Kurti: BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën nga Sllovenia – ku do të mbahet samiti në mes të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor – se kanë kaluar më shumë se tre vjet që Komisioni Evropian ka rekomenduar për të dytën herë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ka pasur padrejtësi të madhe dhe mungesë të drejtësisë ndaj qytetarëve të shtetit tonë, që kanë vuajtur shumë. Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Evropian do t’i qëndrojë besnik esencës së tij, zgjerimit. Si projekti politik më i rëndësishëm për paqe dhe prosperitet prej Luftës së Dytë Botërore, BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë. BE-së i mungojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë Evropë”, ka thënë ai në prag të nisjes së samitit që do të mbahet në Bërdo, transmeton REL.

Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Sa u përket vendeve mosnjohëse, ai ka thënë se shpreson që ato vende shumë shpejt t’iu bashkohen vendeve tjera që e njohësinë shtetësinë e Kosovës.

Vendet anëtare që nuk kanë njohur shtetësinë e Kosovës janë: Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia.

I pyetur nëse kthimi drejt Kinës dhe Rusisë është mundësi për Kosovën, Kurti është përgjigjur menjëhere me “jo”.

“Ne kurrë nuk kemi marrë as një vaksinë të vetme nga Federata Ruse apo Kina. Bashkimi Evropian është destinacioni ynë dhe Evropa është kontinenti ynë”, ka thënë Kurti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button