërbimet profesionale dhe brenda mundësive të pakta që i kanë, ata nuk e pranojnë atë që u nevojitet.

“Nëse duan të shkojnë te një psikolog një herë në muaj për shkak të problemeve me arsimin, për shembull nuk u pëlqejnë notat, kanë stres sepse prindërit i detyrojnë të jenë të shkëlqyeshëm ose ngjashëm, ata nuk kanë mundësi të flasin me psikologët. Edhe nëse flasin, kjo është shpejt-e-shpejt”, shtoi Micevska.

Rrugëdaljen, theksoi ajo, të rinjtë e shohin në përfshirjen më të madhe të institucioneve, dhe kështu do të parandalonin disa fenomene delikuente siç është përdorimi i substancave psikotrope.

“Të rinjtë sugjeruan që policia të jetë më aktive me ta. Për shembull, të kesh punëtori që do të tregojnë se cili është efekti i drogave, cilat janë pasojat. Të rinjtë sugjeruan gjithashtu që të ketë edukim edhe të prindërve, jo vetëm psikologët e shkollës të jenë në rrjedhë me ngjarjet, por edhe prindërit, që të ketë punëtori edukative me ta, për atë se si ata mund të merren me shëndetin mendor të fëmijëve. Të ketë edukim shtesë të mësuesve, për atë si duhet të jetë qasja e tyre. Për shembull, nëse një fëmijë fillon të qajë në klasë sepse diçka po ndodh në familjen e tij, si duhet të reagojë profesori në atë situatë. Në përgjithësi, të rinjtë kërkojnë edukim shtesë në çdo aspekt, të prindërve, bashkëmoshatarëve, mësuesve”, shtoi Micevska.

Sofija Stojanovska nga “Të rinjtë munden” gjithashtu pajtohet se duhet punuar shumë me prindërit, sepse këtë e kanë parë edhe fëmijët edhe mësuesit.

“Edhe ata duhet të edukohen dhe të dinë si t’iu qasen fëmijëve të tyre, si të njohin atë që i shqetëson dhe gjithashtu si prindër duhet të kujdesen për shëndetin e tyre mendor, sepse nëse ata janë mirë me shëndetin mendor kjo reflektohet tek fëmijët. Radhën e kanë shkollat, institucionet, sepse të rinjtë kanë hedhur hapin e parë. Thjesht, të gjithë ata që janë të pranishëm në jetën e të rinjve duhet të jenë mbështetja e tyre, gjegjësisht të punojnë në shëndetin e tyre mendor, higjienën mendore dhe, më e rëndësishmja, në parandalimin”, thotë Stojanovska.

Është me rëndësi që të rinjtë ta plotësojnë kohën në mënyrë cilësore

Slavica Naumovska, e cila punon si psikologe në shkollën e mesme Taki Daskalo në Manastir, thotë se psikologët duhet të gjejnë kohë për fëmijët, dhe fëmijët duhet të jenë prioriteti i tyre sepse ata janë “vegla” e tyre për punë.

“Duhet gjetur kohë për t’i ndihmuar fëmijët, për të parandaluar. Ne i përdorim burimet tona si këshillimi, mbështetja psikologjike, psikoterapia, por nëse kjo nuk funksionon, atëherë i drejtojmë dhe u japim udhëzime se ku të drejtohen. Ne udhëhiqemi nga programet për të punuar me fëmijët që duhet të zbatojmë çdo vit”, thotë Naumovska.

Slavica Naumovska, psikologe në shkollën e mesme “Taki Daskalo”, Manastir

Ajo shton se bashkëpunimi me prindërit është i shkëlqyer dhe për të ruajtur shëndetin mendor të të rinjve, ajo thekson rëndësinë që ata të krijojnë shprehi të shëndetshme.

“Përveç aktiviteteve shkollore, vëmendje duhet t’i kushtohet aktiviteteve të lira të të riut, pra të bëjë atë që e do. Të përmbushet në atë rrafsh përmes të cilit dëshiron të shprehet, për shembull përmes shkrimit të poezisë, prozës, pikturës, muzikës, ndonjë lloj arti të caktuar. Duhet të dëshirojë të punojë, kohë të shfrytëzohet në mënyrë të dobishme për të zvogëluar ndjenjat dhe mendimet negative. Mendimet, nga të cilat më pas lindin ndjenjat dhe sjellja, janë të rëndësishme. Kur ato mendime negative ulen, vëmendjen dhe interesin tonë e kthejmë në aktivitet tjetër që e duam. Kjo e zvogëlon tensionin, ankthin, shqetësimin, agresionin dhe bëhet orientimi i sjelljes. Kur ka tension tek një i ri, interesi dhe motivimi zvogëlohen”, thotë Naumovska, duke shtuar se mendimet negative i rrënojnë përjetimet dhe ndjenjat e të rinjve.

I riu, sipas bashkëbisedueses, duhet të udhëhiqet përmes procesit të psikologut, psikoterapistit me ç’rast, ai duhet të vijë deri te zgjidhja e tij.

“Nëse përjashtohen faktorët e trashëguar ose intoksikimet, është e rëndësishme që i riu të gjejë zgjidhjen për rritjen dhe zhvillimin e tij. Lodhja, gjendje të ndryshme stresuese mund të rezultojnë me reaksion neurotik, por duhet të punohet në mënyrë që gjendja të mos rezultojë në patologji të caktuar. Prandaj, korrelacioni midis prindit, nxënësit, shkollës ka rëndësi të madhe në këtë proces”, shton Naumovska, e cila e theksoi edhe rëndësinë e jetës shoqërore të të rinjve dhe komunikimin e tyre me bashkëmoshatarët.

Nga ngjarjet “Shëndeti Mendor – Tani është Momenti” të organizuar nga “Youth Can” duhet të dalë një dokument i politikave publike që do të përmbajë masa dhe qasje të propozuara për vendimmarrësit që kanë të bëjnë me shëndetin mendor të të rinjve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button